Ndërlidhjet

SHBA: Mizoritë në Reçak janë të dokumentuara mirë


Disa persona vizitojnë memoralin kushtuar viktimave të Masakrës së Reçakut. Fotografi nga arkivi.
Disa persona vizitojnë memoralin kushtuar viktimave të Masakrës së Reçakut. Fotografi nga arkivi.

Departamenti amerikan i Shtetit, në përgjigje të deklaratave të ministrit serb, Alleksandar Vullin, tha se “mizoritë që kanë ndodhur në Reçak në janar të vitit 1999, përfshirë masakrën e civilëve, janë të dokumentuara mirë”.

“Mohimi i këtyre fakteve themelore dhe madhërimi i krimeve të luftës sjellin dhimbje për të mbijetuarit, çnderojnë viktimat dhe mbajnë gjallë ndarjet që vazhdojnë të pengojnë pajtimin e qëndrueshëm, paqen dhe prosperitetin për Ballkanin Perëndimor”, thuhet në deklaratën e Departamentit amerikan të Shtetit dhënë për Radion Evropa e Lirë.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Alleksandar Vullin, deklaroi më 10 dhjetor se Masakra e Reçakut, ishte një “gënjeshtër të madhe dhe një falsifikim i tmerrshëm”.

“Agresioni i NATO-s filloi pas një gënjeshtre të tmerrshme për Reçakun. Në atë kohë, ne nuk ishim as të aftë e as të zgjuar për t’i treguar të gjithë botës se çfarë gënjeshtre e tmerrshme ishte”, citohet të ketë thënë Vullin.

Më 15 janar të vitit 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe në Kosovë vranë 45 civilë shqiptarë në fshatin Reçak në Komunën e Shtimes.

Krimet e kryera në këtë fshat i kishte dokumentuar kreu i atëhershëm i misionit vëzhgues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, William Walker.

Ngjarja e Reçakut u pasua nga bombardimet e NATO-s mbi caqet serbe në Kosovë si dhe në Serbi.

Vullin ka mohuar disa herë në të kaluarën Masakrën e Reçakut, duke e quajtur këtë masakër si një “krim të fabrikuar”.

XS
SM
MD
LG