Ndërlidhjet

Putin mobilizon rezervistët për luftë dhe kërcënon Perëndimin


Putin alarmon Perëndimin për "përshkallëzim" të luftës
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:02:02 0:00

Putin alarmon Perëndimin për "përshkallëzim" të luftës

Presidenti rus, Vladimir Putin, bëri të ditur se ka nënshkruar një dekret për mobilizim të pjesshëm ushtarak në Rusi.

Njoftimi vjen në kohën kur pushtimi i Ukrainës, me urdhër të tij, është në muajin e shtatë.

Putin, po ashtu, paralajmëroi Perëndimin se Rusia do t'i përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për të mbrojtur territorin e saj dhe tha se "ky nuk është një mashtrim".

Një ditë më herët, rajonet e pushtuara nga Rusia në Ukrainën lindore dhe jugore shpallën planet për të mbajtur referendume të ashtuquajtura për bashkim me Rusinë.

Analistët thonë se përpjekjet e tilla, të mbështetura nga Kremlini, krijojnë terren që Moska të përshkallëzojë luftën, pas sukseseve të Ukrainës në fushën e betejës.

Të ashtuquajturat referendume, të cilat pritej të zhvilloheshin që në muajt e parë të luftës, do të fillojnë më 23 shtator në rajonet Luhansk e Herson, si dhe në Zaporizhja e Donjeck. Dy të fundit kontrollohen pjesërisht nga Rusia.

Gjatë adresimit televiziv, Putin akuzoi Perëndimin për përfshirje në "shantazh bërthamor" dhe pretendoi - pa ofruar asnjë provë - se "përfaqësues të rangut të lartë të shteteve kryesore të NATO-s kanë bërë deklarata" për "mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore të shkatërrimit në masë kundër Rusisë".

"Atyre që i lejojnë vetes deklarata të tilla në lidhje me Rusinë, dua t'ua kujtoj se edhe vendi ynë ka mjete të ndryshme shkatërrimi", tha Putin.

"Kur integriteti territorial i vendit tonë të kërcënohet... për të mbrojtur Rusinë dhe popullin tonë, ne me siguri që do t'i përdorim të gjitha mjetet që kemi në dispozicion. Ky nuk është një mashtrim", theksoi Putin.

Ai shtoi se mobilizimi i pjesshëm ushtarak do të nisë menjëherë.

“Po flasim për mobilizim të pjesshëm, pra vetëm qytetarët që janë aktualisht në rezervë, do t’i nënshtrohen rekrutimit, si dhe ata që kanë shërbyer në forcat e armatosura dhe kanë përvojën përkatëse”, tha Putin.

Ai tha se qëllim i tij është “çlirimi” i rajonit Donbas në Ukrainën lindore.

Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, tha në një intervistë televizive se do të mobilizohen vetëm ata rusë që kanë përvojë përkatëse luftarake dhe shërbimi, e jo rekrutët dhe studentët.

Shoigu tha se rreth 300.000 njerëz të tillë do të thirren.

Ai, po ashtu, tha se 5.937 trupa ruse janë vrarë deri më tani në Ukrainë - shifër kjo shumë më e vogël se vlerësimet e Ukrainës dhe të disa vendeve perëndimore, që flasin për dhjetëra mijëra.

Kjo është hera e tretë që zyrtarët rusë japin shifra për humbjet ushtarake në Ukrainë. Hera e fundit ishte në fund të marsit, kur Ministria e Mbrojtjes njoftoi për 1.351 ushtarë rusë të vrarë në Ukrainë.

"Shkelje e Kartës së OKB-së"

Gjatë një adresimi në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, presidenti amerikan, Joe Biden, tha se Rusia “ka shkelur paturpësisht parimet themelore” të Kartës së OKB-së.

Ai u bëri thirrje të gjitha shteteve, qofshin demokratike apo autokratike, që ta ngrenë zërin kundër agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, teksa shtoi se vendi i tij është i përkushtuar për kontrollin e armëve bërthamore.

"Një luftë bërthamore nuk mund të fitohet dhe kurrë nuk duhet të luftohet", tha Biden.

Biden shtoi se Putin po tenton që "ta zhdukë nga harta" Ukrainën.

Ndërkaq, shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se kërcënimi i Putinit për përdorimin e armëve bërthamore paraqet një përshkallëzim "të rrezikshëm" të konfliktit. Ai shtoi se fjalimi i Putinit dëshmon se lufta në Ukrainë nuk ka shkuar sipas planeve të presidentit rus.

“E vetmja mënyrë për t’i dhënë fund kësaj lufte është të dëshmohet se presidenti Putin nuk do të fitojë në fushëbetejë. Kur ai ta kuptojë këtë, ai do të detyrohet të ulet dhe të negociojë një marrëveshje të arsyeshme me Ukrainën”, tha Stoltenberg për agjencinë Reuters.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se fjalimi i Putint dëshmon se ai "nuk është i interesuar për paqe".

"Ai është i interesuar për luftë dhe përshkallëzim. Kjo është një tjetër shenjë e dëshpërimit për mënyrën se si po zhvillohet agresioni i tij kundër Ukrainës", tha Stano.

Ministrja e Jashtme britanike, Gillian Keegan, tha se kërcënimi i Putinit ndaj Perëndimit "është drithërues" dhe shtoi se fjalimi i tij "kishte shumë gënjeshtra".

"Është një kërcënim serioz, por është një kërcënim që është bërë më parë", tha ajo për BBC-në.

Keegan tha se njoftimi i Putinit për një mobilizim të pjesshëm të forcave rezervë ruse, paraqet një "përshkallëzim shqetësues" të situatës.

Ajo tha se komentet e Putinit duhet të merren "seriozisht", por bëri thirrje për qetësi përballë kërcënimeve të tij.

Keegan tha se diskutimet për zgjidhje diplomatike për luftën në Ukrainë, do të vazhdojnë.

Sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, tha se Putin, me njoftimin e tij për mobilizimin ushtarak, "është duke pranuar se pushtimi [i Ukrainës] është duke dështuar".

"Ai [Putin] dhe ministri i tij i Mbrojtjes kanë dërguar në vdekje dhjetëra mijëra qytetarë të tyre, të pajisur keq dhe të udhëhequr keq", tha Wallace në një postim në Twitter.

"Asnjë kërcënim dhe propagandë nuk mund ta fshehë faktin se Ukraina po e fiton këtë luftë", tha ai.

Kryeministri holandez, Mark Rutte, tha se urdhri i mobilizimit i Putinit është "shenjë paniku" në Kremlin, që "nuk duhet të merret si kërcënim i drejtpërdrejtë për luftë me Perëndimin".

"Retorika e tij për armët bërthamore është diçka që e kemi dëgjuar shumë herë më parë", tha Rutte për transmetuesin holandez, NOS.

Rusia nisi pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës më 24 shkurt. Kombet e Bashkuara konfirmuan afro 6.000 njerëz të vrarë, ndonëse kjo shifër besohet të jetë shumë më e lartë.

Perëndimi ndërmori një varg sanksionesh ekonomike dhe diplomatike kundër Rusisë, ndërsa Ukrainën është duke e ndihmuar me armatim.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG