Ndërlidhjet

Me çfarë akuzash mund të përballet Trump?


Ish-presidenti amerikan, Donald Trump. Fotografi nga arkivi.
Ish-presidenti amerikan, Donald Trump. Fotografi nga arkivi.
Reuters

Një komitet i Kongresit të Shteteve të Bashkuara, që po heton dhunën e 6 janarit, 2021, në ndërtesën e Kongresit amerikan, po përpiqet të ndërtojë një rast kundër presidentit të atëhershëm, Donald Trump, për, siç thuhet, sjellje të paligjshme. Thuhet se Trump ka bërë përpjekje të përmbysë humbjen e tij në zgjedhjet e vitit 2020. Por, çfarë akuzash mund të ngrenë prokurorët kundër tij dhe si mund të mbrohet ai?

Pengimi i një procedure zyrtare

Në një dosje, të dorëzuar në gjykatë më 2 mars, komiteti ka përshkruar në detaje përpjekjet e Trumpit për të bindur nënpresidentin e atëhershëm amerikan, Mike Pence, që të refuzojë listën e zgjedhësve të Joe Bidenit, i cili i ka fituar zgjedhjet, ose të shtyjë numërimin e atyre votave në Kongres.

Përpjekjet e presidentit mund të shkelin një ligj federal, që e bën të paligjshëm pengimin e çdo procedure zyrtare, ose tentimin për ta bërë atë, thotë David Carter, gjykatës federal i Kalifornisë, i cili mbikëqyr rastin.

Cassidy Hutchinson, ndihmëse e shefit të atëhershëm të personelit të Shtëpisë së Bardhë, Mark Meadows, ka thënë se Trump i ka shpërfillur shqetësimet se disa mbështetës të mbledhur për fjalimin e tij jashtë Shtëpisë së Bardhë, më 6 janar, kanë pasur pushkë të llojit AR-15.

Gjatë dëshmisë së saj, ajo ka thënë se Trump ka kërkuar të dërgohet në Kongres, për t’iu bashkuar mbështetësve të tij, që më pas janë futur dhunshëm në ndërtesën e institucionit ligjvënës, dhe se ka bërë përpjekje të kapë timonin kur sigurimi i tij ka insistuar që ta kthejë në Shtëpinë e Bardhë.

Hutchinson ka thënë se biseda i është transmetuar nga Tony Ornato, një zyrtar i lartë i Shërbimit Sekret, i cili ka qenë zëvendësshef i shtabit për operacione në administratën Trump.

Ilya Somin, profesor i së drejtës në Universitetin George Mason, thotë se dëshmia “mund t’i rrisë shanset për të paditur dhe dënuar Trumpin”.

Trump e ka hedhur poshtë dëshminë e Hutchinsonit përmes një deklarate të postuar në aplikacionin e tij të mediave sociale, Truth Social. Ai ka thënë se rrëfimi i saj për rrëmbimin e timonit është “i rremë” dhe “mashtrues”. Trump, po ashtu, ka akuzuar komitetin për “hetime të rreme”.

New York Times dhe NBC, duke cituar burime në Shërbimin Sekret, kanë thënë se kreu i sigurimit të Trumpit, Robert Engel, dhe shoferi i limuzinës janë të gatshëm të dëshmojnë se Trump nuk ka bërë përpjekje për të marrë timonin.

Konspiracion për të mashtruar Shtetet e Bashkuara

Në dosjen e 2 marsit, komiteti ka thënë se ka të ngjarë që Trump dhe të tjerë të kenë bërë komplot për të mashtruar Shtetet e Bashkuara. Kjo është një përpjekje e ndëshkueshme nga dy ose më shumë persona për të ndërhyrë në funksionet qeveritare “me mashtrim ose mjeshtëri”.

Përveç përpjekjeve të Trumpit për t’i bërë presion zëvendësit të tij të atëhershëm, Pence, komiteti ka përmendur edhe përpjekjet e tij për t’i bindur zyrtarët e zgjedhjeve, publikun dhe anëtarët e Kongresit se zgjedhjet e vitit 2020 janë vjedhur - edhe pse disa nga aleatët e tij i kanë thënë se nuk ka prova për mashtrim.

Sipas dëshmisë së Hutchinsonit, Trump është zemëruar shumë nga një intervistë e prokurorit të atëhershëm, Bill Barr, për AP-në - në të cilën ka thënë se nuk ka prova për mashtrime në zgjedhje - saqë ka përplasur drekën e tij për mur dhe ka thyer një enë porcelani.

Komplot për kryengritje

Prokurorët kanë akuzuar tashmë dhjetëra anëtarë të grupeve të ekstremit të djathtë “Proud Boys” dhe “Oath Keepers”, të cilët kanë marrë pjesë në trazirat e 6 janarit, për komplot për kryengritje. Përpjekja për të përmbysur Qeverinë amerikane me forcë është e paligjshme.

Për ta provuar një akuzë të tillë kundër Trumpit, prokurorët duhet të tregojnë se ai ka bërë konspiracion me të tjerë për të përdorur forcën, thotë Barbara McQuade, profesoreshë e së drejtës në Universitetin e Miçigenit dhe ish-prokurore federale.

Pengimi i drejtësisë

Në fund të dëshmisë së Hutchinsonit, përfaqësuesja republikane, Liz Cheney, ka paraqitur disa prova të mundshme të ndërhyrjes së dëshmitarëve dhe pengimit të drejtësisë.

Cheney ka treguar disa mesazhe në adresë të dëshmitarëve të paidentifikuar, që iu thoshin se një person i paidentifikuar do të përcjellë nga afër dëshmitë e tyre dhe se nga ta pret besnikëri.

Nëse komiteti ka prova se njerëzit që i kanë dërguar këto mesazhe, kanë pasur një “mirëkuptim të heshtur” me Trumpin, atëherë prokurorët mund t’i përdorin ato për të dëshmuar se ka pasur komplot për të manipuluar dëshmitarët, thotë Daniel Medwed, profesor i së drejtës në Universitetin Northeastern në Boston.

Mbrojtja e Trumpit

Trump vazhdimisht ka mohuar se ka bërë ndonjë gjë të paligjshme, në lidhje me ngjarjet e 6 janarit.

Nëse Departamenti i Drejtësisë ngre akuza, sfidë kryesore e prokurorëve do të jetë vërtetimi se Trump ka vepruar me qëllime degjeneruese, thonë ekspertët.

Trump mund të argumentojë se ai sinqerisht ka besuar se i ka fituar zgjedhjet dhe se përpjekjet e tij për të ushtruar presion mbi Pence dhe zyrtarët tjerë të zgjedhjeve, nuk kanë pasur për qëllim të pengojnë Kongresin ose të mashtrojnë Shtetet e Bashkuara, por të mbrojnë integritetin e zgjedhjeve.

Dëshmia e Hutchinsonit mund ta bëjë më të vështirë situatën për Trumpin, thotë Medwed.

“Dëshmia ofron prova të fuqishme rrethanore se qëllim i tij ka qenë t’i bëjë ato gjëra”, thotë ai.

A do të thotë kjo se Trump do të akuzohet?

Jo. As Carter, as komiteti nuk mund ta akuzojnë Trumpin për krime federale. Ky vendim duhet të merret nga Departamenti i Drejtësisë, i cili udhëhiqet nga prokurori i përgjithshëm, Merrick Garland.

Departamenti po kryen hetimet e tij për ngjarjet e 6 janarit, por nuk ka dhënë sinjale nëse synon ta padisë Trumpin ose jo. Vendimi për ta paditur mund të ketë pasoja të mëdha politike derisa Trump po peshon kandidimin në zgjedhjet presidenciale në vitin 2024. Departamenti nuk i është përgjigjur kërkesës për komente.

XS
SM
MD
LG