Ndërlidhjet

Masa të rrepta kundër ngacmuesve të grave në rrugë


Një burrë taxhik në Dushanbe është dënuar me punë për komunitetin pasi është kapur duke bërë komente të papërshtatshme ndaj grave.

Gratë janë mësuar të ngacmohen nga burra të huaj në rrugët e Dushanbesë:

“Po kërkon nëna juaj dhëndër”?

“Unë jam i pagojë”.

“Hej, 100 dollarë vajzë”.

Këto mund të shkojnë nga “komplimente” të padëshirueshme deri te ofendime personale apo sulme fizike. Në asnjërin rast nuk janë të mirëpritura.

Duke vepruar pas ankesave, policia në kryeqytetin e Taxhikistanit ka përgatitur masa të rrepta ndaj ngacmuesve, në mënyrë që ata t’i mbajnë komentet për vete.

Ngacmuesit mund të përballen me dy javë burgim, shërbim për komunitetin dhe publikimin e fotografive të tyre në ueb-faqet e policisë si paralajmërim për të tjerët.

Me një gjë të tillë tashmë është përballur Muhammadjon Qurbonov. Qurbonov, tregtar, e ka quajtur një vajzë 19 vjeçe, Anisa Ibrohimova, “vajzë 100-dollarëshe” – zhargon për prostitutën.

Ibrohimova thotë se është përballur me Qurbonovin, duke i thënë atij se nuk ka të drejtë ta thotë këtë.

“Ai më tha ‘shporru’ dhe më shtyu”, rrëfen Ibrohimova për Radion Evropa e Lirë. Ajo ka arritur ta regjistrojë pjesërisht incidentin në telefonin e saj celular dhe ia ka dorëzuar policisë.

Një gjykatë në Dushanbe e ka dënuar këtë muaj Qurbonovin, 21 vjeç, me pesë ditë burgim dhe punë në komunitet, për shkak të sjelljes së papërshtatshme.

Fotografitë e Qurbonovit duke pastruar rrugë dhe duke ngjyrosur muret e një ndërtese të vjetër janë publikuar në faqen e internetit të departamentit të policisë në Dushanbe. Zyrtarët thonë se e bëjnë një gjë të tillë për t'i "bërë të tjerët të mendojnë dy herë përpara se të ngacmojnë”.

"Qytetarët, sidomos të rinjtë, do t’i shohin fotografitë e shkelësve duke larë dysheme dhe ngjyrosur mure ", thotë Nusratullo Saidzoda, zëdhënës i Ministrisë së Brendshme, e cila mbikëqyr policinë në Taxhikistan.

"Fotot kanë për qëllim t’i bëjnë njerëzit e tjerë të mendojnë për pasojat", thotë Saidzoda për Shërbimin e Taxhikistanit të Radios Evropa e Lirë.

Autoritetet e qytetit Dushanbe krijuan një grup të posaçëm për të trajtuar ankesat e grave lidhur me ngacmimet në rrugë, pasi një grup i grave u kërkoi zyrtarëve qysh në korrik të zgjidhnin problemin.

Policia thotë se 2,700 kamerat nëpër qytet i ndihmojnë autoritetet t’i monitorojnë sjelljet e këqija nga burrat.

Aktivistja e të drejtave të grave, Hilola Nazarova, i përshëndet masat kundër ngacmimeve në rrugë, duke thënë se ato do të ndihmojnë në ndryshimin e qëndrimeve.

"Shpërndarja e këtyre fotografive në internet do të ketë patjetër një ndikim. Njerëzit shohin se ka dënim për sjellje të keqe", thotë Nazarova për Radion Evropa e Lirë.

Nazarova thotë se gratë shpesh u nënshtrohen komenteve nga të panjohur në rrugë, teksa janë duke përdorur transportin publik apo bërë pazaret, duke i bërë ato të ndjehen jorehat dhe të pasigurta.

”Kompliment”

Disa i shohin komentet e tyre si "të pafajshme", thotë Behruz, një student, i cili foli me Radion Evropa e Lirë me kusht që emri i tij i plotë të mos përdoret.

"Unë nuk e dija se ishte krim, ishte thjesht një kompliment, një koment i pafajshëm rreth palltos së mirë të dikujt, për shembull”, thotë Behruz.

"Nuk e shoh si një punë të madhe nëse dikush më thotë se ngjyra e këmishës më shkon mirë”, thotë Behruz.

Shumë gra, megjithatë, thonë se komentet e padëshiruara janë të papranueshme dhe shpesh janë ngacmime seksuale, të bazuara në gjini.

Ibrohimova, viktimë e ngacmimit, thotë se ishte një përvojë e "dhimbshme".

"Shpesh shoh në rrugë të rinj që u thonë grave gjëra jashtëzakonisht të papërshtatshme . Kjo duhet të ndalet", thotë Ibrohimova.

Autoritetet e Dushanbesë thonë se duan të nxisin sjellje më të respektueshme mes banorëve të qytetit. Në janar, kryetari i bashkisë ka lëshuar një dekret duke krijuar grupe të posaçme për të promovuar qytetari të mirë dhe për të rritur ndërgjegjësimin e njerëzve për të drejtat e tyre.

Pavarësisht nga përpjekjet e fundit, policia e qytetit thotë se ka marrë rreth 10 ankesa nga gratë, lidhur me ngacmimet në rrugë, vetëm gjatë dy javëve të fundit.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG