Raketat ruse që goditën të enjten një qytet në Ukrainën qendrore vranë të paktën 23 persona dhe plagosën rreth 52 të tjerë, ndërsa 39 persona janë shpallur të humbur.
Presidenti ukrainas e quajti sulmin "një akt të hapur terrorizmi" kundër civilëve në zona pa asnjë vlerë ushtarake.
Autoritetet ukrainase deklaruan se tre raketa goditën një godinë zyrash në Vinnytsia, e cila ndodhet 268 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit, dhe dëmtuan ndërtesat e banimit aty pranë.
Një nëndetëse ruse në Detin e Zi lëshoi raketa të tipit Kalibr në qytet, ndërsa tre fëmijë ishin në mesin e viktimave, shkroi nënkryetari i zyrës presidenciale të Ukrainës, Kyrylo Tymoshenko, në rrjetin social Telegram. Ushtria ruse nuk e ka konfirmuar sulmin.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se sulmi kishte për qëllim objektiva civile. Sulmi ndodhi ndërsa zyrtarë qeveritarë nga rreth 40 vende u takuan në Hagë për të diskutuar koordinimin e hetimeve dhe ndjekjeve penale të krimeve të mundshme të luftës të kryera në Ukrainë.
“Rusia çdo ditë po shkatërron popullsinë civile, po vret fëmijë ukrainas, po drejton raketa në objekte civile. Aty ku nuk ka (objektiva) ushtarake. Çfarë është nëse jo një akt i hapur terrorizmi?”, u shpreh Zelensky në Telegram.
Vinnytsia është një nga qytetet më të mëdha të Ukrainës, me një popullsi prej 370,000 banoresh. Mijëra njerëz nga Ukraina lindore, atje ku Rusia ka përqendruar ofensivën e saj, janë zhvendosur atje që nga fillimi i luftës.
Vinnytsya daton nga mesjeta, e themeluar në vitin 1363, sipas faqes zyrtare të internetit.
Raketat shkaktuan një zjarr që u përhap duke përfshirë 50 makina në një parking ngjitur, thanë zyrtarët ukrainas. Guvernatori i rajonit Vinnytsia, Serhiy Borzov, tha se sistemet e mbrojtjes ajrore ukrainase rrëzuan katër raketa të tjera mbi atë zonë.
Rusia mohon të ketë sulmuar specifikisht civilët, pavarësisht nga provat video që tregojnë të kundërtën dhe shkatërrimin e gjerë të qyteteve të Ukrainës.
Sekretari i Përgjithshëm i Orgazinatës së Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres dënoi fuqishëm të enjten sulmet e Rusisë me raketa në qytetin Vinnytsia në Ukrainën qendrore. Guterres u shpreh "i tmerruar nga sulmi i sotëm me raketa kundër qytetit të Vinnytsia në Ukrainën qendrore", tha në një deklaratë zëdhënësi i tij Stephane Dujarric.
"Sekretari i Përgjithshëm dënon çdo sulm kundër civilëve ose infrastrukturës civile dhe përsërit thirrjen e tij për përgjegjësi për shkelje të tilla."
Ndërkohë misioni i dytë i OSBE-së për mbledhjen e provave në Ukrainë identifikoi "shembuj të qartë të shkeljeve serioze të të drejtave të njeriut që i atribuohen kryesisht ushtrisë ruse".
Sipas raportit të përgatitur nga tre ekspertë të përzgjedhur nga organizata, "shkalla dhe shpeshtësia e sulmeve pa dallim ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile janë dëshmi e besueshme se armiqësitë janë kryer nga forcat e armatosura ruse pa respektuar parimet themelore, parimet e dallimit, proporcionalitetit dhe masave paraprake në bazë të Konventës së Gjenevës”.
Përpara se raketat të goditnin qytetin e Vinnytsia, zyra e presidentit raportoi vdekjen e pesë civilëve dhe plagosjen e tetë të tjerëve në sulmet ruse gjatë ditës së kaluar.
Një person u plagos kur një raketë dëmtoi disa ndërtesa në qytetin jugor të Mykolaivit të enjten herët, thanë autoritetet ukrainase. Një sulm me raketa të mërkurën vrau të paktën pesë persona në qytet.
Forcat ruse vazhduan sulmet me artileri dhe raketa në Ukrainën lindore, kryesisht në provincën e Donjeckut, pasi morrën kontrollin e Luhanskut fqinj. Qyteti i Lysychanskut, bastioni i fundit i madh i rezistencës ukrainase në Luhansk, ra në duart e forcave ruse në fillim të muajit.
Luhansku dhe Donjecku së bashku përbëjnë rajonin e Donbasit, një rajon kryesisht rusisht-folës i fabrikave të çelikut, minierave dhe industrive të tjera.
Ministria britanike e Mbrojtjes tha të enjten se me gjithë bombardimet e vazhdueshme në rajonin e Donbasit, forcat ruse nuk arritën përfitime të mëdha territoriale ditët e fundit.
“Automjetet e vjetruara, armët dhe taktikat e epokës sovjetike të përdorura nga forcat ruse nuk janë të përshtatshme për të rifituar ose ndërtuar shpejt vrullin nëse nuk përdoren në masë dërrmuese – të cilën Rusia aktualisht nuk është në gjendje ta përballojë”, tha ministria britanike.