Ndërlidhjet

Nancy Pelosi zgjidhet kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve


Nancy Pelosi
Nancy Pelosi

Kongresistja e Kalifornisë, Nancy Pelosi, u zgjodh sërish udhëheqëse e Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, që është roli i tretë më i fuqishëm në Uashington.

Pelosi ka qenë në këtë pozitë për katër vjet nga 2007-ta. Ajo rimori çekanin pasi ligjvënësit e rinj të Dhomës bënë betimin.

Fitorja e saj vjen në kohën kur Qeveria e Shteteve të Bashkuara mbetet pjesërisht e mbyllur për shkak të mospajtimeve rreth ndërtimit të një muri në kufi me Meksikën, të cilin e do presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Pelosi tha se do që qeveria të rihapet, porse nuk do të mbështesë murin.

“Jam veçanërisht krenare të jem udhëheqësja e Dhomës së këtij Kongresi, i cili shënon 100 vjet nga e drejta e grave për të votuar”, tha Pelosi.

“Ne të gjithë kemi mundësinë dhe privilegjin të shërbejmë me mbi 100 gra të tjera në Kongres – numrin më të madh në histori”, tha ajo.

"Ajo" gozhdoi fitoren në SHBA
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:09:37 0:00

Kongresi bëri histori edhe me përfshirjen e dy grave të para myslimane dhe të dy grave të para autoktone amerikane, të cilat i fituan zgjedhjet e nëntorit.

Pelosi dhe shumica demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve u zotuan se do të miratojnë ligje për t’i dhënë fund mbylljes së qeverisë, por thanë se ligjet nuk do të përfshijnë financimin e murit në kufi me Meksikën, të cilin Trump e do për të penguar hyrjen e migrantëve në SHBA.

Republikanët, në anën tjetër, thanë se nuk do të kalojnë asnjë ligj pa miratimin e presidentit, çfarë nënkupton se bllokada mund të vazhdojë.

Mbyllja e pjesshme e qeverisë filloi kur Kongresi dhe Trump nuk ia dolën të arrijnë marrëveshje mbi projekt-buxhetin në dhjetor.

Republikanët e Trumpit e miratuan ligjin fillestar të financimit, i cili përfshinte pesë miliardë dollarë për murin, kur ata e kishin shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, por ata nuk arritën të sigurojnë 60 votat e nevojshme në Senatin prej 100 anëtarësh.

Demokratët e fituan shumicën në Dhomë në zgjedhjet e nëntorit.

Pelosi tha se demokratët do të kalojnë shpejt legjislacionin buxhetor, duke siguruar fonde të mjaftueshme për t'i dhënë fund mbylljes së qeverisë, por ajo nuk dha detaje.

“Asgjë rreth murit”, tha ajo të enjten, duke folur për Today Show.

Pelosi po ashtu tha se beson se një president mund të paditet - edhe pse udhëzimet e Departamentit të Drejtësisë nuk e sugjerojnë një gjë të tillë.

Udhëheqësi i shumicës republikane të Senatit, Mitch McConnell, tha se kjo parti nuk do të mbështesë masa që Trump nuk i mbështet.

Mbyllja e pjesshme nënkupton që rreth 25% e Qeverisë federale të Shteteve të Bashkuara nuk ka fonde.

Nëntë departamente janë prekur, përfshirë atë për Sigurinë Kombëtare, Drejtësinë, Strehimin, Bujqësinë, Tregtinë, të Brendshmin dhe Thesarin.

Trump mbajti një takim me udhëheqësit e Kongresit të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë, por demokratët dhe republikanët nuk arritën marrëveshje për rihapjen e qeverisë, ndërsa bisedimet do të rifillojnë të premten.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG