Ndërlidhjet

Lista Serbe: Duam ta rrëzojmë Qeverinë Kurti


Ministri për Kthim dhe Komunitete, Goran Rakiq nga Lista Serbe, gjatë një mbledhjeje të Qeverisë së Kosovës.

Partia kryesore e serbëve në Kosovë, Lista Serbe tha se dëshiron që ta rrëzojë nga pushteti kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Përmes një njoftimi për media, kjo parti tha se Qeveria Kurti po punon kundër interesave të popullit serb.

“Lista Serbe nuk bashkëpunon me Qeverinë e Albin Kurtit, sepse ajo punon kundër interesave të popullit serb dhe se qëllimi ynë politik është të rrëzojmë Albin Kurtin nga pushteti, që është në interes të të gjithëve që duan të jetojnë në paqe në këto zona”, tha kjo parti.

Reagimet e fundit të Listës Serbe vijnë pas deklaratave të bëra nga ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.

Sveçla në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës, deklaroi më 2 gusht se Lista Serbe është e "devalvuar politikisht" dhe tha se në ekzekutiv nuk ka as vullnet për të bashkëpunuar me këtë parti, pasi tha se ajo bashkëpunon me grupe kriminale.

Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit nuk ka marrëveshje koalicioni me Listën Serbe, por sipas Kushtetutës, kjo parti merr pjesë në ekzekutiv, duke udhëhequr me Ministrinë për Komunitete dhe Kthim.

Lista Serbe nuk e ka votuar Qeverinë e Kurtit, në seancën e mbajtu më 22 mars të vitit 2021.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, po ashtu tha se nënkryetari i kësaj partie, Milan Radoiçiq, nuk gjendet në veri të Kosovës. Ai tha se Radoiçiq në fillim të korrikut ka incizuar një video në veri të Kosovës dhe më pas ka dalë nga territori i shtetit.

Por, Lista Serbe tha se Radoiçiq ishte i pranishëm më 31 korrik në barrikadat e ngritura në këtë pjesë të vendit.

Radoiçiq "ishte në barrikada"

Radoiçiq kërkohet nga autoritetet në Kosovë për dyshime se është përfshirë në frikësimin e dëshmitarëve në çështjen e njohur si “Brezovica”.

“:..ai [Sveçla] nuk guxon të pranojë se është i vetëdijshëm se sa autoritet ka Radoiçiq në mesin e serbëve, gjë që u pa më së miri të dielën kur Radoiçiq iu bashkua atyre në protesta, dhe gjatë gjithë kohës ishte me qytetarët dhe kryesinë e Listës Serbe”, thuhet në deklaratën e Listës Serbe.

Sveçla më herët e kishte cilësuar Radoiçin si person që qëndron në krye të kontrabandistëve që sulmojnë Policinë e Kosovës në veri të vendit. Autoritetet e rendit disa herë gjatë këtij viti janë sulmuar ose janë penguar që të kryejnë punën e tyre në veri të vendit.

Radoiçiq së bashku edhe me dhjetëra serbë të tjerë, përfshirë edhe biznesmenin nga veriu i Kosovës, Zvonko Veselinoviq, gjenden në listën e zezë amerikane të dyshuar se i përkasin një rrjeti të lidhur me krimin e organizuar ndërkombëtar.

Më 31 korrik, serbët lokalë vendosën barrikada në dy rrugët që çojnë për në pikat kufitare – Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë.

Barrikadat u vendosën në shenjë proteste ndaj dy vendimeve të Qeverisë së Kosovës që kishin të bënin me targat dhe dokumentet serbe.

Barrikadat u hoqën pasditen e 1 gushtit dhe Qeveria e Kosovës u zotua se do të shtyjë për një muaj zbatimin e vendimit për pajisjen e shtetasve të Serbisë me dokument për hyrje-dalje, me të hyrë në territorin e Kosovës.

Një gjë të tillë, Serbia e aplikon për shtetasit e Kosovës qe 11 vjet.

Çfarë mendojnë në Beograd dhe Mitrovicë të Veriut për situatën në veri?
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:03:44 0:00

Ndërkaq, po ashtu është shtyrë zbatimi i vendimit që ka të bëjë me riregjistrimin e makinave me targat që i lëshon Serbia, që Kosova i konsideron ilegale.

Më 3 gusht, organizatat joqeveritare nga komuniteti serb në Kosovë u bënë thirrje Qeverisë së Kosovës dhe Serbisë që të nisin një dialog konstruktiv, ndërkaq Lista Serbe të marrë pjesë në zgjidhjen e tensioneve.

“Deputetët dhe ministrat e Listës Serbe janë të vetmit përfaqësues politikë të serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës, prandaj është e nevojshme që veprimet pasive të zëvendësohen me një rol pro-aktiv në zgjidhjen e problemeve që prekin drejtpërdrejt qytetarët. Në atë proces është e nevojshme të vendoset një komunikim të drejtpërdrejtë dhe të pandërprerë me popullatën lokale, sektorin joqeveritar dhe të gjithë akterët relevantë nga radhët e komunitetit serb në Kosovë”, u tha në njoftim.

Ndryshe, Lista Serbe përfaqësohet në Qeverinë e Kosovës me ministrin për Kthim dhe Komunitete, Goran Rakiq, ndërkaq po ashtu ka dhjetë deputetë në Kuvendin e Kosovës.

XS
SM
MD
LG