Ndërlidhjet

BE: KOSTT dhe Elektrosever arrijnë marrëveshje për rrymën në veri


Nënstacioni elektrik i Vallaçit që gjendet në veri të Kosovës. Fotografi nga arkivi.
Nënstacioni elektrik i Vallaçit që gjendet në veri të Kosovës. Fotografi nga arkivi.

Bashkimi Evropian njoftoi të mërkurën se Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe kompania serbe, Elektrosever, në Mitrovicën e Veriut, kanë arritur marrëveshje teknike për zbatimin e Udhërrëfyesit për Marrëveshjen për Energjinë midis Kosovës dhe Serbisë.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, sipas BE-së, Elektrosever ka dorëzuar te KOSTT-i të dhënat e konsumatorëve në veri, ashtu siç parashihet edhe me Udhërrëfyes.

BE-ja tha se marrëveshja është arritur nën ndërmjetësimin e saj, pasi Kosova ka nisur procedurat për t’i hequr licencën kompanisë serbe, Elektrosever, për shkak të mospërmbushjes së kritereve të parapara me Udhërrëfyes.

“BE-ja ishte njoftuar nga ana e Kosovës për inicimin e fazës 15-ditore të konsultimeve, sipas nenit 8 të Udhërrëfyesit, të ndërmjetësuar nga BE-ja. Si rezultat i ndërmjetësimit të BE-së, më 18 tetor, KOSTT dhe Elektrosever kanë finalizuar dhe nënshkruar marrëveshjen e standardeve teknike, sipas nenit 3 të Udhërrëfyesit. Të njëjtën ditë, Elektrosever-i ka dorëzuar të dhënat e konsumatorëve, sipas nenit 2 të Udhërrëfyesit”, tha për Radion Evropa e Lirë një zëdhënës i BE-së.

Sipas nenit 8 të Udhërrëfyesit, nëse Elektrosever nuk do t'i përmbushte kriteret e parapara me Udhërrëfyesin 100 ditë pas marrjes së licencës - gjë që edhe ka ndodhur - atëherë do të zhvilloheshin konsultime 15-ditore nën ndërmjetësimin e BE-së, dhe pas kësaj periudhe, Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE) do të mund të vendoste për pezullimin apo tërheqjen e licencës për Elektrosever-in.

Blloku evropian ka bërë thirrje që palët t'i zbatojnë pa vonesa të gjitha obligimet që dalin nga Udhërrëfyesi, pasi me afrimin e stinës së dimrit, sipas BE-së, nuk ka kohë për të humbur.

“Ne vazhdojmë t’u bëjmë thirrje të gjithë pjesëmarrësve të rëndësishëm që të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe t'i zbatojnë pa vonesa të reja obligimet e tyre që kanë mbetur nga Udhërrëfyesi”, u tha në përgjigjen e zëdhënësit të BE-së dërguar REL-it.

Më 21 qershor, Kosova dhe Serbia nënshkruan Udhërrëfyesin për zbatimin e Marrëveshjes së Energjisë, që ishte arritur më 2013 në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.

Më 24 qershor, kompania serbe Elektrosever është licencuar nga ZRRE-ja për furnizimin me rrymë të qytetarëve të katër komunave të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës, si dhe për faturimin e tyre.

Por, pala kosovare ka thënë se kjo kompani nuk i ka plotësuar kushtet e dala nga Udhërrëfyesi, që do t’i mundësonin operimin në tregun e Kosovës.

BE-ja ka shprehur shqetësim për ritmin e ngadalshëm të zbatimit të Udhërrëfyesit për energji, që kërcënonte edhe ta dështonte plotësisht marrëveshjen.

Udhërrëfyesi për energjinë, por edhe pajtimi midis Kosovës dhe Serbisë që qytetarët e dy shteteve të udhëtojnë vetëm me letërnjoftim – pa dokumente shtesë – përmenden si sukseset më të mëdha të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja në këta dy muajt e fundit.

Burimet diplomatike i thanë REL-it se vizita e fundit në Kosovë dhe Serbi e të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, krahas temave të tjera, kishte për qëllim t'i bindte palët që të zbatonin pa vonesa Marrëveshjen për Energjinë.

Lajçak u takua me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, më 13 tetor, dhe katër ditë më vonë u takua me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Pas takimit me liderin serb, Lajçak deklaroi se çështja e energjisë kërkon “zgjidhje urgjente”.

XS
SM
MD
LG