Ndërlidhjet

Stoltenberg: NATO-ja do të mbetet vigjilente mbi situatën në Kosovë


Një ushtar amerikan i KFOR-it në veri të Kosovës më 31 maj 2023.
Një ushtar amerikan i KFOR-it në veri të Kosovës më 31 maj 2023.

NATO-ja është e gatshme të dërgojë edhe më shumë trupa në Kosovë, për të qetësuar dhunën në veriun e këtij vendi, të banuar me shumicë serbe, tha të enjten shefi i aleancës, Jens Stoltenberg.

Ai shtoi se 700 trupat e para përforcuese, janë tashmë në rrugë për në Kosovë.

"NATO-ja do të mbetet vigjilente. Ne do të jemi atje për të siguruar një mjedis të sigurt, si dhe për të qetësuar dhe ulur tensionet", u tha Stoltenberg gazetarëve në margjina të një takimi të ministrave të jashtëm të NATO-s në Oslo.

Stoltenberg, tha të enjten se dhuna kundër paqeruajtësve të misionit të NATO-s, KFOR, në Kosovë ishte "krejtësisht e papranueshme".

Përleshjet midis protestuesve serbë dhe ushtarëve të KFOR-it në Zveçan - komunë në veri të Kosovës – lanë 30 ushtarë të plagosur, ashtu si edhe dhjetëra protestues, më 29 maj.

Tensionet në veri të Kosovës u rritën qysh më 26 maj, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe të hyjnë në zyrat komunale, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.

NATO-ja vendosi ta rriste misionin e saj prej 4.000 trupash në Kosovë edhe me 700 trupa shtesë, pasi 30 paqeruajtës të saj u plagosën gjatë përleshjeve me protestuesit serbë në komunën e Zveçanit, më 29 maj.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet tjera të QUINT-it, e kanë bërë Qeverinë e Kosovës fajtore për tensionimin e situatës në veri të vendit.

Kryetarët e rinj shqiptarë të komunave Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq kanë dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit, të cilat janë bojkotuar nga komuniteti serb.

Për t'u informuar lidhur me zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, përcillni blogun e Radios Evropa e Lirë

XS
SM
MD
LG