Ndërlidhjet

Zbehen shpresat për vazhdimin e bisedimeve Ukrainë-Rusi


Sulmet në fabrikën Azovstal në Mariupol më 25 prill.
Sulmet në fabrikën Azovstal në Mariupol më 25 prill.

Vazhdimi i negociatave për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës është vënë në pikëpyetje, teksa presidenti ukrainas tha se është e vështirë të bisedohet për paqe pas pretendimeve për mizori të kryera nga forcat ruse, ndërkaq ministri i Jashtëm rus tha se heqja e sanksioneve perëndimore kundër Moskës është kyçe për bisedimet.

Këto zhvillime vijnë teksa shpresat u zbehën për një evakuim të civilëve nga qyteti i rrethuar i Mariupolit, teksa Rusia po vazhdon ofensivën në lindje të Ukrainës. Më 30 prill, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se forcat ukrainase po bënin përparime taktike në rajon.

Zyra e Zelenskyt më herët ka thënë se ishte planifikuar një operacion për të evakuuar civilët nga fabrika e çelikut Azovstal, ku 2,000 forca ukrainase dhe afër 1,000 civilë kanë mbetur të bllokuar.

Ndërkaq, në qytetin e dytë më të madh ukrainas, Harkiv, më 30 prill ka pasur raportime për sulme me mortaja dhe artileri. Gjatë një adresimi televiziv një natë më parë, Zelensky tha se forcat ukrainase kanë rimarrë kontrollin e një fshati strategjik afër qytetit dhe ka arritur të evakuojë qindra civilë.

Zelensky tha më 29 prill se bombardimet e vazhdueshme dhe “brutale” mbi infrastrukturën dhe zonat e banuara “tregojnë se Rusia dëshiron që ta zbrazë rajonin e Donbasit dhe të largojë të gjithë banorët”, duke shtuar se “mbrojtja e tokës sonë, e njerëzve tanë, po lufton për jetë”.

Ai shtoi Mariupoli tani është shndërruar në “kamp përqendrimi në mes të rrënojave”.

Ndërkaq, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavorov, ka hedhur poshtë kërkesën e Kombeve të Bashkuara për nevojën e korridoreve humanitare për evakuimin e civilëve nga qytetet ukrainase, duke i bërë thirrje Perëndimit që të mos i ofrojë armë Ukrainës, pasi sipas tij, kjo gjë po bën të “vështirë” që negociatat me Kievin të vazhdojnë.

Më 29 prill, ai deklaroi për një televizion saudit se i vlerëson propozimet e shefit të OKB-së, Antonio Guterres, për të ndihmuar në evakuimin e civilëve, por tha se “nuk ka asnjë nevojë që dikush të ofrojë ndihmë për hapjen e korridoreve humanitare”.

Ndërkaq, më 30 prill, ai deklaroi për agjencinë kineze Xinhuan, se bisedimet me Kievin po vazhdojnë në baza ditore, teksa Moska insiston “në njohjen e realiteteve të reja gjeopolitike, në heqjen e sanksioneve perëndimore dhe në statusin e gjuhës ruse.

Negociatorët ukrainas dhe rusë nuk janë takuar sy më sy që prej fundit të majit, teksa trupat ruse janë akuzuar se kanë kryer krime lufte, ndërkaq shtetet perëndimore kanë ashpërsuar sanksionet kundër Moskës dhe kanë shtuar ndihmën ushtarake për Kievin.

Lavrov tha se nëse Shtetet e Bashkuara dhe NATO janë të interesuar "për zgjidhjen e krizës në Ukrainë, pikë së pari, ata duhet të ndalojnë së furnizuari regjimin e Kievit me armë dhe municione".

Ministria e Mbrojtjes së Rusisë po ashtu ka konfirmuar se ka kryer një sulm ajror në Kiev më 28 prill, gjatë vizitës së Guterrres në kryeqytetin ukrainas. Në këtë sulm, që goditi ndërtesa banimi, u vra gazetarja Vira Hyrych, e cila ka punuar për Shërbimin Ukrainas t Radios Evropa e Lirë.

XS
SM
MD
LG