Ndërlidhjet

Aktivistja iraniane dënohet me tre vjet burgim për pjesëmarrje në koncert


Maryam Karimbeigi, dhe e ëma e saj Shahnaz Akmali.
Maryam Karimbeigi, dhe e ëma e saj Shahnaz Akmali.

Aktivistja iraniane për të drejtat e njeriut Maryam Karimbeigi është dënuar me tre vjet e shtatë muaj burgim për shkak se mori pjesë në një koncert të këngëtarit të famshëm iranian, Ebi në Turqi.

Amir Raisian, avokati i Karimbeigi, deklaroi më 1 gusht se Gjykata Revolucionare Islamike e Teheranit dha së fundmi dënimin për akuzën e "komplotit dhe bashkëpunimit me qëllim të kryerjes së një krimi kundër sigurisë kombëtare".

Ajo u dënua gjithashtu me një vit burgim për veprën penale "propagandë kundër sistemit", ndërsa për akuzën e "posedimit të pijeve alkoolike" ajo u dënua me një vit burgim, gjobë dhe 74 goditje me kamxhik. Sipas ligjit iranian, ajo do të kryejë vetëm dënimin më të rëndë.

Karimbeigi, vëllai i së cilës, Mostafa Karimbeigi, u vra gjatë protestave që shpërthyen pas zgjedhjeve të diskutueshme presidenciale të qershorit 2009, u arrestua më 14 qershor.

Dikur Karimbeigi shkroi në rrjetet sociale se ishte ëndrra e saj të merrte pjesë në një koncert të këngëtarit Ebi dhe ishte e ftuar nga vetë këngëtari në një organizim në Turqi. Një fotografi nga prapaskenat e atij koncerti, të cilën ajo e postoi në rrjetet sociale, u përdor më pas kundër saj, me autoritetet që thanë se ajo kishte vepruar kundër sigurisë kombëtare.

Karimbeigi dhe nëna e saj, Shahnaz Akmali, u bënë aktiviste të të drejtave për të vrarët gjatë protestave paqësore në Iran që kur Mostafa Karimbeigi u qëllua dhe u vra nga forcat iraniane të sigurisë gjatë protestave masive që përfshinë vendin pas zgjedhjeve të diskutueshme presidenciale të vitit 2009.

Në prill, Karimbeigi u thirr në zyrën e sigurisë në Universitetin Islamik Azad, Dega e Shkencës dhe Kërkimit, për të dhënë një shpjegim zyrtar pasi ajo u përjashtua nga shkolla ndërsa studionte për master në Sociologji.

Shahnaz Akmali u dënua gjithashtu në tetor 2019 me një vit burgim dhe u ndalua të postonte në mediat sociale dhe të largohej nga Irani.

XS
SM
MD
LG