Ndërlidhjet

Lutjet mortore për Khamenein mbahen pa Mojtaban; djemtë e tjerë të tij marrin pjesë

Tre djemtë e udhëheqësit të ndjerë suprem të Iranit, Ali Khamenei – Meysam (majtas), Masud (në mes) dhe Mostafa – marrin pjesë në lutjet mortore për babanë e tyre, më 5 korrik.
Tre djemtë e udhëheqësit të ndjerë suprem të Iranit, Ali Khamenei – Meysam (majtas), Masud (në mes) dhe Mostafa – marrin pjesë në lutjet mortore për babanë e tyre, më 5 korrik.

Udhëheqësi suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, mungoi në lutjet mortore për babanë dhe paraardhësin e tij, ajatollahun Ali Khamenei, të mbajtura herët në mëngjesin e 5 korrikut, më shumë se katër muaj pasi ai u vra gjatë sulmeve amerikano-izraelite në fillim të luftës në Lindjen e Mesme.

Lutjet u udhëhoqën nga Ajatollahu i Madh Ja'far Sobhani, një nga klerikët më të lartë shiitë të Iranit.

Mojtaba, i cili është përshkruar gjerësisht nga mediat iraniane si ajatollah dhe u emërua udhëheqës suprem menjëherë pas vdekjes së babait të tij, mungoi në ceremoni, pavarësisht traditës që çdo pasardhës të udhëheqë lutjet mortore për paraardhësin e vet – një rol që analistët e shohin si forcim të legjitimitetit të trashëgimisë së pushtetit.

Ai nuk është parë në publik që kur raportohet se u plagos në të njëjtin sulm që vrau babanë e tij më 28 shkurt, dhe gjatë muajve që pasuan nuk është publikuar asnjë incizim i njohur audio apo video i tij, duke ngritur pikëpyetje për gjendjen e tij shëndetësore dhe aftësinë për të ushtruar detyrat si udhëheqës suprem.

Autoritetet iraniane ka të ngjarë ta arsyetojnë mungesën e tij në ceremoninë mortore të babait me shqetësime për sigurinë.

Megjithatë, prania e pothuajse të gjithë zyrtarëve më të lartë të Republikës Islamike sugjeronte se autoritetet kishin besim në masat e sigurisë, pavarësisht mundësisë së një sulmi nga Izraeli ose Shtetet e Bashkuara.

Të pranishëm ishin drejtuesit e tri degëve të pushtetit, komandantët e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), si dhe oficerë të lartë të Forcës Quds të IRGC-së, e cila mbikëqyr operacionet ushtarake dhe të fshehta të Iranit jashtë vendit.

Më 3 korrik, presidenti amerikan Donald Trump tha se Uashingtoni i kishte dhënë Teheranit "një javë pushim" për zhvillimin e ceremonive mortore, përpara rifillimit të negociatave indirekte me Iranin për zbatimin e një kornize të marrëveshjes së paqes.

Tre djemtë e tjerë të Ali Khameneit – Mostafa, Masud dhe Meysam – të cilët gjithashtu kishin qëndruar larg syrit të publikut që nga shpërthimi i luftës, ishin të pranishëm pranë arkivolit të babait të tyre më 5 korrik.

Me raportim nga Radio Farda e Radios Evropa e Lirë.
XS
SM
MD
LG