Ndërlidhjet

Lideri opozitar rus përballë Putinit

  • RFE /RL

Aleksei Navalny

Lideri opozitar rus, Aleksei Navalny, ka premtuar se do të vazhdojë të mbajë protesta, të cilat kanë tërhequr tashmë mijëra qytetarë anembanë Rusisë, pasi ishte liruar nga policia më 29 shtator.

Pasi ishte mbajtur për 10 orë në polici, kjo si masë për të parandaluar Navalnyn që të fliste në një protestë, ai është urdhëruar të paraqitet para një dëgjimi administrativ nën akuzat për organizmin e protestave ilegale.

“Ne nuk do të ndalemi, pavarësisht pengesave”, ka thënë Navalny për gazetarët, të cilët e prisnin para stacionit policor, ku ai shtoi se po planifikon të marrë pjesë edhe në protestën në Orenburg.

Që kur kishte shpallur kandidaturën e tij për zgjedhjet presidenciale, vitin e kaluar, Navalny, 41-vjeçar, një kritik i zëshëm i presidentit, Vladimir Putin, ka hapur më shumë se 60 zyre të fushatës në rajone të ndryshme në Rusi.

Në qershor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Rusi, ka thënë se Navalny nuk mund të kandidojë për post publik, për shkak të një dënimi rreth një krimi financiar, që thuhet së ishte i motivuar politikisht.

“Plani për të bllokuar protestat rajonale, nuk do të funksionojë, ka shkruar Navalny në Twitter, pas lirimit nga policia.

“Kremlini i sheh takimet e mia me votuesit, si një kërcënim të madh dhe si fyerje, në fund të fundit, askush nuk shkon në takimet e tyre nëse nuk paguhen”, ka shkruar ai.

Navalny, stafi i tij dhe shumë përkrahës në protesta, janë ndaluar në vazhdimësi nga policia dhe disa nga mbështetësit janë sulmuar apo janë përballur me persekutime nga autoritetet në muajt e fundit.

“Human Rights Watch”, në një deklaratë kanë thënë se autoritetet ruse po ndërhyjnë në mënyrë “vazhdueshme” në përpjekjet e Navalnyt për të kandiduar për president, përfshirë ndalimin e vullnetarëve të kampanjës së tij dhe veprime tjera kundër përkrahësve të Navalnyt.

Navalny kishte postuar arrestimin e tij në rrjetin social Instagram, duke shkruar se ai ishte ndaluar nga policia derisa po dilte nga apartamenti i tij.

“Kështu, Putini nuk do që unë të marr pjesë në protesta”, shkroi ai.

Ministri i Brendshëm rus ka thënë se Navalny është ndaluar nga policia e Moskës ngase, siç tha ai, ka pasur “ thirrje të vazhdueshme” për njerëzit që të marrin pjesë në protesta të paautorizuara.

Nëse gjykata vendos se Navalny ka thyer rregullat për protesta dhe

tubime publike, ai mund të dënohet me 30 ditë burgim.

Në anën tjetër, Navalny dhe stafi i tij thonë se protesta në Nizhny

Novogorod ishte legale.

Në blogun e tij, Navalny ka përsëritur kërkesën e tij tek autoritetet për ta lejuar atë të protestojë në Shën Petersburt, që është qyteti i lindjes së Putinit, por atij nuk i është ofruar ndonjë lokacion i kënaqshëm.

Ai ka thënë se do të bëjë kërkesë që protesta të mbahet në parkun

qendror të qytetit, dhe ka thënë se ai do t’u bëjë thirrje përkrahësve të tij për të protestuar në Sheshin e Pallatit, nëse kjo kërkesë e tij pr parkun qendror refuzohet.

Vladimir Putin, presidenti rus që mban këtë post që nga viti 1999, pritet të marrë edhe një mandat të katërt në zgjedhjet e marsit, edhe pse nuk ka pasur ndonjë njoftim zyrtar nëse ai do të kandidojë.

Përgatiti: Linda Gjokaj

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG