Ndërlidhjet

Në “fabrikën e konvertimit” në Islam


Shifra të sakta se sa hindusë pakistanezë janë konvertuar në Islam, nuk ka. Por, raporte të pakonfirmuara vlerësojnë se deri në 1,000 vajza konvertohen me forcë çdo vit.
Shifra të sakta se sa hindusë pakistanezë janë konvertuar në Islam, nuk ka. Por, raporte të pakonfirmuara vlerësojnë se deri në 1,000 vajza konvertohen me forcë çdo vit.

Mian Abdul Haq është një klerik nga provinca Sind e Pakistanit. I njohur më shumë si Mian Mitha, ai ka lidhje politike dhe ndikim të madh.

Në vitin 2018, është takuar me Imran Khanin, tani kryeministër i Pakistanit, derisa po përgatitej të bashkohej me partinë e tij Tehrik-e Insaf (Lëvizja e Drejtësisë).

Për kritikët, ndikimi i tij ka një avantazh të keq. Mitha drejton një “fabrikë famëkeqe konvertimi”, siç e quajnë disa. Shënjestër e saj janë gratë e reja të pakicës hindu në Pakistan, që martohen me burra myslimanë dhe njëkohësisht konvertohen në Islam.

Dhe, pak vetë ndihen të fuqishëm për ta sfiduar atë.

“Nuk kemi mundur t’i ndalim. Gruaja ime ka bërë përpjekje të qëndrojë para vajzave tona, por ata i kanë drejtuar armët, kështu që ajo është tërhequr”, thotë për Radion Evropa e Lirë Hari Lal.

Ai thotë se dy vajzat e tij adoleshente janë rrëmbyer nga burra të lidhur me Mithan në mars të vitit 2019 dhe se janë konvertuar me forcë.

Në një video që është bërë virale, Lal shihet duke rrahur gjoksin dhe fytyrën e tij dhe duke thënë se do të vrasë veten jashtë stacionit policor, për shkak të rrëmbimit të pretenduar të vajzave të tij.

Në një mini-dokumentar hulumtues, Radio Mashaal e Radios Evropa e Lirë ka folur me disa familje të komunitetit hindu, që akuzojnë shkollën e Mithas, të njohur si Dargah Bharchundi Sharif, për rrëmbimin ose detyrimin e vajzave të tyre për t’u martuar me burra myslimanë dhe për t’u konvertuar në Islam.

Mian Mitha (i pari në të djathtë).
Mian Mitha (i pari në të djathtë).

Kjo shkollë është një nga tri qendrat kryesore në provincën Sind për konvertimin e pakicave fetare në Islam.

Pakica hindu numëron 4.5 milionë njerëz, ose mbi 2 për qind të popullsisë së Pakistanit. Shumica jetojnë në provinën Sind.

Pakistani ka mbi 220 milionë banorë dhe shumica e tyre janë myslimanë. Shifra të sakta se sa hindusë janë konvertuar në Islam, nuk ka.

Por, raporte të pakonfirmuara vlerësojnë se deri në 1,000 vajza konvertohen me forcë çdo vit - kryesisht nga komuniteti hindu i Pakistanit.

Raste të shumta janë të përqendruara në shkollën Dargah Bharchundi Sharif, por Mitha dhe të afërmit e tij këmbëngulin se hindusët e përqafojnë me vullnet Islamin.

“Ne nuk detyrojmë askënd që të konvertohet. Por, nëse dikush vjen në Dargah për t’u konvertuar, atëherë është obligimi im fetar që t’i ofroj mbështetje të plotë”, thotë Mitha.

Hulumtimi i Radio Mashaalit tregon se shkolla mban shenjat dalluese të një “fabrike të konvertimit”, me gra dhe vajza që zhduken nga shtëpitë e tyre, martohen dhe konvertohen praktikisht brenda natës dhe mbahen larg familjeve të tyre - shpesh me urdhër të gjykatës dhe me mbështetjen e Mithas.

Një histori e dy motrave

Mitha dhe të afërmit e tij mburren se Dargah Bharchundi Sharif është vendi ku Maulana Ubaidullah Sindhi, një studiues politik, fetar dhe revolucionar, është konvertuar në Islam nga besimi i tij sik, në fund të shekullit 19.

Sot është nipi i Mithas, kleriku Mian Mohammad Javed, i cili shërben si figurë qendrore në konvertimet që bëhen në shkollë.

Kleriku Mian Mohammad Javed (djathtas) dhe djali i tij, Mian Noor Muhammad, me ditarin e të konvertuarve në Islam.
Kleriku Mian Mohammad Javed (djathtas) dhe djali i tij, Mian Noor Muhammad, me ditarin e të konvertuarve në Islam.

Javed pretendon se, personalisht, ka konvertuar më shumë se 100 njerëz në Islam që nga viti 2015. Ai hedh poshtë çdo pretendim se konvertimet bëhen me kërcënime apo rrëmbime.

“Kjo është një gënjeshtër totale. Është e pavërtetë. Sikur të ishte e vërtetë, do të dëshmonin [në gjykatë]. Unë i sfidoj [akuzuesit]”, thotë Javed.

Javed i ka dhënë Radio Mashaalit një vështrim ekskluziv në një ditar të shkollës, që përfshin fotografi, data të martesës dhe data të konvertimit për 104 të konvertuar, kryesisht vajza të moshës 18 deri në 24 vjeç.

Datat e lindjes nuk janë të shënuara, vetëm mosha. Informacionet janë të shkruara me dorë.

“Këtu janë emrat e të gjitha atyre vajzave dhe djemve që unë i kam konvertuar në Islam që nga viti 2015”, thotë Javed, duke shtuar se përpara këtij viti nuk janë mbajtur regjistrime.

“Ne i rregullojmë martesat menjëherë pas konvertimit të tyre, në mënyrë që dikush të mos na akuzojë se kemi mbajtur vajza të pamartuara”, thotë Javed.

Asnjë nga 104 emrat në ditar nuk tregon ndonjë grua myslimane të martuar me një burrë hindu. Të gjitha gratë e martuara me burra myslimanë janë hinduse.

Dy prej tyre janë motrat Reena dhe Ravena, babai i të cilave, Hari Lal, ka zhvilluar një betejë ligjore kundër, siç ka thënë, rrëmbimit dhe konvertimit me forcë të vajzave të tij, në mars të vitit 2019.

Lal thotë se derisa nuk ishte në shtëpi, persona të armatosur, të lidhur me shkollën e Mithas, kanë rrëmbyer Reenan dhe Raveenan. Atëbotë, ato kanë qenë 14 dhe 15 vjeçe.

Fotografia e Raveenas në ditarin e të konvertuarve.
Fotografia e Raveenas në ditarin e të konvertuarve.

Reena dhe Raveena janë konvertuar në Islam, janë riemëruar Nadia dhe Aasia dhe janë martuar me burra myslimanë, që kanë qenë të martuar edhe me gra të tjera.

Martesat janë legalizuar në provincën Punxhab, ku mosha ligjore për t’u martuar është 16 vjeç. Në provicën e tyre Sind, mosha ligjore është 18 vjeç.

Në ditarin e Javedit, Reena është listuar si një 18-vjeçare që ka pranuar Islamin me dëshirën e saj dhe është martuar me një burrë të quajtur Barkat Ali.

Raveena është shënuar si një 19-vjeçare, e martuar me Safdar Aliun, i cili ishte i martuar dhe kishte gjashtë fëmijë.

Pasi Lal ka kërcënuar se do të vrasë veten jashtë një stacioni policor, për shkak të rrëmbimit të pretenduar të vajzave të tij, dhe pasi videoja e protestës së tij është bërë virale, autoritetet janë pajtuar që të hetojnë rastin.

Por, në këtë rast, që ka përbërë tituj lajmesh në Pakistan, Gjykata e Lartë e Islamabadit ka konstatuar se dy motrat nuk janë konvertuar me forcë dhe i ka lejuar ato të jetojnë me burrat e tyre.

Vendimi ka qenë fitore për Mithan, por Lalin dhe gruan e tij i ka shkatërruar emocionalisht dhe financiarisht. Kostoja e nxjerrjes së Mithas në gjyq i ka shterur kursimet e tyre.

“Nuk mund të bëjmë asgjë. Unë dhe gruaja ime vetëm qajmë. Na mungojnë shumë Reena dhe Raveena”, thotë Lal për Radio Mashaalin.

Përmes shkollës së Mithas, Raveena, e cila tani jeton me emrin mysliman Aasia, pranoi të jepte një intervistë për Radio Mashaalin. Ajo tha se me gruan e parë të burrit të saj “jeojnë si motra”.

“Ka pasur shumë myslimanë në fshatin tonë dhe, duke i parë ata, dëshiroja të isha myslimane edhe unë”, tha Raveena, për të shtuar se ka pasur tensione me prindërit e saj.

“Në fillim më mungonin, por tani jo”.

“[Burri im] më lejon të flas me prindërit e mi në telefon, por unë nuk dua. Ata nuk na krijojnë më probleme”, tha Raveena.

Provinca Sind në Pakistan.
Provinca Sind në Pakistan.

Lal, 60 vjeç, dhe gruaja e tij thonë se tani nuk kanë asnjë kontakt me vajzat e tyre. Që nga zhdukja e tyre, ai ka ngritur murin që rrethonte shtëpinë e tij në gati tre metra, për arsye sigurie.

Çështja e detyrimit

Konvertimi dhe martesa e shpejtë e hinduseve të reja, si Reena dhe Raveena, ndjekin një model në shkollën Dargah Bharchundi Sharif.

Brenda disa orësh pas mbërritjes në shkollë, ato recitojnë “Kalima”-n, një varg i shkurtër arab i Deklaratës islame të besimit. Atyre, pastaj, u jepet një emër mysliman.

Kjo pasohet me “nikah”, ritualin islamik të martesës.

Sapo vajzat dhe gratë të konvertohen në Islam, Mitha dhe anëtarët e familjes së tij marrin përsipër përgjegjësitë financiare dhe ligjore për to. Lidhjet e tyre me familjet shkëputen.

Konvertimin shpesh e pason një proces i shkurtër gjyqësor, që zakonisht përfundon në favor të Mithas dhe të të konvertuarve të tij.

Ekipi i tij i avokatëve paraqet një peticion, nën të cilin të konvertuarat kërkojnë zyrtarisht mbrojtje nga prindërit hindu. Shumë prindër akuzojnë Mithan dhe burrat myslimanë për rrëmbim dhe konvertim të detyruar të vajzave të tyre të mitura.

Vendimi i gjykatës zakonisht varet nga deklarata e gruas, se ajo është konvertuar dhe martuar me vullnetin e saj të lirë.

“Provoni një rast të vetëm të konvertimit të detyruar kundër meje dhe unë jam gati të pranoj çdo dënim”, thotë Mitha për Radio Mashaalin.

Aktivistët e të drejtave të njeriut dhe përfaqësuesit e pakicës hindu pranojnë se nuk ka raste të provuara të konvertimeve me armë ose përmes përdorimit flagrant të forcës fizike.

Por, çdo konvertim, sipas tyre, që përfshin një familje të fuqishme ose klerik, hyn në kategorinë e të detyruarve.

Deri më tani, nuk ka asnjë rast që një grua është kthyer në familjen e saj, pasi është dërguar në shkollën e Mithas dhe është konvertuar.

Prindërit duhet të marrin leje për takim, i cili nuk mund të zhvillohet pa praninë e kujdestarëve ose të përfaqësuesve të shkollës.

“Nëse një vajzë konvertohet në Islam, ajo është e lirë ta shohë familjen e saj. Por, nuk ka dyshim nëse komuniteti hindu do që ta kthejë atë dhe ta rikonvertojë në hinduizëm”, thotë Mitha për Radio Mashaalin. “Ne i mbrojmë ato”, shton ai.

Historia e Simranit

Familja e Simran Kumarit i ka siguruar Radio Mashaalit një video të takimit me vajzën, pas zhdukjes së saj nga shtëpia e tezes së saj, në gusht të vitit 2020. Ata e kanë gjetur atë në shkollën e Mithas.

Vëllai i Simranit, Sunny Kumar, thotë se ka pranuar një telefonatë nga djali i Mithas, i cili i ka thënë: “Vajza juaj është me ne dhe ajo dëshiron të pranojë Islamin”.

Simran Kumari, hinduse e konvertuar në Islam.
Simran Kumari, hinduse e konvertuar në Islam.

Kumar thotë se ai beson se motra e tij, e cila ishte 17 vjeç në atë kohë, është rrëmbyer dhe është detyruar të konvertohet.

Ata kanë shkuar për të takuar Simranin, por ajo ka qenë gjatë gjithë kohës e shoqëruar nga zyrtarët e shkollës.

Videoja nga takimi tregon nënën duke e mbajtuar pranë Simranin dhe duke ia shtrënguar butësisht faqet, ndërsa një burrë nga shkolla i thotë: “Thuaju atyre që je konvertuar në Islam me vullnetin e lirë”.

“Asaj i është bërë presion. Shikojeni videon, ata e kanë stërvitur atë”, thotë Kumar. Sipas tij, Simran vuan nga probleme psikologjike.

Pasi janë kthyer në shtëpi, familja ka pranuar një video-mesazh që e ka informuar se Simran ka emrin e ri islamik, Ayesha, dhe se është martuar me një burrë mysliman.

“Ata bënë një video [që tregon] se ajo u konvertua në Islam dhe u martua - të gjitha brenda dy orësh”, thotë vëllai i saj.

Në një video të mëvonshme, Simran shihet e ulur pranë burrit të saj dhe dikush jashtë kamerës e pyet se çfarë mesazhi dëshiron të japë për të afërmit e saj.

“Unë dua t’u them që të mos më shqetësojnë. “Dua të jem e lumtur me të [burrin]”, thotë Simran.

Deklarata e besimit mysliman e nënshkruar nga Simran Kumari me emrin e saj mysliman, Ayesha.
Deklarata e besimit mysliman e nënshkruar nga Simran Kumari me emrin e saj mysliman, Ayesha.

Të nesërmen në mëngjes, një gjykatës ka lëshuar një urdhër që mbronte Simranin nga familja e saj hindu, duke e bllokuar atë ligjërisht nga përpjekja për kthimin e saj. Policia ka refuzuar ta hetojë rastin.

“Sikur të na kishte gëlltitur toka… Nuk do ta besoni, por kemi qenë gati të helmojmë veten”, thotë Kumar.

Në ditarin e Javedit, Simran figuron si 21-vjeçare. Data e konverimit të saj është 17 gusht, 2020 - dita e njëjtë kur është zhdukur nga shtëpia e tezes së saj.

Disa hindusë pakistanezë thonë se kanë arsye të mira për të braktisur besimin e tyre, duke përmendur këtu diskriminimin dhe varfërinë në të cilën jetojnë.

“Po kalonim disa periudha të vështira. Për shembull, kur fëmija im i parë po vinte, unë nuk kisha para për lindjen”, thotë për Radio Mashaalin Ajay Kumar, i cili është konvertuar në Islam, në këmbim të një pune në një kompani të plehrave.

Shumë hindusë trashëgojnë borxhet e prindërve të tyre dhe janë të destinuar të punojnë për pronarët. Por, disa klerikë myslimanë u ofrojnë rrugëdalje.

“Ne u sigurojmë atyre punë, strehim, ia rregullojmë martesën nëse është burrë dhe gjejmë burra për vajza”, thotë Mitha për Radio Mashaalin.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG