Ndërlidhjet

Lista Serbe pretendon se një qytetar u rrah nga policia, Policia thotë se nuk ka informacione

Igor Simiq nga Lista Serbe.
Igor Simiq nga Lista Serbe.

Lista Serbe ka pretenduar se pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë keqtrajtuar fizikisht një burrë serb, Nenad Rashkoviq, në fshatin Dren të Zubin Potokut.

Sipas kësaj partie, Rashkoviq ka thënë se policët kanë hyrë në shtëpinë e tij pasditen e 11 gushtit dhe, pas kontrollit, e kanë rrahur.

Lista Serbe tha se ai ka deklaruar se më pas është dërguar në një pyll, është lidhur për një pemë dhe është rrahur me një zorrë uji. Ajo tha se Rashkoviq ka pësuar lëndime trupore dhe se është dërguar për trajtim mjekësor në Mitrovicën e Veriut.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha për Radion Evropa e Lirë se policia nuk ka informacione se pjesëtarët e saj kanë rrahur dikë.

“Sidoqoftë, Inspektorati Policor i Kosovës do të informohet dhe do ta hetojë rastin”, tha Elshani.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar Inspektoratin Policor të Kosovës për këtë rast dhe është në pritje të përgjigjes.

Lista Serbe, bashkë me komunikatën, publikoi edhe disa fotografi që pretendon se janë të Rashkoviqit, në të cilat shihen mavijosje në shpinë.

Ajo kërkoi hetim të menjëhershëm dhe të pavarur të rastit, si dhe u bëri thirrje KFOR-it dhe EULEX-it që t’i shqyrtojnë pretendimet.

Petar Petkoviq, drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, tha se fotografitë tregojnë, sipas tij, keqtrajtimin e Nenad Rashkoviqit nga Policia e Kosovës dhe kërkoi hetim të menjëhershëm ndërkombëtar dhe ndëshkimin e përgjegjësve.

Radio Evropa e Lirë kontaktoi edhe anëtarë të familjes së Nenad Rashkoviqit, por ata nuk deshën të japin deklaratë për shkak, siç thanë, të “frikës”.

Ditët e fundit, në Zubin Potok janë kryer kontrolle dhe arrestime të personave të dyshuar për krime lufte, pasi në këtë komunë janë identifikuar disa lokacione ku dyshohet se mund të ketë varreza masive nga lufta e fundit në Kosovë.

XS
SM
MD
LG