Ndërlidhjet

Më shumë se 100 fëmijë janë identifikuar duke kërkuar lëmoshë


Foto ilustruese

Më shumë se 100 fëmijë janë identifikuar nga autoritetet përgjegjëse në Kosovë, të cilët shfrytëzohen për kërkim lëmoshe nëpër rrugë. Këto statistika ndërlidhen vetëm me periudhën janar-prill të këtij viti.

Ndërkohë, gjatë viteve 2016 dhe 2017, sipas shifrave zyrtare, janë hasur 215 përkatësisht 200 fëmijë, duke kërkuar lëmoshë.

Gjendja e fëmijëve që detyrohen të kërkojnë lëmoshë apo të kryejnë punë të rënda, është shumë shqetësuese, thonë përfaqësues të shoqërisë civile.

Ndërkaq, Daut Hoxha, zyrtar për informim në Policinë e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se kërkim-lëmosha si dukuri, mbetet ende e pranishme në Kosovë, e sidomos në Prishtinë.

“Fëmijët, në veçanti, por edhe të rriturit, të cilët kërkojnë lëmoshë, nuk janë vetëm shtetas të Kosovës, por sipas informacioneve dhe përvojave që kemi nga terreni, numri më i madh prej tyre, janë shtetas të Shqipërisë”.

“Personat që kërkojnë lëmoshë konsiderohen pjesëtarët më të rrezikuar të shoqërisë siç janë: të miturit, të moshuarit, gratë e shoqëruara me fëmijë dhe kryesisht u takojnë minoriteteve rom, ashkali dhe egjiptas. Në vazhdimësi Policia e Kosovës, në bashkëpunim me institucionet tjera, ka ndërmarrë veprime ligjore për largimin e lypsarëve nga rruga, ku edhe janë organizuar fushata të ndryshme, megjithatë kjo dukuri po vazhdon të jetë evidente”, thotë Hoxha.

Donjeta Kelmendi nga Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve gjatë një bisede për Radion Evropa e Lirë thotë se bazuar në indeksin e mbrojtjes së fëmijëve, i cili është raport monitorues që kjo organizatë e zbaton, përpjekjet e Qeverisë dhe komunave lidhur me mbrojtjen e fëmijëve, janë shumë të mangëta.

“Kjo i bie që Kosova, si shtet, ka bërë pak përpjekje për mbrojtjen e fëmijëve të përfshirë në punë të rënda që përfshin fëmijët që kërkojnë lëmoshë. Bazuar në indeksin për mbrojtjen e fëmijëve dhe rekomandimet që i jep te pjesa e fëmijëve për përfshirjen e tyre në punë të rënda, ne kemi bërë thirrje drejt Qeverisë dhe komunave duke i dërguar rekomandimet që i jep ky raport, për marrjen e veprimeve të menjëhershme për mbrojtjen e tyre”.

“Si veprim i parë është identifikimi i të gjithë fëmijëve të përfshirë që kërkojnë lëmoshë, hartimi i planeve individuale, ofrimi i shërbimeve sociale familjare, mbështetja e prindërve dhe familjeve, gjetja e shkaqeve duke e ditur që një prej arsyeve e kërkim-lëmoshës është edhe gjendja e vështirë ekonomike. Do të duhej të shihen programe për gjenerimin e të ardhurave në mënyrë që të përmirësohet statusi ekonomik dhe social i familjes”, sqaron Kelmendi.

Megjithëkëtë, Kelmendi shton se edhe pas shumë përpjekjeve të organizatave joqeveritare që merren me të drejtat e fëmijëve, Qeveria e Kosovës asnjëherë nuk e ka pasur prioritet mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.

“Deri tani nuk kemi parë që ka diçka konkrete në këtë drejtim dhe e kemi potencuar sa herë që mbrojtja e fëmijëve në përfshirjen e punëve të rënda, nuk ka qenë prioritet për komunat dhe as për Qeverinë”, shton ajo.

Sipas Ligjit për rend dhe siguri publike, dukuria e kërkim-lëmoshës është kundërvajtje.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG