Ndërlidhjet

Nga viti 2019, ndalohet qarkullimi i veturave që ndotin ambientin


Nga janari i vitit 2019, veturat të cilët shkarkojnë gazra jashtë normave të lejuara do t'ju ndalohet qarkullimi, bëjnë të ditur për Radion Evropa e Lirë, zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës.

Kjo ministri ka nxjerrë një udhëzim administrativ për procedurat e licencimit të kontrolleve teknike, ku parashihet që një veturë e cila i nënshtrohet kontrollit teknik duhet t’i plotësojë edhe disa standarde të caktuara sa i përket ndotjes së ambientit.

​Një iniciativë e tillë është ndërmarrë nga institucionet e Kosovës në kuadër të masave për mbrojtjen e mjedisit.

Eset Berisha, këshilltar politik në Ministrinë e Infrastrukturës, tha për Radion Evropa e Lirë se kanë filluar me zbatimin e pilotprojektit të kontrollimit të gazrave që emitojnë veturat.

“Ky udhëzim administrativ ka filluar të zbatohet në fillim të këtij viti, por matja e gazrave që emitojnë veturat ka filluar të bëhet në shtator të këtij viti, por për zbatimin e plotë të këtij udhëzimi nevojitet të certifikohen edhe disa inspektues të cilët do të merren më mbikëqyrjen e kontrolleve teknike. Posa të certifikohen këta inspektorë, do të fillohet me mbikëqyrjen e kontrolleve teknike për zbatim të standardëve sa i përket emetimit të gazrave të përcaktuara me standardet e Bashkimit Evropian”, thekson Berisha.

Certifikatat me të cilat kufizohet qarkullimi i veturave, të cilat nuk i plotësojnë standardet e nevojshme, shton Beirsha, nuk kanë filluar të aplikohen ende për arsye se duhet të certifikohen inspektuesit të cilët do të merren me mbikëqyrjen e punës së kontrollove teknike.

Por, sipas tij, e gjithë kjo procedurë pritet të përfundojë deri në fillim të vitit të ardhshëm.

Trafiku në Prishtinë - 2017
Trafiku në Prishtinë - 2017

“Varësisht nga procedurat e prokurimit dhe përzgjedhjes së kompanisë që do të merret me trajnimin e inspektuesve dhe verifikimit të tyre, pasi që është një inspektim ndërkombëtarë që duhet të bëhet, do të fillojë edhe zbatimi i plotë i këtij udhëzimi. Por, që nga janari i vitit të ardhshëm do të fillojmë me punën e inspektuesve dhe lëshimin e certifikatave për secilën veturë që kalon kontrollimin teknik”, thotë Berisha.

Sipas ndryshimeve që i janë bërë Ligjit për automjete, të cilat janë futur në fuqi në fillim të këtij viti, thuhet se në Kosovë nuk mund të importohen vetura më të vjetra se dhjetë vjet si dhe nuk mund të importohen vetura që nuk e plotësojnë standardin ‘euro katër’.

Por, ndryshime dhe plotësime të këtij ligjit ishin kërkuar ende pa u bërë një vit nga hyrja në fuqi. Disa deputetë patën propozuar heqjen e kufizimit për importin e veturave të vjetra.

Por, lidhur me këtë propozim kishte reaguar edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, duke thënë se këto ndryshime janë në kundërshtim me ligjet e BE-së.

Ndërkohë, të dhënat zyrtare tregojnë se në Kosovë qarkullojnë mbi 315 mijë vetura të regjistruara, ku mesatarja e vjetërsisë së veturave që qarkullojnë në Kosovë është 18 vjet.

Nol Dedaj, profesor i Komunikacionit në Kolegjin UBT, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se ndotja që vjen nga shkarkimi i gazrave nga veturat e vjetra mund të eliminohet vetëm nëse këto të fundit hiqen nga qarkullimi dhe zëvendësohen me më të reja.

“Sa i përket eliminimit të vjetërsisë së automjeteve kjo mund të bëhet vetëm nëse në zhdoganim i japin prioritet automjeteve më të reja. Pa freskimin e automjeteve përmes doganës nuk ka mundësi teorike për të rregulluar këtë çështje, pavarësisht udhëzimeve administrative siç është matja e eko testit do të jetë i dështuar pasi që në Kosovë 80 për qind të automjeteve i kemi të vjetra”, thekson Dedaj.

Për veturat e reja që importohen nga shtetet e Bashkimit Evropian, që nga zbatimi i Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, në vitin 2016, nuk paguhen taksa doganore. Kurse për veturat e përdorura, taksa doganore paguhet 9 për qind nga 10 për qind sa ka qenë më herët.

Dimrin e kaluar, cilësia e ajrit në kryeqytetin e Kosovës, pati arritur në një nivel alarmant, duke tejkaluar të gjitha standardet e rekomanduara. Sipas të dhënave të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ambasadës Amerikane vlerat e PM 2.5 ishin mbi vlerat e lejuara.

Ndotësit më të mëdhenj të ambientit në Kosovë konsiderohet të jenë Korporata Energjetike e Kosovës, e cila prodhon energji përmes djegies së qymyrit, si dhe përdorimi i tij për ngrohje dhe veturat e shumta.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG