Ndërlidhjet

Macron në Pekin: Kina ka rol të madh në rrugën drejt paqes në Ukrainë


Presidenti francez, Emmanuel Macron, mbërrin në Aeroportin Ndërkombëtar të Pekinit, Kinë. 5 Prill 2023.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, mbërrin në Aeroportin Ndërkombëtar të Pekinit, Kinë. 5 Prill 2023.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha të mërkurën se Kina ka "rol të madh" në gjetjen e një rruge drejt paqes në Ukrainë, teksa nisi vizitën treditore në Pekin.

Duke folur në një mbledhje të komunitetit francez në Pekin, para takimit me udhëheqësin kinez, Xi Jinping, Macron tha se Franca po kërkon të punojë me Kinën "në këtë përgjegjësi të përbashkët për paqen dhe stabilitetin" në Ukrainë.

Veç Macronit, në takimin e nesërm me Xi do të marrë pjesë edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Ata pritet të takojnë edhe kryeministrin kinez, Li Qiang, ndërsa mbrëmjen e 6 prillit do të marrin pjesë në një darkë shtetërore.

Diskutimet midis Macron, Xi dhe Von der Leyen do të fokusohen kryesisht në tregti, luftën në Ukrainë dhe ndryshimet klimatike.

Zyrtarët kinezë përgatiten përpara arritjes së presidentit Emmanuel Macron në Aeroportin Ndërkombëtar të Pekinit. 5 prill 2023.
Zyrtarët kinezë përgatiten përpara arritjes së presidentit Emmanuel Macron në Aeroportin Ndërkombëtar të Pekinit. 5 prill 2023.

Dje, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, kritikoi Kinën për mbështetjen e Rusisë gjatë kohës së pushtimit të paprovokuar të Ukrainës dhe e quajti atë “një shkelje flagrante” të angazhimeve të Pekinit ndaj Kombeve të Bashkuara.

Ndërsa Von der Leyen, e paralajmëroi në fund të marsit Pekinin se qasja e tyre ndaj pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Rusia do të jetë faktor vendimtar në formësimin e marrëdhënieve mes Kinës dhe Evropës.

Edhe pse Pekini thotë se mban qëndrim neutral ndaj luftës në Ukrainë, vizita e Xi me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë dy javë më parë dërgoi një mesazh partneriteti mes dy vendeve.

Në vitin 2022, Kina ishte partneri i tretë më i madh i BE-së në eksportet e mallrave dhe partneri më i madh për importet e BE-së.

XS
SM
MD
LG