Ndërlidhjet

Lufta kundër korrupsionit, kriter i paplotësuar


Ilustrim
Ilustrim

Plotësimi i dy kritereve të fundit, nga 95 kriteret e kërkuara nga Bashkimi Evropian, për heqjen e regjimit të vizave për Kosovën, mbeten ende sfidë për institucionet e vendit. Por, ndonëse ratifikimi i Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, si njëri prej dy kritereve të fundit, është shpërfaqur më shumë si sfidë problematike, megjithatë Kosova është ende mjaft larg përmbushjes së kriterit tjetër, luftimit të korrupsionit dhe forcimi të sundimit të ligjit dhe rendit, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve në vend.

Artan Demhasaj nga Organizata për Demokraci, Anti- Korrupsion dhe Dinjitet “Çohu”, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se luftimi i korrupsionit, që vjen si kërkesë e Komisionit Evropian, është kushti kryesor, të cilën institucionet e Kosovës, duhet ta përmbushin për të arritur deri te liberalizimi i vizave.

Sipas tij, ende nuk është parë ndonjë veprim apo vendim konkret nga prokuroritë dhe gjykatat, që dëshmon luftën kundër korrupsionit në nivelit të lartë.

“Në kuadër të kësaj, unë nuk besoj që ne kemi arritur ta realizojmë këtë kusht, siç e ka caktuar Bashkimi Evropian. E dimë që Bashkimi Evropian, në vazhdimësi ka folur për masat e ulëta ndëshkimore që gjykatat tona i shqiptojnë karshi lëndëve të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Së fundi, patëm një rast të tillë ku, për një rast të korrupsionit për keqpërdorim të mijëra eurove, e pamë se u dha një dënim me kusht për një vit. Do të thotë, këtu ka qenë pika kryesore që Bashkimi Evropian ka kërkuar edhe hetim të pavarur, por njëkohësisht edhe vendime meritore për personat kyç, që janë të korruptuar ose që janë të përfshirë në krim të organizuar”, thotë Demhasaj.

Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, i cili monitoron rastet e korrupsionit në sistemin e drejtësisë, thotë për Radion Evropa e Lirë, se nga hulumtimet e këtij instituti del që lufta kundër korrupsionit nuk është duke u zhvilluar fare.

“Përmbushja e këtij kriteri nuk është ende askund në orbitë. Faktikisht, nuk ka ndjekje të profilit të lartë të korrupsionit dhe nuk ka gjykim të këtyre rasteve. Përderisa nuk ka aktgjykime përfundimtare, thjeshtë, nuk mund të flasim për rezultate konkrete. Ka pasur spektakle edhe të ngritjes së aktakuzave, por të cilat kanë përfunduar turpshëm në gjykata. Prandaj edhe Evropa, por edhe Amerika, dëshiron rezultate konkrete, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të përmbushet ky kriter”, thekson Musliu.

Korrupsion, fotografi ilustruese
Korrupsion, fotografi ilustruese

Ndërkaq, Demhasaj thotë se është e dukshme që gjykatat po i zvarrisin lëndët, që kanë të bëjnë me korrupsionin, nëpër prokurori dhe polici dhe kur ato arrijnë në gjykatë, pjesa më e madhe e tyre, hidhen poshtë.

“Edhe ajo pjesë e lëndëve që po kalojnë dhe po shqyrtohen në gjykata, po marrin dënime tepër të ulëta ose dënime me kusht. Kështu që, mesazhi që ne deri më tani ia kemi dërguar Bashkimit Evropian, karshi kushtit për luftim të korrupsionit, ma merr mendja se tregon që jemi shumë prapa dhe kemi çaluar shumë në këtë drejtim. Edhe nëse ‘kalohet kushti i demarkacionit’ në Kuvendin e Kosovës, prapëseprapë konsideroj që ka me qenë shumë problematike që ne menjëherë ta marrim liberalizimin e vizave, për shkak se nuk e kemi kryer punën si duhet, sa i përket luftimit të korrupsionit, por njëkohësisht edhe vendosjes së sundimit të ligjit dhe të rendit”.

Ndryshe, Musliu ka theksuar se luftimi i korrupsionit në Kosovë, “aktualisht është i bazuar në profilin e ulët dhe të mesëm, ndërkohë që profili i lartë, mbetet kryesisht i paprekur”. Siç ka thënë ai, edhe “në rastet kur ngrihen aktakuzat, kryesisht ato janë të dështuara”.

Sipas të dhënave të Institutit të Kosovës për Drejtësi, gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, janë evidentuar tre aktakuza ndaj profileve të larta, pra, ndaj dy ish kryetarëve të komunave dhe një ministri. Ndaj njërit ish-kryetar të komunës dhe ndaj ministrit, akuzat janë hedhur poshtë nga gjykatat, si të pabazuara, ndërkaq ndaj tjetrit ish-kryetar të komunës, procedurat janë duke vazhduar ende.

XS
SM
MD
LG