Ndërlidhjet

Qeveria me masa emergjente për energji


Termocentrali në Obiliq. Fotografi nga arkivi.
Termocentrali në Obiliq. Fotografi nga arkivi.

Për shkak të krizës energjetike në botë dhe rritjes së çmimit të importit, Qeveria e Kosovës tha se ka miratuar masa emergjente për furnizim me energji elektrike.

Sipas Qeverisë, masat e ndërmarra kanë për qëllim që të sigurojnë ngrohje gjatë stinës së dimrit.

“Masa mbështetëse për qytetarët me qëllim të sigurimit të ngrohjes gjatë dimrit; Ndalimin e përdorimit të energjisë elektrike për mihjen e kriptovalutave; Mbështetjen e Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) për të ndërmarrë veprimet e nevojshme në funksion të ruajtjes së sigurisë së sistemit elektro-energjetik; dhe Masa në kursimin e konsumit të energjisë elektrike nga të gjitha institucionet”, janë masat që janë ndërmarrë nga Qeveria, sipas njoftimit për media.

Masat e ndërmarra do të mbesin në fuqi për 60 ditë, pasi të miratohen nga Kuvendi i Kosovës. Ato mund të zgjaten deri në 180 ditë, me vendimin e deputetëve.

Kosova prodhon mbi 90 për qind të energjisë elektrike përmes termocentraleve Kosova A dhe B. Pjesa tjetër prodhohet përmes burimeve të ripërtërishme, sikurse panelet diellore dhe energjia me erë.

Pavarësisht se Kosova A dhe B konsiderohen se janë termocentrale të stërvjetëruara, Qeveria tha se ato po funksionojnë mbi 80 për qind të kapacitetit dhe riparimet e parapara në to pritet që të mundësojnë që të mbahet kjo përqindje e prodhimit të energjisë përmes thëngjillit.

Për shkak të situatës në sektorin e energjisë, Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) e Qeverisë amerikane, më herët gjatë këtij muaji ka nënshkruar një marrëveshje me Kosovën në vlerë prej 236.7 milionë dollarësh, që mëton të forcojë pavarësinë energjetike të vendit.


Programi kompakt i MCC-së, parasheh që përmes baterive të fuqishme të mundësohet akumulimi i energjisë së prodhuar, në mënyrë që të përdoret kur kërkesa, por edhe çmimet e eksportit janë më të larta.

Sipas zyrtarëve në Kosovë, marrëveshja me MCC-në pritet të nisë së zbatuara 18 ose 24 muaj më vonë.

XS
SM
MD
LG