Ndërlidhjet

Lituania miraton ndalimin masiv të azilkërkuesve nga Bjellorusia


Ushtarët lituanezë ngrenë tela gjemborë në kufi me Bjellorusinë.

Parlamenti i Lituanisë miratoi ndalimin masiv të azilkërkuesve, në kohën kur ky vend po përballet me rritje të numrit të të ardhurve nga Bjellorusia.

Vilniusi thotë se azilkërkuesit po organizohen nga Qeveria e udhëheqësit bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, për ta ndëshkuar Lituantinë, për shkak të mbështetjes që i ka dhënë opozitës demokratike në Bjellorusi.

Tetëdhjetekatër nga 141 ligjvënësit lituanezë votuan për ndalesën.

Kjo, përkundër protestave të Kryqit të Kuq dhe organizatave të tjera joqeveritare, që thonë se ndalesa shkel detyrimet ndërkombëtare të Lituanisë dhe të drejtat e migrantëve.

Sipas Vilniusit, regjimi i Lukashenkës po përpiqet të bëjë presion te Bashkimi Evropian, në përgjigje të sanksioneve që BE-ja i vendosi Bjellorusisë, pasi kjo e fundit detyroi një fluturim të kompanisë Ryanair të aterojë në Minsk, për të arrestuar një bloger opozitar dhe të dashurën e tij.

Të hënën, kryediplomati i BE-së, Josep Borrell, sugjeroi se Lukashenka mund të përballet me sanksione të mëtejshme, për shkak të rritjes së numrit të migrantëve të paligjshëm që kalojnë nga Bjellorusia në Lituani.

Në një takim të ministrave të jashtëm të BE-së në Bruksel, Borrell dhe ministri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis, u pajtuan që Minsku i përdor migrantët si “armë” në mosmarrëveshjet e tij me bllokun.

“Ne duhet të jemi shumë të rreptë me regjimet që përdorin këto lloje armësh - para së gjithash me sanksione”, tha Landsbergis.

Ligjvënësja lituaneze e BE-së, Rasa Jukneviciene, tha në takimin e së hënës se Bjellorusia dhe Rusia qëndrojnë prapa rrjeteve të trafikimit me njerëz në kufirin lituanez dhe se ato ndihmohen nga Irani.

Ajo nuk solli ndonjë provë për këto pretendime dhe Bjellorusia dhe Rusia i hodhën poshtë ato.

XS
SM
MD
LG