Ndërlidhjet

Kurti të martën takohet me Lajçakun në Prishtinë


I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një takimi në Prishtinë.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, më 6 dhjetor do të qëndrojë në Prishtinë, ku do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Takimi Kurti-Lajçak do të nisë në orën 09:00, njoftoi Qeveria e Kosovës.

Vizita e Lajçakut në Kosovë do të zhvillohet një ditë pasi zyrtari i lartë i BE-së qëndroi në Beograd, ku u takua me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Lajçak tha se me Vuçiq diskutoi për normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë, por edhe për tema të tjera, përfshirë edhe kthimin e serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës.

Ndërkaq, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se me të dërguarin e bllokut foli për dialogun që ndërmjetësohet nga BE-ja, por edhe për problemet me të cilat po përballen serbët e Kosovës “për shkak të lëvizjeve të njëanshme dhe jolegjitime të Prishtinës”.

Në nëntor, serbët në veri të Kosovës u larguan nga institucionet e Kosovës (institucionet e drejtësisë, policia, niveli lokal, por edhe nga Qeveria dhe Kuvendi) në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targave serbe.

Por, në ndërkohë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për çështjen e targave, por jo edhe për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës.

Vizita e Lajçakut në Kosovë vjen disa ditë pas Beogradi kritikoi ashpër vendimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili emëroi udhëheqësin e Partisë Demokratike Progresive, Nenad Rashiq, në postin e ministrit për Komunitete dhe Kthim.

Serbia tha se ky vendim përbën shkelje dhe se Rashiq nuk përfaqëson serbët e Kosovës.

Më herët, postin e ministrit për Kthim dhe Komunitete e mbante Goran Rakiq, lider i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë. Por, ai është në mesin e zyrtarëve serbë të cilët u dorëhoqën nga institucionet e Kosovës për shkak të çështjes së targave.

XS
SM
MD
LG