Ndërlidhjet

Në Kosovë mbërrijnë 4,680 vaksina Pfizer/BioNTech


Doza të vaksinës Pfizer
Doza të vaksinës Pfizer

Në Kosovë arritën të martën 4,680 doza të vaksinës kundër koronavirusit Pfizer/BioNTech.

Kjo është pjesa e parë e 95,000 dozave që Bashkimi Evropian i ka ndarë për Kosovën, në kuadër të mbështetjes së vaksinimit në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës tha përmes një postimi në Facebook se këto doza do të përdoren për vaksinimin e punëtorëve shëndetësorë, të cilët nuk kanë mundur të vaksinohen në fazën e parë të vaksinimit, për arsye shëndetësore.

Vaksinimi do të rifillojë të mërkurën, tha Ministria e Shëndetësisë.

Kosova ka nisur procesin e vaksinimit në fund të muajit mars, me 24,000 doza të vaksinës AstraZeneca, të siguruara nga programi Covax i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Të martën në Kosovë u raportuan 75 raste të reja me koronavirus dhe katër viktima.

Në total, Kosova ka regjistruar 105,711 raste pozitive.

Prej tyre, 2,191 kanë vdekur dhe 96,012 janë shëruar.

XS
SM
MD
LG