Ndërlidhjet

Alabama miraton projektligjin që ndalon abortin


Disa qytetarë kanë protestuar në Alabama, duke kundërshtuar projektligjin që ndalon abortin.
Disa qytetarë kanë protestuar në Alabama, duke kundërshtuar projektligjin që ndalon abortin.

Ligjvënësit në Alabama kanë miratuar një projektligj që ndalon pothuajse të gjitha abortet.

Senati i dominuar nga Republikanët miratoi projektligjin që lejon abortet vetëm në rastet kur jeta e gruas është në rrezik.

Ligjvënësit mposhtën një amendament të propozuar nga Demokratët për të lejuar abortet në rastet e përdhunimeve dhe incestit.

Tani projektligji do të shkojë te guvernatorja republikane, Kay Ivey. Ajo nuk ka thënë nëse do ta nënshkruajë atë, por ajo shihet si një kundërshtare e zëshme e abortit.

Kufizimet mbi të drejtat e abortit tashmë janë fuqizuar në 16 shtete të SHBA-së.

Aktivistët shpresojnë se projektligji i ri i Alabamas do të sfidojë një vendim historik të vitit 1973 të Gjykatës së Lartë, që legalizoi abortin në Shtetet e Bashkuara.

Me dy emërimet e fundit nga ana e presidentit amerikan, Donald Trump, tashmë Gjykata e Lartë përbëhet prej një shumice të gjyqtarëve konservatorë.

Staci Fox, përfaqësuese e një organizate për planifikim familjar në Alamaba, e quajti vendimin "një ditë të errët për gratë në Alabama dhe në të gjithë vendin".

Përmes një deklarate ajo tha se politikanët e Alabamas “për këtë votë do të jetojnë përgjithmonë në fyerje dhe do të sigurohemi që çdo grua do të dijë kë të mbajë përgjegjës”.

Ky projektligj ngjalli debate të ashpra mes ligjvënësve të Partisë Demokrate dhe asaj Republikane.

Ligjvënësi republikanë Terri Collins, si propozues i projektligjit, tha se "ky projektligj thotë se foshnja në mitër është një person."

Senatori shtetëror demokrat Bobby Singleton tha se projektligji "kriminalizon mjekët" dhe ishte një përpjekje nga burrat "që t’u tregojnë grave se çfarë të bëjnë me trupat e tyre”.

Para fillimit të debatit, demokrati, Rodger Smitherman tha se përmes këtij projektligji “po i themi një vajze 12-vjeçare, e cila nëpërmjet incestit dhe përdhunimit ka mbetur shtatzënë, se ajo nuk ka zgjedhje".

Ky është ligji më i “ashpër” deri më tash i miratuar brenda Shteteve të Bashkuara sa i përket abortit.

Vendet tjera në SHBA miratuan ligje për të ndaluar abortin, pasi të dëgjohen rrahjet e zemrës së fetusit, zakonisht rreth gjashtë javë të shtatzënisë.

Por, sipas projektligjit në Alabama, aborti në çdo fazë të shtatzënisë do të ishte një krim.

Mjekët mund të përballen me 10 vjet burg për përpjekje për të ndërprerë një shtatzëni dhe 99 vjet për kryerjen procedurës.

Një grua që kryen abort nuk do të gjykohet penalisht. Sipas këtij projektligji, aborti do të lejohet vetëm në rastet kur jeta e nënës është në rrezik serioz.

Përgatiti: Kestrin Kumnova
XS
SM
MD
LG