Ndërlidhjet

KEK: Ngrohja nga Termokosi rikthehet të enjten


Fotografi ilustruese.
Fotografi ilustruese.

Mungesa e avullit që çoi në ndërprerjen e ngrohjes për konsumatorët në Prishtinë nga ndërmarrja “Termokos” erdhi si pasojë e problemeve në njësinë B1 të termocentralit ‘Kosova B’.

Kjo është bërë e ditur nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), përmes një postimi në rrjetin social, Facebook.

Sipas planeve, KEK-u njoftoi se njësia B1 pritet të kthehet në prodhim të enjten, më 16 dhjetor, "kur edhe do të krijohen kushtet për furnizimin e Termokos-it me avull për ngrohje qendrore".

KEK-u po ashtu njoftoi se aktualisht në termocentralin ‘Kosova A’, gjendja është stabile, ku në punë janë të tria njësitë aktive ( A3, A4 dhe A5) që prodhojnë rreth 390 megavate në orë.

KEK-u sqaroi se po bën përpjekje maksimale për prodhim te qëndrueshëm me energji elektrike.

“Termokos”-i njoftoi të mërkurën se ndërpreu ngrohjen për të gjithë konsumatorët në Prishtinë, për shkak të pamundësisë për t’u furnizuar me avull nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK).

“Kërkojmë mirëkuptimin e konsumatorëve tanë deri në përmirësimin e situatës dhe rikthimit të furnizimit me ngrohje”, thuhej në njoftim.

Paralajmërohet gjendje e jashtëzakonshme me rrymë

Një ditë më herët, ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, paralajmëroi gjendje të jashtëzakonshme me energji elektrike në vend.

Duke raportuar në Komisionin Parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Rizvanolli tha se situata është pasojë e çmimeve të larta të importit.

Ajo tha se për import të energjisë elektrike këtë vit janë paraparë 12 milionë euro, por këto mjete, sipas saj, janë shpenzuar vetëm në dy muaj. Rizvanolli tha se nuk mund të ketë garanci se çmimi i rrymës nuk do të rritet.

Kriza energjetike në botë ka nisur tash e sa muaj, kryesisht për shkak të mungesave të gazit dhe rritjes së çmimeve të gazit. Kriza globale energjetike ka bërë që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të shpallin tashmë gjendje të krizës energjetike.

Për më shumë, lexoni këtu.

XS
SM
MD
LG