Ndërlidhjet

Armenia dhe Azerbajxhani me akuza të ndërsjella për luftimet në kufi


Një ushtare armene në rajonin e Nagorno Karabakut. Fotografi nga arkivi.

Një ushtar i Azerbajxhanit dhe dy ushtarë të Armenisë u vranë më 11 janar gjatë luftimeve të fundit në kufirin mes dy shteteve, thanë zyrtarët në Baku dhe Jerevan.

Armenia dhe Azerbajxhani kanë akuzuar njëri-tjetrin për dhunën vdekjeprurëse dhe të dy palët kanë paralajmëruar se tensionet përgjatë kufirit janë duke u përshkallëzuar.

Ministria e Mbrojtjes së Armenisë tha se forcat azerbajxhanase hapën zjarr në orën 15:15 sipas kohës lokale, në zonë kufitare pranë Verin Shorzha, që gjendet në provincën lindore armene, Gegharkunik.

Fillimisht, kjo ministri njoftoi se ishte plagosur një ushtar armen, por më pas tha se dy ushtarë armenë u vranë dhe dy të tjerë u plagosën.

Ministrja armene e Mbrojtjes më pas tha se forcat azerbajxhanase kishin shtënë me artileri përgjatë kufirit dhe kanë përdorur edhe dronë, duke shtuar se këto veprime të forcave të Azerbajxhanit “u shtypën për shkak të veprimeve hakmarrëse të palës armene”.

Pothuajse dy orë pas fillimit të luftimeve, Armenia tha se situata në kufi ishte “relativisht stabile” dhe “nën kontrollin e plotë të Forcave të Armatosura armene”.

Më herët gjatë ditës, Ministria e Mbrojtjes së Azerbajxhanit tha se një ushtar është vrarë përgjatë kufirit me Armeninë “si rezultat i një provokimi nga Armenia në drejtim të qarkut Kalbacar të Azerbajxhanit”.

Ministria azerbajxhanase mohoi se ushtria ka përdorur artileri apo dronë, duke thënë se ushtria i është “përgjigjur provokimit të armikut”.

Ministria e Mbrojtjes së Azerbajxhanit po ashtu tha se ushtria ka ndërmarrë veprime të nevojshme për të vënë nën kontroll situatën.

Baku tha se “e gjithë përgjegjësia për tensionet e fundit qëndron tek udhëheqja ushtarako-politike e Armenisë”.

Armenia dhe Azerbajxhani zhvilluan një luftë më 2020 për rajonin e Nagorno Karabakut, ku mbetën të vdekur të paktën 6,500 persona. Ndërkaq, nëntorin e vitit të kaluar, dy shtetet arritën një marrëveshje armëpushimi që kishte për qëllim ndërprerjen e luftimeve përgjatë kufirit.

XS
SM
MD
LG