Ndërlidhjet

Situata me meningjitin: Mjekët thonë se s’ka vend për shqetësim


Klinika Infektive në Prishtinë - Fotografi nga arkivi.

“Ethe dhe dhimbje koke janë simptomat e para që i kemi vërejtur te fëmija ynë. Nuk e dimë se prej çka është infektuar”.

Kështu thotë për Radion Evropa e Lirë një prind, fëmija i të cilit qëndroi më shumë se katër ditë i shtrirë në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), në Prishtinë, pas diagnostikimit me meningjit viral.

“Me rekomandimin e mjekëve është liruar nga spitali dhe tani kontrollet mjekësore do të bëhen ashtu siç na është thënë”, pohon ky prind, duke folur në kushte anonimiteti.

Meningjiti, apo pezmatimi i cipave të trurit, sipas mjekëve, është një prej sëmundjeve shumë të rënda, sidomos te fëmijët.

Shkaktar i sindromës meningjeale janë infeksionet bakteriale ose virale. Rrugë e përhapjes së infeksionit, sipas mjekëve, mund të jenë pishinat, vendet e freskimit, kontakti dhe uji i kontaminuar.

Si manifestohet meningjiti?

Disa nga simptomat e sëmundjes janë të ngjashme me ato të një gripi normal, por që rëndohen për një kohë shumë të shkurtër.

Meningjiti mund të shfaqet menjëherë, ose 3 deri në 7 ditë pas marrjes së infeksionit. Simptomat e sëmundjes përfshijnë të vjella, marramendje, temperaturë të lartë të trupit, dhimbje të muskujve, ndjeshmëri ndaj dritës, dhimbje të kokës, konfuzion, gjymtyrë të ftohta dhe skuqje të lëkurës.

Te fëmijët mund të ketë edhe simptoma tjera, si frymëmarrja e shpejtuar, irritimi, të qarat për një kohë të gjatë, humbja e përqendrimit dhe mungesa e oreksit.

Autoritetet shëndetësore bënë të ditur se së fundmi janë rritur rastet me meningjit. Por, infektologët thonë se janë të përgatitur që t’i trajtojnë ato.

“Vërehet rritje e numrit të pacientëve, krahasuar me muajt paraprakë, por situata është nën kontroll të plotë dhe Klinika Infektive ka kapacitete të mjaftueshme profesionale dhe hapësinore për të trajtuar pacientët”, thotë drejtori i Infektivës, Arben Vishaj, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.

Sipas Vishajt, “nuk është ndonjë situatë që shkakton problem për shëndetin publik”.
Në Klinikën Infektive të QKUK-së, nga muaji korrik i këtij viti, e deri më 17 gusht, janë trajtuar 45 pacientë me meningjit. Në periudhën e mëhershme, janë trajtuar edhe 20 raste.

Ku mund të haset meningjiti viral?

Infektologu Vishaj tregon se meningjiti viral, i cili është duke qarkulluar aktualisht, paraqitet në mot me temperatura të larta, të cilat ndikojnë në kontaminimin e ushqimeve dhe të ujit.

“Në verë, kur rriten temperaturat, ekziston mundësia e kontaminimit të ushqimit dhe ujit, dhe e paraqitjes së një virusi. Dhe, pastaj, prania e virusit në gjak mund të çojë në përhapjen e viruseve edhe në cipat e trurit, duke shkaktuar një formë klinike, që ne e quajmë meningjit, që është një ndezje e cipave të trurit”, shpjegon Vishaj.

Ndërkaq, meningjiti bakterial është një problematikë tjetër, me praninë e baktereve në fyt, thotë Vishaj.

“Për shembull, te meningjiti meningo-koksik, një prani e baktereve në fyt mund të çojë në përhapjen e bakterit në vrushkujt e gjakut, dhe për pasojë shkaktohet një gjendje septike, që mund të shkaktojë edhe meningjit që mund të ketë formë të rëndë klinike”, tregon Vishaj.

Sipas tij, qytetarët duhet të kenë kujdes kryesisht në konsumimin e ushqimeve, veçanërisht ato që ofrohen në lokale të ndryshme nga skara.

“Ushqim i papërpunuar mirë do të ishte mishi, i cili paraprakisht është pjekur vetëm në pjesët anësore dhe jo në brendi. Kryesisht ushqimet nga skara, të papërpunuara. Pastaj, ushqimet e përpunuara mirë, por që nuk janë ruajtur në kushte të mira, në temperatura të duhura”, pohon Vishaj.

Nevoja për shtim të vigjilencës

Me qëllim ruajtjen e shëndetit publik dhe parandalimin e infeksioneve të ndryshme gjatë stinës së verës, dhe në veçanti parandalimin e infeksioneve, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka rekomanduar rritjen e vigjilencës.

Nga IKSHPK-ja thonë se, marrë parasysh faktin se është rritur numri i rasteve të raportuara me sindromën meningjeale gjatë muajve korrik dhe gusht, kanë dhënë disa rekomandime për institucionet dhe për qytetarët.

“Kontrollimi dhe klorizimi i ujit për pije duhet të jetë i vazhdueshëm. Kontrollimi dhe klorizimi i ujit të pishinave duhet të jetë i përhershëm, pastaj mirëmbajtja dhe pastrimi i rregullt i pishinave familjare”, pohon zëdhënësja e IKSHPK-së, Era Pireva, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.

Nga IKSHPK-ja shtojnë se në rast të epidemisë apo rrezikut të shfaqjes së saj, raportimi i sëmundjes dhe hulumtimi janë të obligueshme, ndërsa konfirmimi laboratorik dhe njohja e shkaktarit janë të domosdoshme.

XS
SM
MD
LG