Ndërlidhjet

Ukraina i shet gaz Moldavisë pas mospajtimeve me Rusinë


Fotografi ilustruese: Një matës presioni në një strukturë nëntokësore të depozitimit të gazit në Ukrainë.
Fotografi ilustruese: Një matës presioni në një strukturë nëntokësore të depozitimit të gazit në Ukrainë.

Ukraina bëri të premten dërgesën e parë komerciale me gaz në Moldavinë fqinje.

Moldavia ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme javën e kaluar, pasi kontrata e saj e gazit me Gazprom-in rus - furnizuesin më të madh të gazit natyror në Evropë - ka skaduar në fund të muajit të kaluar, ndërsa dy palët nuk kanë arritur të pajtohen për detajet e një marrëveshjeje të re.

Rusia ka kërcënuar se do t’i ndërpresë furnizimet me gaz në Moldavi në fund të vitit, nëse kontrata ekzistuese e gazit nuk zgjatet deri atëherë.

Firma shtetërore e energjisë e Ukrainës, Naftogaz, tha të premten se ka fituar tenderin për furnizimin e kompaninë shtetërore moldave, Energocom, me 500,000 metra kub gaz.

“Naftogaz është gati të furnizojë Moldavinë me vëllimet e nevojshme të gazit”, tha kompania ukrainase, duke mos dhënë asnjë informacion për çmimin e rënë dakord.

Gazprom-i e ka zgjatur kontratën me Moldavinë deri në fund të tetorit, ndërsa e ka rritur çmimin në 790 dollarë për metër kub nga 550 dollarë sa ka qenë muajin e kaluar.

Rritja e çmimit ka shkaktuar kritika nga Bashkimi Evropian, i cili ka thënë se Rusia “po i përdor si armë” furnizimet me gaz.

Këtë javë, Brukseli i ka ofruar Moldavisë - njërit prej vendeve më të varfra të Evropës - 60 milionë euro ndihmë urgjente.

XS
SM
MD
LG