Ndërlidhjet

Murati: Për pesë ditë në grevë, rreth 90 euro më pak në rrogë


Ministri i Financave dhe Transfereve në Qeverinë e Kosovës, Hekuran Murati. Fotografi nga arkivi.
Ministri i Financave dhe Transfereve në Qeverinë e Kosovës, Hekuran Murati. Fotografi nga arkivi.

Punëtorët e sektorit publik që janë në grevë, nuk do marrin pagën e plotë nga Qeveria e Kosovës, ka thënë Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

“Për 5 ditë pune i bie rreth 90 euro minus këtë muaj [në pagë]”, tha Murati më 29 gusht, gjatë një konference për media.

Nga e enjtja e 25 gushtit, në grevë janë mësimdhënësit, edukatorët në kopshtet publike, shërbyesit civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës.

Kërkesa kryesore e sindikatave të këtyre punëtorëve, drejtuar Qeverisë së Kosovës, është ndarja e nga 100 eurove për punëtorët, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për pagat.

Murati tha se praktikat dhe konventat ndërkombëtare nuk e oblikojnë punëdhënësin të paguaj grevistët për atë kohë sa ata janë në grevë.

“Kur punëtorët hyjnë në grëvë, grevistët mbulohen [kompensohen] nga sindikata”, tha ai.

“Në pesë vitet e fundit, nga Thesari i Kosovës, rreth 3.2 milionë euro është shuma e mjeteve që u janë ndalë nga paga punëtorëve të arsimit [në emër të anëtarësisë] me urdhër të Sindikatës se Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK) dhe janë bartur në llogari të kësaj sindikate”, tha Murati.

Greva është organizuar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj për të marrë qëndrimin e sindikatës për deklaratat e ministrit Murati, por ai nuk i është përgjigjur thirrjeve telefonike.

Ali Gashi, nënkryetar i këshillit grevist i tha më herët Radios Evropa e Lirë se greva do vazhdojë deri në realizimin e kërkesave të sindikalistëve.

“BSPK-ja është jashtëzakonisht e interesuar që të negociojë me zyrtarët e Qeverisë. Prandaj, i bëjmë apel ekzekutivit që të reflektojë që të gjendet një zgjidhje për të dyja palët ”, tha ai.

Gashi tha se nëse Qeveria nuk reflekton, greva nuk do të ndërpritet dhe nxënësit nuk do të fillojnë vitin e ri shkollor, që duhet të nisë më 1 shtator.

BSPK-ja përmes një komunikate për media më 26 gusht i ka quajtur kërcënime deklaratat e sekretarit të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Enis Spahiu, se nëse edhe për një orë një zyrtar është në grevë, ai nuk do të paguhet për atë orë.

Në Ligjin për greva të Kosovës thuhet se ‘organizatat sindikale, apo gjysma e të punësuarve të një organizate të caktuar punuese, ku nuk ka organizim sindikal, kanë të drejtë të organizojnë greva, për t’i mbrojtur interesat e tyre ekonomike, sociale dhe profesionale’.

Neni 18 i Ligjit për greva thotë se gjatë zhvillimit të grevës pezullohen detyrimet që rrjedhin nga kontrata e punës, duke përfshirë të drejtën në pagesë dhe detyrimin e bindjes për të punuar

Por, sipas Ligjit për greva, ndërprerja ose largimi nga marrëdhënia e punës për shkak të pjesëmarrjes në një grevë të ligjshme, është i kundërligjshëm.

XS
SM
MD
LG