Ndërlidhjet

Luftanija ruse fundoset në Detin e Zi


Luftanija ruse Moskva. Fotografi nga arkivi.

Luftanija ruse Moskva është fundosur në Detin e Zi, pas dëmtimeve që ka pësuar gjatë operacionit ushtarak në Ukrainë, ka thënë Ministria ruse e Mbrojtjes në orët e vona të 14 prillit.

Ministria ka thënë se anija është fundosur derisa ka qenë duke u tërhequr në port për t’i ikur një stuhie.

Ky institucion ka thënë se anija është dëmtuar rëndë si pasojë e zjarrit, derisa zyrtarët ukrainas kanë thënë se forcat e tyre kanë goditur anijen me raketa.

“Anija ka humbur balancën si pasojë e zjarrit dhe më vonë municioni ka shpërthyer”, ka thënë Ministria sipas agjencisë ruse të lajmeve TASS.

“Duke marrë parasysh detet e trazuara, anija është fundosur”.

Humbja e anijes, e cila mban emrin e kryeqytetit rus, është parë si humbje simbolike për Moskën, e cila veçse ka tërhequr forcat e saj nga pjesa veriore e Ukrainës më herët gjatë këtij muaji.

Anija Moskva ka mbajtur 16 raketa lundrimi me rreze të gjatë dhe humbja e saj do të zvogëlojë kapacitetet e Rusisë për të nisur sulmet nga Deti i Zi.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë fillimisht se zjarri e ka nxitur shpërthimin e municionit dhe më pas ekipi është evakuuar.

Ajo e ka mohuar se anija është sulmuar.

Mirëpo Maksym Marchenko, guvernator ukrainas për rajonin rreth Odeseas dhe Detit të Zi, ka thënë se anija është goditur nga dy raketa ukrainase Neptun.

Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby ka thënë se fundosja e kësaj anijeje përbën “goditje të madhe për fuqinë detare të Rusisë në Detin e Zi”.

“Ajo është kyçe në përpjekjet për të treguar dominim detar në Detin e Zi”, ka thënë ai për rrjetin televiziv amerikan, CNN.

Pas këtyre zhvillimeve, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy ka bërë thirrje sërish që shtetet e Perëndimit të dërgojnë më shumë armë në Ukrainë.

“Ne nuk frikësohemi nga asgjë, sepse ne e dimë për çfarë jemi duke luftuar”, ka thënë Zelensky në një postim në Twitter.

“Ne kemi mjaftueshëm kurajë për t’i dhënë fund djallëzisë. Mos e ushqeni makinën ushtarake ruse. Ndihmojeni Ukrainën me armë. Paqja dhe e mira më pas do të fitojnë më shpejt”.

Një ditë pas fundosjes së anijes, Zelensky ka përshëndetur njerëzit e tij për gatishmërinë që kanë treguar prej kur Rusia ka nisur pushtimin në Ukrainë – më 24 shkurt – duke thënë se “vendimi për të luftuar është më i rëndësishmi në jetën e tyre”.

Zelensky u ka thënë ukrainasve se ata duhet të jenë krenarë që kanë mbijetuar 50 ditë nën sulmin rus, kur pushtuesi “na ka dhënë një maksimum prej pesë ditësh”.

Rusia ka akuzuar forcat ukrainase se kanë nisur sulme ajrore në rajonin rus Brajansk më 14 prill, duke plagosur civilë.

Komiteti Hetues i Rusisë ka pretenduar se dy helikopterë ushtarakë ukrainas kanë hyrë në hapësirën ajrore të Rusisë dhe kanë kryer sulme ajrore në ndërtesa banimi në fshatin Klimovo.

Këshilli Kombëtar për Siguri dhe Mbrojtje të Ukrainës ka hedhur poshtë akuzat, duke i quajtur “përpjekje për të rritur histerinë anti-Ukrainës në Rusi”.

Në afërsi të Mariupolit ka vazhduar të raportohet për luftime të ashpra, teksa Rusia tenton të kontrollojë plotësisht këtë qytet strategjik.

Rusia ka thënë që më shumë se 1,000 marinsa ukrianas janë dorëzuar në 36 orët e fundit, mirëpo zyrtarët ushtarakë ukrainas nuk i kanë konfirmuar raportimet, duke thënë vetëm që forcat ukrainase janë duke u bashkuar në qytet për ta mbrojtur atë.

Mariupoli është tejet i rëndësishëm për Rusinë, pasi mund të shërbejë si korridor mes zonave të kontrolluara nga separatistët në lindje të Ukrainës dhe rajonit të Krimesë, të cilin Moska e ka aneksuar më 2014.

Lufta e Rusisë në Ukrainë është kritikuar ashpër dhe për pasojë, komuniteti ndërkombëtar ka vënë sanksione të ashpra ndaj Moskës dhe në të njëjtën kohë e ka izoluar në aspektin diplomatik.

Konfliktin ku janë vrarë mijëra civilë, presidenti amerikan Joe Biden e ka quajtur gjenocid.

Parlamenti ukrainas ka miratuar më 14 prill një rezolutë që i konsideron veprimet e forcave ruse si gjenocid.

Në Konventën e Kombeve të Bashkuara për Gjenocid, ky akt përcaktohet si qëllim “për të shkatërruar një grup kombëtar, etnik, racor apo fetar, në tërësi apo pjesërisht”.

Veprimet e ushtrisë ruse “nuk janë vetëm krim i agresionit, mirëpo tentim për të arritur qëllimin e shkatërrimit të popullit ukrainas”, është thënë në tekstin e rezolutës.

Ministri i Jashtëm i Irlandës, Simon Coveney ka vizituar Kievin më 14 prill për të diskutuar rrugët si mund të ofrohet ndihmë politike, humanitare si dhe në fushën e sigurisë në Ukrainë, por edhe si t’i ndihmohet këtij shteti për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Lufta ka rritur shqetësimet për sigurinë edhe në shtetet tjera në Evropë, pasi Suedia dhe Finlanda kanë thënë 13 prill se është çështje javësh para se të aplikojnë për t’u anëtarësuar në aleancën e NATO-s.

Dmitry Medvedev, zëvendësshef i Këshillit të Sigurisë në Rusi dhe një prej aleatëve më të ngushtë të presidentit rus, Vladimir Putin, ka paralajmëruar më 14 prill se një veprim i tillë i dy shteteve nordike, do t’i jepte fund konceptit për një rajon të Baltikut “pa armë bërthamore”.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG