Ndërlidhjet

Mungesë e stafit shëndetësor në Mjekësinë Familjare


Ilustrim
Ilustrim

Ikja e stafit mjekësor ka prekur edhe Qendrat e Mjekësisë Familjare, të cilat po përballen me mungesa të mjekëve e infermierëve. Sidomos gjatë stinës së verës, theksohet se këto mungesa vërehen edhe më shumë, për faktin se gjatë kësaj sezone shfrytëzohen edhe pushimet verore, çka ndikon që këto qendra të mjekësisë të punojnë me staf të reduktuar.

Në Qendrat e Mjekësisë Familjare në Prishtinë, gjatë një viti kryhen më shumë se 1 milion vizita. Pacientët thonë se janë të kënaqur me trajtimin në këto qendra.

Musli Morina, rreth 67- vjeçar, i cili për shkak të problemeve shëndetësore bën vizita të shpeshta mjekësore, thotë për Radion Evropa e Lirë se tashmë edhe e njeh stafin mjekësor, për shkak të vizitave të shpeshta.

“Shumë shpesh vij për vizita(mjekësore). Tani edhe po i njoh stafin shëndetësor dhe në një mënyrë jemi familjarizuar. Nuk kam asnjë ankesë pasi që trajtimin që e marr sa herë që kam nevojë, është në nivel”, tregon ai.

Por, mungesa e stafit shëndetësor në këto qendra, është evidente. Kjo ndërlidhet me ikjen e mjekëve dhe infermierëve nga Kosova për në shtetet e Bashkimit Evropian.

Bujar Gashi, drejtor për Shëndetësi dhe Mirëqenie sociale në Komunën e Prishtinës, thotë se mungesat në stafin mjekësor janë evidente dhe se po përballen me vështirësi për mbulimin e të gjitha nevojave dhe kërkesave të pacientëve.

Ai shton se kjo mungesë ka qenë që nga periudha e pasluftës në Kosovë, kur edhe kishte filluar hapja e institucioneve të reja shëndetësore, derisa nuk ka pasur asnjëherë rritje të numrit të stafit shëndetësor.

Ndërkohë, gjendja është rënduar për faktin se viteve të fundit ka shënuar rritje fenomeni i ikjes së stafit jashtë vendit.

“Ka mungesë stafi shëndetësor. Ka pasur kërkesa për ikje të stafit në fushën e mjekësisë dhe infermierisë. Gjatë dy viteve nga Qendra e Mjekësisë Familjare në Prishtinë janë larguar 2 mjekë të përgjithshëm për në Gjermani, derisa janë katër infermierë që e kanë lëshuar punën për të njëjtat arsye”.

“Ndërsa nga Qendrat e Mjekësisë Urgjente, janë larguar dy mjekë dhe një infermier, përderisa edhe një mjek e dy infermierë janë në proces e sipër”, thekson Gashi.

Kuadri specialistik mjekësor, jo rrallë ka treguar interesim për punësim në vende të ndryshme të botës, ku pagat janë shumë më të larta, krahasuar me Kosovën. Edhe një numër i konsiderueshëm i infermierëve ka ndjekur rrugën e mjekëve specialistë.

Në Kosovë mjeku specialist për punën që bën, paguhet me rreth 600 euro në muaj, derisa infermierët me rreth 400 euro në muaj.

Edhe në Qendrat e Mjekësisë Familjare në Gjakovë, thonë se ka mungesë stafi.

Drejtoresha e Shëndetësisë në Komunën e Gjakovës, Adelina Shehu-Kola, bën të ditur se së fundmi janë pranuar tre mjekë dhe pritet prapë të ketë konkurse.

Ajo thotë se për dallim nga qytetet tjera të Kosovës, në Gjakovë nuk ka pasur shumë ikje të mjekëve për në vendet e Bashkimit Evropian.

“Ka mungesë të stafit shëndetësor. Megjithatë, kemi marrë staf të ri gjatë këtij viti, por i cili është i pamjaftueshëm, megjithatë priten edhe punësime të reja. Mund të them që si sukses i komunës sonë, ka qenë hapja edhe e Stomatologjisë dhe kemi pranuar disa mjekë të kësaj fushe, por që ka mungesë të këtyre mjekëve, si edhe të specialistëve të tjerë”.

“Sidomos tash në sezonin e verës kur stafi është në pushim vjetor, vërehen mungesat, pasi nuk kemi staf për t’i zëvendësuar, derisa numri i pacientëve është në rritje”, thotë Kola.

Ndryshe, Blerim Syla, udhëheqës i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, thotë se vetëm vitin e kaluar më shumë se 110 mjekë specialistë kanë ikur nga Kosova.

Sipas tij, ka indikacione që mijëra infermierë nga Kosova, për pesë vjetët e ardhshme mund ta lëshojnë vendin, pasi që tashmë kanë lidhur kontrata me shtetin gjerman për të punuar atje në këtë profesion.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG