Ndërlidhjet

Moldavia thotë se sulmet në Transdniester synojnë përshkallëzimin e tensioneve


Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu.

Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, tha se disa sulme të supozuara në rajonin e shkëputur të Transdniester ishin përpjekje për përshkallëzim të tensioneve dhe fajësoi “fraksionet pro-luftës” brenda administratës së këtij territori.

Sandu foli për mediat pas takimit të Këshillit Suprem të Sigurisë së Moldavisë, pas pretendimeve nga autoritetet në Transdniester se dy antena të radios ishin dëmtuar nga shpërthimet dhe një njësi ushtarake ishte shënjestruar më 26 prill, teksa tensionet janë rritur në rajonin që kufizohet me Ukrainën, e cila po përballet me pushtimin rus.

Sandu u bëri thirrje qytetarëve për qetësi, teksa njoftoi se ka urdhëruar për masa të larta të sigurisë, përfshirë patrullime dhe postblloqe në Transdniester.

“Ne dënojmë çdo sfidë dhe përpjekje për të tërhequr Republikën e Moldavisë që të marrë veprime që do të rrezikonin paqen në vend. Ne vazhdojmë të insistojmë një zgjidhje paqësore për konfliktin në Transdniester”, tha ajo.

Ministria e Brendshme e këtij rajoni dhe antenat e dy radio-stacioneve thuhet se janë dëmtuar nga shpërthimet.

Autoritetet në këtë rajon të shkëputur nuk kanë njoftuar për viktima. Por, këto informacione nuk kanë mundur të konfirmohen në mënyrë të pavarur dhe deri tani askush nuk ka marrë përgjegjësinë për këto sulme.

Ndërkaq, Këshilli i Sigurisë i Transdniesterit ka raportuar për “sulm terrorist” në një njësi ushtarake pranë qytetit Tiraspol, por nuk ka dhënë më shumë detaje.

Ndërkaq, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se lajmet nga ky rajon janë shqetësim serioz.

Sekretari amerikan i Shtetit, Lloyd Austin, tha se Shtetet e Bashkuara po shikojnë për shkaqet e sulmeve, por deri më tani nuk e dinë se kush qëndron prapa tyre.

Transdniester, është një territor që gjendet në Moldavi dhe në kufi me Ukrainën. Ky territor ka shpallur pavarësinë më 1990.

Më 1992, Moldavia dhe Transdniester kanë zhvilluar një luftë të shkurtër dhe konflikti ka përfunduar pasi forcat ruse kanë ndërhyrë duke i ndihmuar separatistët. Afër 1,000 persona janë vrarë në këtë konflikt.

Rusia ende ka 1,400 trupa në Transdniester.

XS
SM
MD
LG