Ndërlidhjet

Kryetari i Moskës: Mobilizimi në kryeqytetin rus ka përfunduar


Kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin. Fotografi nga arkivi.
Kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin. Fotografi nga arkivi.

Kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin, njoftoi se mobilizimi ushtarak për luftën në Ukrainë ka përfunduar në rajonin e kryeqytetit rus.

Përmes një deklarate të lëshuar më 17 tetor, Sobyanin tha se “të gjitha qëllimet lidhur me mobilizimin janë arritur”, duke shtuar se qendrat për mobilizim në Moskë do të mbyllen pasditen e së hënës.

“Njoftimet për rekrutim që janë shpërndarë gjatë mobilizimit për banorët dhe në vendet e punës, më nuk do të jenë të vlefshme”, tha Sobyanin.

Ai nuk tregoi se sa qytetarë të Moskës janë mobilizuar gjatë mobilizimit që presidenti rus, Vladimir Putin, shpalli më 21 shtator pas humbjeve të mëdha në fushëbetejën në Ukrainë.

Ditëve të fundit, mediat kanë raportuar se policia dhe zyrtarët për rekrutim në Moskë, por edhe në Shën Petersburg – qytetin e dytë më të madh në Rusi – kanë bastisur stacione të metrove, hotele dhe konvikte, për të kapur personat që kanë pasur thirrje për mobilizim.

Andrei Klishas, një anëtar me ndikim në Dhomën e Lartë të Parlamentit rus, ka bërë thirrje që të hetohen këto aksione të autoriteteve dhe ka kërkuar që çdo rast të ndiqet “për të vlerësuar ligjshmërinë e veprime të zyrtarëve që kanë lejuar këto bastisje”.

Disa rajone ruse kanë njoftuar për përfundimin e mobilizimit, edhe pse shumë prej tyre kanë kërkuar që në Ukrainë të vazhdojë dërgimi i ushtarëve.

Putin ka thënë se vetëm rusët që kanë shërbyer në ushtri dhe kanë përvojë luftarake, do të mobilizohen. Megjithatë, është raportuar për raste të shumta kur burrat që kurrë nuk kanë shërbyer në ushtri, janë dërguar në frontin e luftës në Ukrainë pa asnjë trajnim paraprak.

XS
SM
MD
LG