Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Serbi e kanë vlerësuar me rëndësi të madhe politike praninë konkrete institucionale të Shqipërisë në Luginë të Preshevës, përmes hapjes së një konsullate në Bujanoc.
Për këtë çështje u diskutua gjatë një takimi në Tiranë mes kryediplomatit shqiptar, Ferit Hoxha, dhe deputetit shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, kryetares së Preshevës, Ardita Sinani, kryetarit Bujanocit, Arbër Pajaziti dhe udhëheqësit të Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi.
Ministri Hoxha tha se biseda ishte përmbajtësore dhe u përqendrua në çështjet që kërkojnë bashkërendim: “mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve, ruajtjen e identitetit dhe forcimin e përfaqësimit të tyre me fuqi reale në jetën politike dhe institucionale të Serbisë, si dhe adresimin e nevojave konkrete të qytetarëve të Luginës”.
Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin serb, Shaip Kamberi, tha se vlerëson angazhimin e Shqipërisë për mbështetjen e shqiptarëve në Luginë të Preshevës – term që përdoret për komunat Preshevë, Medvegjë e Bujanoc në jug të Serbisë ku jetojnë shqiptarët.
“Hapja e Konsullatës së Shqipërisë në Bujanoc është një hap me rëndësi të veçantë politike dhe simbolike. Prania institucionale e Shqipërisë në Luginë është një dëshmi e vëmendjes së drejtpërdrejtë ndaj shqiptarëve dhe një mundësi për ta bërë edhe më të fortë lidhjen institucionale me Shqipërinë”, shkroi ai në rrjetet sociale.
Shqipëria dhe Serbia po diskutojnë për hapjen e dy zyrave konsullore, një shqiptare në Bujanoc, dhe një serbe në Shkodër. Ministri Hoxha ka thënë më herët se Shqipëria synon që më në fund të ketë një prani konsullore të përhershme në jug të Serbisë.
Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, tha se vazhdimisht përfaqësuesit politikë të Luginës së Preshevës kanë kërkuar rritjen e pranisë institucionale të Shqipërisë dhe Kosovës.
“Hapja e Konsullatës së Republikës së Shqipërisë në Bujanoc do të ishte shumë më tepër sesa hapja e një përfaqësie diplomatike. Do të ishte një prani konkrete e shtetit shqiptar pranë shqiptarëve të Luginës dhe një urë institucionale edhe më e afërt me ta”, tha ajo.
Sinani falënderoi Kosovën për mbështetjen që i ofron shqiptarëve të Luginës së Preshevës, por ajo theksoi se fondet që vijnë nga Kosova, hasin në pengesa të Serbisë. Pengesa të ngjashme, sipas saj, ka edhe për për mbështetje financiare nga Shqipëria, prandaj, sipas Sinanit, bëhet edhe më e rëndësishme që të dy shtetet të kenë një prani më të afërt institucionale në Luginë.
“Afrimi i përfaqësive institucionale në Luginën e Preshevës do të kishte një rëndësi të madhe për popullatën shqiptare këtu. Do të lehtësonte komunikimin e drejtpërdrejtë, adresimin e çështjeve me interes për qytetarët dhe lidhjen institucionale me Tiranën dhe Prishtinën”, tha Sinani.
Ndërkaq, udhëheqësi i Bujanocit, ku po diskutohet që të hapet Konsullata, tha se komuna që drejton është “plotësisht e gatshme” të përmbushë çdo obligim që është në kompetencë të saj, që ky proces të finalizohet sa më shpejt.
Sipas kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, Konsullata shqiptare në Bujanoc do të shpërbente si institucion për bashkërendimin e politikave.
“Më shumë Shqipëri dhe Kosovë në Luginë”, shkroi ai në rrjetet sociale.
Në Serbi jetojnë më shumë se 60.000 shqiptarë, të cilët përbëjnë pakicën e katërt më të madhe në këtë shtet, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë të realizuar në vitin 2022.
Kosova, Shqipëria, por edhe Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e kanë kritikuar Serbinë lidhur me të drejtat e shqiptarëve.
Më herët gjatë këtij viti, Komiteti për Politikë të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan miratoi një projektligj, që i kërkonte sekretarit amerikan të Shtetit të përgatiste një raport gjithëpërfshirës për pozitën e pakicave në Serbi, me fokus të veçantë te shqiptarët në Luginën e Preshevës.
Po në maj të këtij viti, një delegacion i kongresistëve amerikanë vizitoi Luginën e Preshevës, dhe në mesin e kongresistëve ishte edhe Keith Self nga radhët e republikanëve, nismëtar i projektligjit.
"Kemi parë se ka probleme reale mes shqiptarëve dhe Serbisë, siç edhe e kemi ditur", u tha Self gazetarëve pas vizitës në Preshevë.
Projektligji i miratuar në Komitetin për Politikë të Jashtme parashikon shqyrtimin e disa çështjeve që lidhen me pakicën shqiptare në Serbi, përfshirë pasivizimin e adresave, përkatësisht fshirjen e qytetarëve nga adresat ku janë të regjistruar.
Pasivizimi i adresave nënkupton fshirjen e qytetarëve nga adresat ku kanë qenë të regjistruar. Ky veprim rezulton me humbjen e shtetësisë serbe dhe, rrjedhimisht, të drejtave civile, përfshirë të drejtën për të votuar, për të pasur pronë, për të përfituar sigurim shëndetësor e pension, si dhe për t’u punësuar.
Çështja është ngritur vazhdimisht nga shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, si dhe nga Qeveria e Kosovës, e cila e ka cilësuar praktikën si diskriminuese.
Në Raportin e Progresit për Serbinë të publikuar në fund të vitit të kaluar nga Komisioni Evropian, në pjesën për mbrojtjen e minoriteteve thuhet se “pjesëtarët e minoritetit kombëtar shqiptar vazhdojnë të ngrenë shqetësime lidhur me mënyrën se si policia kontrollon statusin e banimit të tyre në jug të Serbisë, duke rezultuar me ‘pasivizimin’ e adresave të caktuara”.
Çështja e pasivizimit është përmendur edhe në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut në Serbi për vitin 2023, ku thuhet se kjo praktikë duket se është zbatuar në mënyrë joproporcionale ndaj shqiptarëve, sidomos në Medvegjë