Ndërlidhjet

Ligji që ka ‘trimëruar’ sportistët


Fotografi ilustruese

Kuvendi i Kosovës u është përgjigjur kërkesave të sportistëve, duke miratuar një amendament të Ligjit për tatimin në të ardhurat e korporatave, i cili e harmonizon atë me Ligjin për sponsorizime në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit.

Amendamenti i miratuar në kuadër të Ligjit për tatimin në të ardhurat e korporatave, parasheh zbritje të lejuar deri në 30 për qind nga tatimi në fitim për bizneset sponsorizuese në fushën e sportit.

Sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Eroll Salihu, i cili kishte marrë pjesë në hartimin e Ligjit për sponsorizime në fushën e sportit, beson se ndryshimet e bëra u kanë hapur rrugë bizneseve që të investojnë në sport. Ai thotë për Radion Evropa e Lirë, se pret përmirësim të gjendjes së klubeve sportive dhe investime në infrastrukturë.

“Me rëndësi është që tani sponsorët eventualë, vendorë apo që vijnë nga jashtë, po flas për sporte të mëdha, sidomos në futboll, e dinë çfarë përfitimesh kanë nëse sponsorizojnë. Ky është qëllimi kryesor. Mendoj që përqindja që kanë ofruar institucionet (përmes ligjit) është mjaft e mirë, sepse nuk ka praktika të tilla në rajon që kanë përqindje kaq të lartë”

“Po ashtu, me rëndësi është që tashmë klubet e dinë se a kanë leverdi t’i hyjnë kësaj, po flas për profesionalizëm, sidomos tash që po marrin pjesë në gara evropiane, preliminare (Liga e Kampionëve, Liga e Evropës) kështu që secili e sheh veten qartë në këtë situatë”, thotë Salihu.

Edhe juristi i sportit, Fisnik Salihu, beson se ndryshimi i fundit, në Ligjin për tatimin në të ardhurat e korporatave, krijon mundësi për organizim më të mirë dhe zhvillimtë sportit e kulturës dhe fuqizim të rinisë. Pas kësaj, ai beson se federatat dhe klubet e sportit duhet të përgatiten, në mënyrë që të jenë tërheqëse për sponsorët eventualë.

Derisa vlerëson se implementimi i ligjit në praktikë do të marrë kohë, juristi Salihu konsdieron se institucionet përgjegjëse duhet të punojnë në krijimin e kushteve dhe lehtësirave të nevojshme për implementimin sa më efektiv të ligjit.

“Nga ajo që kemi parë nuk kemi ndonjë vërejtje specifike, mirëpo pjesa kryesore tani do të jetë mënyra dhe implementimi i këtyre ndryshimeve dhe ligjit në tërësi. Mendoj se pika kryesore do të jetë definimi i procedurave se si do të menaxhohet tërë ky proces nga ana e institucioneve dhe veçanërisht nga ana e Administratës Tatimore të Kosovës”.

“Andaj, kjo pjesë duhet të rregullohet sa më qartë që të definohen këto procedura dhe i tërë procesi të jetë sa më i thjeshtë dhe i qartë, në mënyrë që edhe bizneset të jenë të interesuara për të marrë pjesë në këto lehtësira që ua ofron ligji”, thekson juristi Salihu.

Lidhur me brengat e ngritura për mundësinë e keqpërdorimit të kësaj mundësie që e ofrojnë këto ndryshime në legjislacion, Fisnik Salihu thotë ato nuk paraqesin shqetësim në këtë fazë.

“Ka pasur edhe disa shqetësime lidhur me mundësitë e keqpërdorimeve dhe shpëlarjes së parave, mirëpo mendoj që në këtë aspekt janë ligjet dhe rregulloret tjera, të cilat i luftojnë këto dukuri. Besoj që me këto ndryshime, është krijuar një mundësi e mirë, ndërsa për të gjitha procedurat dhe dukuritë tjera që mund të jenë shqetësim janë ligjet dhe rregulloret që i luftojnë këto dukuri, andaj kjo pikë nuk duhet të jetë shqetësim në këtë fazë”, vlerëson ai.

Në ditën e miratimit të ndryshimeve ligjore, disa deputetë patën ngritur shqetësimin se gjatë sponsorizimeve, disa klube mund të detyrohen të ndërrojmë emrin e tyre.

Por, çështja e emrave të klubeve, sipas Fisnik Salihut, nuk duhet të paraqesë ndonjë problem.

“Këto ndryshime (të emrit) mund të jenë pjesë e marrëveshjeve mes klubeve dhe asociacioneve dhe sponsorëve potencialë, andaj nuk e shoh si problematikë nëse të palët e shohin në interesin e tyre. Kjo është praktikë që zbatohet jo vetëm këtu, por edhe në vende të caktuara”, sqaron juristi Salihu.

As sekretari i FFK-së, Eroll Salihu nuk sheh problem në marrëveshjet për emërtim ndërmjet klubeve dhe sponsorëve. Sipas tij, shumë klube të mëdha sportit në botë, zbatojnë praktika të njëjta që sjellin fitim të dyanshëm, për klubet dhe sponsorët.

“Edhe për stadiumin kombëtar (të Kosovës) kur është folur, në të ardhmen mund të jetë një sponsor, mund të ndërrohet emri. Duhet ta kuptojmë, jemi në kapitalizëm dhe ai që jep paratë, dëshiron të pyetet. E dini edhe Allianz Arena (stadiumi i Bayern Munichut) është ndryshuar, ka pasur emra të mëdhenj që janë ndryshuar në bazë të sponsorit”, thekson sekretari i FFK-së, Eroll Salihu.

Ligji për sponsorizime në fushën kulturës, rinisë dhe sportit ka hyrë në fuqi në janar të vitit 2017, por që atëherë nuk ka gjetur zbatim, për shkak të mos-harmonizimit me Ligjin për tatimin në të ardhurat e korporatave.

Që nga përfundimi i luftës ka pasur disa raste të klubeve të ndryshme sportive, të cilat, për shkak të gjendjes financiare, janë shuar vetëm pak kohë pasi kanë qenë kampione në nivel vendi. Në mesin shembujve të tillë hyjnë klube të shuara futbolli, me traditë apo rishtazi të krijuara (dhe shuara), si KF Besiana e KF Hysi, e po ashtu klube basketbolli si KB Mabetex, të gjitha të paktën një herë kampione të ligave elite sipas sportit.

XS
SM
MD
LG