Ndërlidhjet

Lajçak: Avancimi i Kosovës në rrugën evropiane, vetëm përmes BE-së


Lajçak: Nuk e di nëse do të marr pjesë në takimin e 27 qershorit
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:02:05 0:00

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, deklaroi në Prishtinë se nuk e di nëse do të jetë i pranishëm në takimin e 27 qershorit në Uashington, ku do të takohen delegacionet e Kosovës dhe të Serbisë. Ai po ashtu tha se përparimi i Kosovës në rrugën evropian bëhet vetëm përmes BE-së.

Takimi i 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë është paralajmëruar nga i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për negociatat e paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell.

Lajçak tha se bashkëpunimi ndërmjet BE-së dhe SHBA-së ka qenë i vazhdueshëm, por ka vënë pikëpyetje nëse do të jetë i pranishëm në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor.

“Deri sot, nuk e di. Por ajo që di është se Bashkimi Evropian ka punuar shumë afër me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gjithçka që është arritur në dialog, është rezultat i një bashkëpunimi shumë të ngushtë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Do të dëshiroja që të vazhdonim dhe shpresoj që do të kemi komunikim të ngushtë dhe të vazhdueshëm me SHBA-në”, tha Lajçak.

Këtë deklaratë, ai e ka bërë pas takimit me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Lajçak tha se në Kosova ka ardhur në emër të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, i cili, siç tha ai, është shumë serioz kur bëhet fjalë për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Unë pres që këtë proces ta përcjellim me sukses dhe të sjellë sukses, ashtu siç ka filluar nga vitin 2011. Pata një bisedë konkrete me presidentin Thaçi për planin, për elementet, metodologjinë dhe do të vazhdojmë komunikimin tonë gjithashtu edhe me përfaqësuesit tjerë të Kosovës”, tha Lajçak.

Ai shtoi se do të shkojë edhe në Beograd, për të biseduar me autoritetet e atjeshme, në mënyrë që të fillojnë përgatitjet për procesin e dialogut dhe të organizohet së shpejt një takim në Bruksel.

Thaçi: Besojmë në angazhimet e administratës amerikane

Ndërkaq, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se gjatë takimit me Lajçakun, ia ka bërë të qartë pozicionin zyrtar të Kosovës, sa i përket dialogut.

“I konfirmova pozicionin zyrtar të shtetit të Kosovës në këtë proces edhe zotit Lajçak, është se ky proces duhet të fillojë me liberalizimin e vizave, ndërsa duhet të përmbyllet me njohje reciproke mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë. E ardhmja e Kosovës është e sigurt vetëm duke qenë pjesë e perspektivës evropiane, konkrete. Natyrisht që në këtë drejtim ne do të punojmë ngushtë edhe me Shtetet e Bashkuara që të lëvizim më shpejt, më mirë drejt një marrëveshjeje përfundimtare”, tha Thaçi.

Sipas Thaçit, të gjitha përpjekjet që çojnë drejt normalizimit të raporteve me Serbinë, janë të mirëseardhura, duke shtuar se koordinimi mes Shteteve të Bashkuara dhe BE-së mund të sjellë të mira për Kosovën e Serbinë si dhe për tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Ne besojmë në angazhimet e sinqerta të administratës amerikane. Në fund të fundit, për ne është me rëndësi jetike – besoj që edhe do të ndodhë – që edhe SHBA-ja dhe BE-ja do të kenë një koordinim të suksesshëm si partnerë strategjikë, për Kosovën, Serbinë dhe tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Thaçi.

Osmani: S'ka negociata për territorin e Kosovës

Përfaqësuesi i BE-së, Lajçak u takua edhe me kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.

Osmani tha se kishte një takim konstruktiv me të dërguarin e BE-së dhe potencoi që vetëm Qeveria e Kosovës duhet ta përfaqësojë Kosovën në procesin e dialogut.

“Natyrisht që në emër të Kuvendit të Kosovës, shpreha gatishmërinë tonë që si kuvend të luajmë një rol sa më të fuqishëm mbikëqyrës mbi qeverinë e cila është e vetmja që duhet ta përfaqësojë Kosovën në këtë proces në përputhje me Kushtetutën e vendit dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Potencova sërish që presim që ky dialog të jetë mes dy palësh të barabarta dhe se ka kuptim në qoftë se përfundon me njohje të ndërsjellë”, tha Osmani.

Kryeparlamentarja Osmani tha se në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk duhet të diskutohet për territorin e Kosovës. Ajo theksoi se kuvendi tashmë ka miratuar legjislacione që kërkojnë që Kosova në bisedime të mos flasë për territorin dhe sovranitetin.

“Ato përcaktojnë qartë se nuk ka negocim për territorin e Kosovës, nuk ka negocim për sovranitetin e vendit dhe nuk ka negocim të rendit tonë të brendshëm kushtetues. Këto duhet të jenë tri parimet mbi të cilat ndërtohet procesi negociues, përndryshe do të prodhonte një rezultat që do të ishte i paimplementueshëm në terren", tha Osmani.

Ndërkaq, Lajçak tha se ka njoftuar Osmanin për planet që ka BE-ja për dialogun.

“Roli i parlamentit është i pazëvendësueshëm dhe u pajtuam që ky proces të jetë transparent”, u shpreh Lajçak.

Hoti: Të gatshëm për dialog

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, pas takimit me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së, Mirosllav Lajçak, tha se e ka informuar atë për qasjen e qeverisë ndaj dialogut, i cili duhet përfundimisht të përmbyllë një marrëveshje dhe çështjet e hapura që Kosova ka me Serbinë.

Ai tha që dialogu duhet të çojë te njohja reciproke dhe t’i hapë Kosovës perspektivën e integrimeve evropiane.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti. Foto nga arkivi.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti. Foto nga arkivi.

“Kjo marrëveshje është e rëndësishme sigurisht për Kosovën dhe për Serbinë, për qytetarët e të dy vendeve, por është e rëndësishme edhe për gjithë rajonin dhe për stabilitetin e tërësishëm të Bashkimit Evropian. Vendi ynë është brenda BE-së dhe unë jam shumë i kënaqur dhe i inkurajuar me mesazhet që zoti Lajçak na i tregoi dhe i shfaqi para nesh, për përkushtimin e tij për këtë proces, n emër të 27 vendeve të BE-së”, tha Hoti.

Ai shtoi se pret që së bashku me gjithë qeverinë sa më parë të angazhohet në këtë proces, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje paqeje me Serbinë dhe të mbyllet një kapitull i rëndësishëm ndërmjet dy vendeve dhe të sigurohet perspektiva euro-integruese.

“Unë i tregova dhe shfaqa gjithë interesimin dhe gatishmërinë tonë për të hyrë në këtë proces. Jemi përgatitur, e kemi qartësuar platformën tonë, jemi duke zhvilluar konsultime për të përfshirë të gjitha palët dhe të gjitha institucionet, në përputhje me kompetencat që ka secili prej institucioneve të vendit karshi këtij procesi”, theksoi Hoti.

Rruga e Kosovës drejt BE-së, "përmes normalizimit të raporteve me Serbinë"

Pas takimit me kryeministrin Hoti, Lajçak tha se rruga evropiane nuk mund të trasohet nga askush tjetër, pos nga Bashkimi Evropian.

Në këtë drejtim, ai tha se edhe në rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në mënyrë eksplicite thuhet se përparimi i Kosovës drejt BE-së kalon përmes normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

“Dua po ashtu të theksoj se rruga e Kosovës drejt BE-së shkon përmes normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe kjo gjë është thënë edhe në mënyrë eksplicite në rezolutën e vitit 2010 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që është bazë e këtij dialogut. Unë dua që Kosova të përparojë në rrugën evropiane, dhe kjo nuk mund të bëhet nga askush tjetër, pos nga Bashkimi Evropian. Prandaj, BE-ja është e gatshme për të ndihmuar, për të hapur të ardhmen evropiane të Kosovës”, tha Lajçak, duke shtuar se e ka ftuar Hotin për bisedime në Bruksel

Kjo është vizita e parë e Lajçakut në Kosovë, që prej se në prill u emërua i dërguar i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është pezulluar nga nëntori i vitit 2018, kur autoritetet e Kosovës patën vendosur taksë 100 për qind në mallrat e Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës.

Kjo masë u zëvendësuar me reciprocitet, mirëpo qeveria e re e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti ka hequr të gjitha masat, për shkak të siç është shprehur ai, heqjes së të gjitha pengesave për vazhdimin e dialogut me Serbinë.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ka nisur më 2011 në Bruksel. Në tetor të vitit 2019, SHBA-ja emëroi Richard Grenellin, si të dërguarin e tyre për bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG