Ndërlidhjet

Myslimanët nisin Haxhin – pastrimin e shpirtit dhe afrimin me Zotin

  • RFE /RL

Arabi Saudite: Pelegrinët myslimanë falen në Xhaminë e Madhe në qytetin e shenjtë të Mekës, në prag të nisjes së Haxhit. 29 gusht, 2017

Çdo vit, miliona myslimanë shkojnë në Mekë për të kryer Haxhin - një detyrë fetare për besimtarët që mund ta përballojnë udhëtimin dhe fizikisht janë të fortë.

Sivjet, rituali pesëditësh ka nisur sot, në ditën e tetë të muajit hënor Dhu al-Hijjah, në bazë të kalendarit islamik.

Autoritetet saudite kanë bërë të ditur se mbi 1.7 milion besimtarë kanë arritur tashmë në Mekë.

Zyrtarët shëndetësorë kanë thënë se janë të përgatitur për trajtimin e sëmundjeve që mund të shpërthejnë, apo të rrëmujave, të tilla si ajo e vitit 2015, e cila ka lënë qindra besimtarë të vrarë.

Rrëmuja e para dy vjetëve konsiderohet si fatkeqësia më e madhe në historinë e Haxhit. Ajo ka ndodhur kur besimtarët, që ecnin drejt një rituali të gurëzimit, kanë nisur të shkelin njëri-tjetrin.

Mbi 2,000 veta kanë vdekur, ndërsa Irani ka pasur numrin më të madh të viktimave, përkatësisht 464. Kjo ka bërë që Republika Islamike ta bojkotojë Haxhin në vitin 2016. Këtë vit, besimtarët iranianë janë rikthyer dhe rreth 90,000 sish pritet të kryejnë ritualet.

Arabia Saudite po ashtu ka hapur kufijtë për besimtarët nga Katari, të cilët janë mbyllur pasi Riadi, së bashku me Bahrejnin dhe Emiratet e Bashkuara i kanë ndërprerë lidhjet diplomatike me Dohën në muajin qershor. Ata i kanë akuzuar autoritetet katarase për mbështetje shtetërore të grupeve ekstremiste islamike.

Edhe pse Arabia Saudite ka lehtësuar hyrjen në kufirin tokësor, Katari ka thënë se vetëm pak dhjetëra shtetas të tij kanë mundur t’i bashkohen Haxhit.

Pelegrinazhi i sivjetmë po ashtu vjen nën kërcënimin e shtuar të grupit militant Shteti Islamik, i cili ka humbur territore në Irak dhe Siri, por vazhdon të kryejë sulme në Lindjen e Mesme dhe në Evropë.

Për myslimanët, Haxhi është shtylla e pestë dhe e fundit e Islamit, e cila shërben për pastrimin e shpirtrave dhe ringjalljen e marrëdhënieve me Zotin.

Me fillimin e Haxhit, pelegrinët hyjnë në fazën e ihramit – një gjendje e pastërtisë, në të cilën ata nuk duhet të vënë parfume, nuk duhet të presin thonjtë ose nuk duhet të shkurtojnë flokët apo mjekrat e tyre.

Një aspekt i rëndësishëm i Haxhit është se ai heq të gjitha shenjat e klasës, pasurisë dhe materializmit, duke kërkuar nga të gjithë besimtarët të vishen me rroba të njëjta gjatë gjithë pelegrinazhit.

Haxhi kulmon në ditën e pestë me mbledhjen e besimtarëve në Malin Arafat - vendin ku profeti Muhamed ka bërë predikimin e lamtumirës, 14 shekuj më parë.

Çmimi i Haxhit sillet nga 2,600 dollarë deri në 4,300. Për shumicën e vendeve në zhvillim, duhen vite kursime për Haxh. Për shembull, në Bangladesh, pelegrinazhi mund të kushtojë sa tre vjet e pagës mesatare.

Përgatiti: Valona Tela

XS
SM
MD
LG