Ndërlidhjet

Mos injoroni “lodhjen nga izolimi”


Një person i lodhur nga stresi në punë.
Një person i lodhur nga stresi në punë.

Stafi i kompanive financiare në Britani është duke vuajtur nga “lodhja e shkaktuar nga izolimi” dhe shefat e tyre nuk janë duke u siguruar gjithmonë se të gjithë punëtorët mund të flasin lirshëm për problemet e tyre, ka thënë Autoriteti i Administrimit Financiar.

Shumë pjesëtarë të stafit nëpër kompani financiare, janë duke punuar nga shtëpitë, prej kur Britania i është nënshtruar masës së parë të izolimit në mars të vitit të kaluar, me qëllim të luftimit të pandemisë së koronavirusit.

Një vit më vonë, sfidat janë rritur nga adaptimi në të punuarit nga shtëpia e deri të përballja me çështje të shëndetit mendor, ka thënë David Blunt, specialist i sjelljeve në Autoritetin e Administrimit Financiar, transmeton agjencia e lajmeve, Reuters.

“Përgjatë izolimit të tretë është vërejtur ndikim më i madh në çështjet e shëndetit mendor, meqë shumë persona kanë pasur vështirësi me sigurinë në punë, përgjegjësi ndaj kujdesit, mësim nga shtëpia, fatkeqësi dhe lodhje nga izolimi”.

Ai ka thënë se shefat duhet të vëzhgojnë në vazhdimësi se si po ia dalin ekipet që punojnë nga shtëpitë.

“Ndikimi i COVID-19 është duke krijuar ngarkesë të madhe për ata që konsiderohen performues të lartë, derisa ambienti nga shtëpitë potencialisht bëhet më sfidues për ata që më parë janë konsideruar punëtorë me performancë të ulët dhe synojnë të ndryshojnë këtë pikëpamje”, ka thënë Blunt në organizimin online City & Financial.

Kompanitë duhet të kenë konsideratë për “sigurinë psikologjike” apo të garantojnë se të gjithë të punësuarit kanë vetëbesim për të diskutuar dhe për të sfiduar opinionet.

“Ne kemi dëgjuar shumë raporte se sa e suksesshme ka qenë kjo gjë”, ka thënë Blunt.

Presionet në sektorin financiar janë theksuar këtë muaj kur disa zyrtarë financash në kompaninë Klynveld Peat Marwick Goerdeler, kanë thënë se shefi i tyre në Mbretërinë e Bashkuar Bill Michael, ka dhënë dorëheqje gjatë një hetimi rreth komenteve që i ka bërë drejt stafit.

E përditshmja The Financial Times ka thënë se Micheal, i cili më vonë ka kërkuar falje për komentet e tij, u ka thënë punëtorëve “të ndalojnë së ankuari” për ndikimin e pandemisë në jetën e tyre.

Blunt ka bërë këto deklarata teksa Autoriteti i Administrimit Financiar do të përfundojë muajin tjetër prezantimin e rregullave të reja, sipas së cilave menaxherëve në kompani financiare u kërkohet të jenë personalisht përgjegjës për vendimet e tyre për të përmirësuar standardet e sjelljes.

Blunt ka thënë se deri më tani ekziston vetëm një numër “modest” i shkeljeve që janë raportuar te rregullatorët, meqë kompanitë shqetësohen nga ideja e “njollosjes”, ndonëse më shumë raste pritet të bëhen publike kur të publikohen sanksionet.

”Rregullatorët nuk do të impresionohen nga manipulimi i të dhënave”.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG