Ndërlidhjet

Ministri i Sportit: 262 atletë ukrainas, të vrarë nga lufta


Fotografi ilustruese gjatë protestës kundër pjesëmarrjes së atletëve nga Rusia dhe Bjellorusia në Lojërat Olimpike 2024. Tbilisi, Gjeorgji, 26 mars 2023.
Fotografi ilustruese gjatë protestës kundër pjesëmarrjes së atletëve nga Rusia dhe Bjellorusia në Lojërat Olimpike 2024. Tbilisi, Gjeorgji, 26 mars 2023.

Ministri i Sportit në Ukrainë, Vadym Huttsait, tha të shtunën se lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka marrë jetën e 262 atletëve ukrainas dhe ka lënë të shkatërruara 363 objekte sportive.

Gjatë një takimi me presidentin e Federatës Ndërkombëtare të Gjimnastikës, Morinari Watanabe, Huttsait tha se asnjë atlet nga Rusia nuk duhet të lejohet në Lojërat Olimpike ose gara të tjera sportive.

“Ata të gjithë e mbështesin këtë luftë dhe marrin pjesë në ngjarjet e organizuara në mbështetje të kësaj lufte” tha Huttsait, sipas dokumentit të publikuar në uebfaqen e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyt.

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ka rekomanduar kthimin gradual të atletëve rusë dhe bjellorusë në garat ndërkombëtare si neutralë. Ende nuk është marrë vendimi për pjesëmarrjen e tyre në Lojërat Olimpike të radhës, që do të mbahen më 2024 në Paris.

Ukraina tha të premten se atletët e saj nuk do të lejohen të marrin pjesë në garat kualifikuese për Lojërat Olimpike 2024 nëse do të duhet të konkurrojnë kundër atletëve rusë – vendim ky Komiteti Olimpik Ndërkombëtar e ka kritikuar.

Agjencia e lajmeve Reuters nuk ka arritur ta verifikojë në mënyrë të pavarur numrin e atletëve ukrainas të vrarë apo numrin e objekteve të shkatërruara.

Pasi Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, një numër atletësh të nivelit kombëtar ukrainas i janë bashkuar vullnetarisht ushtrisë për ta mbrojtur vendin e tyre.

Midis të vrarëve gjatë këtij viti ka qenë patinatori Dmytro Sharpar, i cili vdiq në një betejë pranë Bahmutit, dhe Volodymyr Androshchuk, kampioni 22-vjeçar i dekatlonit.

XS
SM
MD
LG