Ndërlidhjet

Mësimdhënësve grevistë u dalin pagat e shtatorit


Shkolla Fillore "Faik Konica" në Prishtinë.
Shkolla Fillore "Faik Konica" në Prishtinë.

Sindikalistëve të arsimit të premten u janë ekzekutuar pagat për muajin shtator.

"Pas konfirmimit të listave nga komunat, Thesari sot ka ekzekutuar pagesën e paradhënies për orët e muajit shtator që do të zëvendësohen sipas kalendarit të ri të mësimit, të miratuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit", shkroi ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Sindikalistët e arsimit kishin qenë në grevë nga 25 gushti deri më 1 tetor.

Më herët gjatë javës, nga sindikata e arsimit, thanë për Radion Evropa e Lirë se pagat ishin ekzekutuar për shërbyesit civilë –të cilët po ashtu ishin në grevë – por, jo për punonjësit e arsimit.

Greva në sektorin publik të Kosovës u pezullua deri në janar të vitit 2023, por sindikalistët kanë thënë se nuk heqin dorë nga kërkesat e tyre. Në grevë nga 25 gushti ishin punëtorët e administratës publike në nivel lokal dhe qendror, së bashku me punëtorët e arsimit.

Sindikalistët kërkuan nga 100 euro për punëtor për çdo muaj deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për paga.

Por, Qeveria publikoi një pako për ndihmë për shkak të rritjes së inflacionit dhe në të u parapa 50 euro për të gjithë punëtorët e sektorit publik.

Qeveria së fundmi ka hartuar Projektligjin për paga dhe i njëjti është në procedura të konsultimeve publike. Ai më pas duhet të miratohet në Qeveri dhe Kuvend, e më pas të publikohet në Gazetën Zyrtare. Tetë muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare, ky legjislacion pritet të hyjë në fuqi.

XS
SM
MD
LG