Ndërlidhjet

Morgan Freeman mund të jetë cak i propagandës ruse!


Aktori Morgan Freeman

Një këshilltar i lartë i NATO-s mbi propagandën e Rusisë në internet dhe fushatën e dezinformimit tha se aktori amerikan, Morgan Freeman, duket se është vënë në shënjestër të “sulmeve të koordinuara të Kremlinit në mediat sociale”.

Kjo, pasi Freeman është shfaqur në një video online, në të cilën thotë se Rusia ka “sulmuar” SHBA-në vitin e kaluar dhe kritikon presidentin rus, Vladimir Putin.

Putin, si spiun i vërtetë i KGB-së, i shfrytëzon fshehurazi sulmet kibernetike për të goditur demokracitë në gjithë botën. Duke i përdorur mediat sociale për të përhapur propagandë dhe informacione të rreme, ai i bind njerëzit në shoqëritë demokratike që të mos iu besojnë mediave të tyre, proceseve të tyre politike e as fqinjëve. Dhe, ai fiton”, thotë Freeman në këtë video.

Rolf Fredheim, analist i të dhënave në Qendrën për Komunikime Strategjike të NATO-s në Riga, tha se sulmet online kundër Freemanit janë një “model klasik” i fushatave anti-NATO të Rusisë, të cilat synojnë të manipulojnë opinionin publik në Perëndim dhe të ndikojnë debatin publik.

Qendra për Komunikime Strategjike është institut i akredituar nga NATO që përqendrohet në propaganda, fushata të dezinformimit dhe aktivitete të tjera armiqësore në radio, televizion dhe media sociale.

Freidheim, duke folur për Radion Evropa e Lirë, nuk mundi të konfirmojë se sulmet kundër Freemanit në Twitter, YouTube dhe media të tjera sociale janë të koordinuara direkt nga Kremlini.

Por, ai tha se koha dhe ngjashmëria me sulme të mëparshme sugjerojnë se mund të ketë lidhje.

Duket e koordinuar, sepse mesazhi i njëjtë qarkullon në disa platforma”, tha Fredheim.

Është më shumë se një adoleshent në bodrum. Mund të jenë disa. Por, po ashtu mund të jetë diçka edhe më e sofistikuar”, shtoi ai.

E dimë se ka organizata, lloje të kompanive për menaxhimin e marrëdhënieve me publikun e të tjera, që duket se përmbushin një gamë të gjerë shërbimesh për shumë klientë, përfshirë organizata të lidhura me Kremlinin”, tha tutje Fredheim.

Në videon që është lëshuar më 19 shtator nga Komiteti për Hetimin e Rusisë, organizatë jofitimprurëse në SHBA, aktori Morgan Freeman po ashtu bën thirrje për të hetuar ndërhyrjen e dyshuar të Moskës në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016.

Zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov, tha se Kremlini nuk e merr seriozisht videon e Freemanit dhe nuk e konsideron atë si kërcënuese.

Ai bëri edhe sulme personale mbi aktorin, duke e quajtur “viktimë të tensionit emocional”.

Peskov po ashtu tha se Freeman vuan nga “një lloj i McCarthy-zmit” – referencë kjo për një fushatë të frikës në vitet 1950 nga senatori amerikan, Joe McCarthy, në lidhje me ndikimin e agjentëve komunistë në institucionet amerikane.

Shumë shpejt pas kritikave të Peskovit, në YouTube dhe Twitter filluan të shfaqen video me qindra komente, duke përqeshur Freemanin dhe duke e cilësuar si celebrit të çuditshëm dhe të painformuar të Hollywood-it, i cili vuan nga McCarthy-zmi.

Twitter-i i Komitetit për Hetimin e Rusisë u përfshi po ashtu me postime pro Kremlinit dhe kundër Freemanit.

Fredheim, nga Qendra për Komunikime Strategjike e NATO-s, tha se fenomeni u ngjan përpjekjeve të koordinuara të kompanive në internet, të cilat kanë lidhje me Kremlinin, ndërsa mesazhet dhe veprimet i përqendrojnë te caqet e identifikuara si anti-Kremlin.

Fredheim tha se fushatat e tilla të bashkërenduara në mediat sociale mund të kenë qëllime dhe efekte të shumëfishta.

Sipas tij, ata që përfshihen në një përgjigje të koordinuar mund të përpiqen të “maskojnë mesazhin e dikujt tjetër” ose të manipulojnë diskursin publik.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG