Ndërlidhjet

Opozita heq dorë nga rrëzimi i Qeverisë së Malit të Zi 


Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq.
Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq.

Partitë opozitare në Mal të Zi hoqën dorë nga iniciativa për të votuar mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Zdravko Krivokapiqit. Opozita nuk ia doli të sigurojë një votë që i duhej nga partitë në pushtet për ta rrëzuar Qeverinë.

Siç është njoftuar, arsyeja ishte paralajmërimi i partisë në pushtet, Fronti Demokratik (DF) që të dorëzojë iniciativën për shkurtimin e mandatit të Parlamentit, gjë të cilën e kishte paralajmëruar të shtunën më 10 dhjetor. Nga DF-ja kanë thënë se do të kërkojnë edhe organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Megjithatë, këtë propozim nuk e pranuan partnerët e koalicionit qeverisës.

Nga 81 deputetë në Parlamentin e Malit të Zi, iniciativën për mocionin e mosbesimit të Qeverisë e nënshkruan vetëm 40 deputetë të opozitës nga Partia Demokratike e Socialistëve (DPS), Partia Social Demokrate dhe partitë e pakicave.

Partitë në pushtet, që kanë 41 deputetë, njoftuan se nuk do t’i bashkohen kësaj nisme. Nga Fronti Demokratik, që me muaj po kërkon rrëzimin e Qeverisë, thanë se nuk duan që me Partinë Demokratike të Socialistëve (DPS) të Millo Gjukanoviqit ta rrëzojnë kryeministrin, Krivokapiq.

Në iniciativën e opozitës për mocion të mosbesimit ndaj Qeverisë thuhej se Mali i Zi tashmë ndodhet në krizën më të madhe politike dhe institucionale në 30 vjetët e fundit dhe se Qeveria e Krivokapiqit humbi legjitimitetin meqë nuk e ka përkrahjen e shumicës që e votoi.

Po ashtu thuhej se është faj i Qeverisë që bisedimet me Bashkimin Evropian në parim u suspenduan. Opozita tentoi të materializojë pakënaqësinë me punën e Qeverisë të partive në pushtet, por edhe telashet e brendshme të shumicës.

Një prej këtyre problemeve është se propozimet e shumta të Qeverisë së Krivokapiqit mbesin në Parlament pa u vënë në votim, për shkak të mungesës së përkrahjes.

Po ashtu, tash e disa muaj vazhdon edhe konflikti politik në mes të partive në pushtet, sidomos Frontit Demokratik dhe Lëvizjes qytetare Ura, pasi që disa herë, Ura voton në Parlament bashkë me opozitën e udhëhequr nga DPS-ja.

Rasti i fundit i këtillë ishte zgjedhja e Nikolla Mugoshas në postin e kryetarit të Komisionit Qendror Zgjedhor më 8 dhjetor.

Qeveria e Krivokapiqit u votua më 4 dhjetor 2020 me votat e deputetëve nga Fronti Demokratik, parti kjo pro-serbe, Lëvizjes Ura dhe Demokratëve, të cilët në gusht 2020 fituan zgjedhjet me çka Partia Demokratike e Socialistëve e Gjukanoviqit pas tre dekadash kaloi në opozitë.

XS
SM
MD
LG