Ndërlidhjet

Murati: Është bërë ekzekutim i pjesshëm i pagave


Ministri i Financave në Qeverinë e Kosovës, Hekuran Murati.

Ministri i Financave në Qeverinë e Kosovës, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se autoritetet kompetente kanë bërë ekzekutim të pjesshëm të pagave për muajin gusht, për shkak se nuk është përditësuar me kohë lista e personelit që ka punuar deri në fund të muajit.

Ai ka thënë se ky përditësim i listës së pagave është i nevojshëm pas grevës që kanë nisur Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) dhe Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK) më 25 gusht.

Nga ajo ditë, në grevë janë mësimdhënës, edukatorë në kopshtet publike, shërbyes civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës.

Kërkesa kryesore e sindikatave të këtyre punëtorëve drejtuar Qeverisë së Kosovës, është ndarja e nga 100 eurove për punëtorët, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për pagat.

“Janë procesuar vetëm pagat për organizatat buxhetore (siç janë komunat) që kanë arritur të kompletojnë me kohë listat e pagave”, ka thënë Murati në një konferencë për media.

Murati ka thënë se nuk është kërkuar lista e punëtorëve që kanë qenë në grevë.

“Ne çfarë kemi kërkuar është që të na paraqiten listat e atyre që janë duke punuar, gjë që është e nevojshme dhe parashihet me të gjitha ligjet në fuqi”.

Murati ka thënë se përditësimi i listave ka qenë i nevojshëm, sepse në bazë të informatave në terren shumë mësimdhënës nuk janë në grevë, duke kundërshtuar kështu deklarimet e SBASHK-ut se të gjithë anëtarët e saj janë në grevë.

'Pres që mësimdhënësit të nisin punën më 1 shtator'

Ministri Murati ka thënë se prindërit dhe disa punonjës të arsimit dëshirojnë që mësimi të fillojë më 1 shtator, andaj edhe beson që të gjithë mësimdhënësit do të jenë në vendin e punës.

“Ata janë të vetëdijshëm që çfarëdo greve që mbahet, fillimisht i dëmton nxënësit, të cilët edhe ashtu e kemi parë në testet ndërkombëtare se nuk qëndrojnë mirë, por dëmton financiarisht edhe vetë grevistët që nuk paguhen për ditët që janë në grevë”.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka bërë të ditur se janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor 2022/2023.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit në Kosovë, Rrahman Jasharaj ka thënë më 30 gusht se nisja e vitit të ri shkollor më 1 shtator do t’i gjejë “nxënësit në shtëpi, e mësimdhënësit në grevë”, nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre.

Vetë Murati ka thënë ditë më parë se praktikat dhe konventat ndërkombëtare nuk e obligojnë punëdhënësin të paguajë grevistët për atë kohë sa ata janë në grevë.

BSPK-ja i ka quajtur ditë më parë kërcënime deklaratat nga zyrtarë të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, se grevistët nuk do të paguhen për aq orë sa nuk punojnë.

Në Ligjin për greva në Kosovë thuhet se ‘organizatat sindikale, apo gjysma e të punësuarve të një organizate të caktuar punuese, ku nuk ka organizim sindikal, kanë të drejtë të organizojnë greva, për t’i mbrojtur interesat e tyre ekonomike, sociale dhe profesionale’.

Aty po ashtu përmendet se gjatë zhvillimit të grevës pezullohen detyrimet që rrjedhin nga kontrata e punës, duke përfshirë të drejtën në pagesë dhe detyrimin e bindjes për të punuar, por se ndërprerja ose largimi nga marrëdhënia e punës për shkak të pjesëmarrjes në një grevë të ligjshme, është vendim i kundërligjshëm.

XS
SM
MD
LG