Ndërlidhjet

Mali i Zi nënshkruan marrëveshjen me Kishën Serbe, Gjukanoviq paralajmëron mosbesim ndaj Abazoviqit


Kryeministri i Mali të Zi, Dritan Abazoviq, dhe patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije Periq, në Podgoricë, më 3 gusht 2022.
Kryeministri i Mali të Zi, Dritan Abazoviq, dhe patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije Periq, në Podgoricë, më 3 gusht 2022.

Kryeministri i Mali të Zi, Dritan Abazoviq, konfirmoi të mërkurën në rrjetin social Telegram se është nënshkruar Marrëveshja Themelore ndërmjet Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe. Marrëveshja parasheh rregullimin e marrëdhënieve në mes të Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe me bazë në Beograd.

Pa paralajmërim paraprak dhe pa praninë e gazetarëve, mëngjesin e së mërkurës në Podgoricë ka mbërritur patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije Periq.

Vila Shtetërore "Gorica", ku u nënshkrua Marrëveshja Themelore, ishte vënë nën masa të rrepta sigurie nga policia.

Bllokada policore e rezidencës shtetërore “Vila Gorica” në Podgoricë para nënshkrimit të Marrëveshjes Themelore më 3 gusht.
Bllokada policore e rezidencës shtetërore “Vila Gorica” në Podgoricë para nënshkrimit të Marrëveshjes Themelore më 3 gusht.

Qeveria e Malit të Zi nuk e ka publikuar zyrtarisht datën e nënshkrimit të Marrëveshjes Themelore, ndërsa kryeministri Dritan Abazoviq ka mohuar informacionet jozyrtare se nënshkrimi është caktuar për 3 gusht.

Pas nënshkrimit, kryeministri Abazoviq tha se një çështjeje të rëndësishme i është vënë pikë.

“Është nder dhe kënaqësi që më është dhënë mundësia e pazakontë për të nënshkruar Marrëveshjen Themelore me Kishën Ortodokse Serbe dhe për ta mbyllur këtë çështje në një mënyrë shumë të bukur, të përshtatshme dhe dinjitoze”, deklaroi Abazoviq.


Ndërkaq, patriarku Porfirije ka shkruar “Lavdi Zotit” në llogarinë e tij në Instagram, së bashku me njoftimin se ka nënshkruar Marrëveshjen Themelore.

Pas nënshkrimit të Marrëveshjes Themelore e para reagoi Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e Milo Gjukanoviqit, e cila njoftoi se sot do të ndërmarrë nismën për mosbesimin ndaj Qeverisë së Dritan Abazoviqit.

“Marrëveshja e nënshkruar sot, e cila është në kundërshtim me Kushtetutën e Malit të Zi, do të pezullohet menjëherë pas zgjedhjes së Qeverisë së re“, thuhet në njoftimin e DPS-së.

DPS-ja e Gjukanoviqit, si partia më e madhe në Parlament, deri më tani e ka mbështetur Qeverinë pakicë të Dritan Abazoviqit. Ajo, gjithashtu, i kishte dhënë mbështetjen e nevojshme në Kuvend për funksionimin e saj.

Kurse partia pro-serbe dhe pro-ruse, Fronti Demokratik, tha se nënshkrimi i marrëveshjes është produkt i luftës së tyre të vazhdueshme politike për të drejtat e serbëve dhe Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi.

Kjo parti tha se ia ka bërë të qartë Abazoviqit se marrëveshja me Kishën është çështja më e rëndësishme.

"Ne e bëmë këtë pa kompromis, gjë që përfundimisht rezultoi në aktin e sotëm të nënshkrimit”, tha Fronti Demokratik.

Polemika në Qeveri për marrëveshjen

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, Qeveria e Malit të Zi mbajti mbledhje. Gjatë mbledhjes pati një përplasje njëorëshe midis Abazoviqit dhe ministrit të Jashtëm, Ranko Krivokapiqit.

Krivokapiq është një nga dy ministrat e Partisë Socialdemokrate që kundërshtuan nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje.

Kryediplomati Krivokapiq tha se nënshkrimi i marrëveshjes me Kishën Serbe është “mashtrim historik”.

“Ky është një akt ‘nul’ i miratuar në Beograd dhe i nënshkruar në Mal të Zi. Ky është akt që godet themelet kushtetuese të Malit të Zi”, tha Krivokapiq.

Ai shtoi se Kisha Ortodokse Serbe paraqet një mënyrë për të ndalur Malin e Zi në rrugën e tij drejt BE-së, dhe sipas informacioneve të Krivokapiqit, Raporti i Progresit i Komisionit Evropian për vitin 2022 është mjaft negativ për shtetin.

Duke iu përgjigjur akuzave të Krivokapiqit se ka vendosur Kishën para BE-së, Abazoviq deklaroi se çështjet fetare nuk bëjnë pjesë në kushtet e Brukselit.
“Nuk ka komisioner për çështje fetare. Çështjet fetare janë vetëm një pjesë e propagandës në Mal të Zi”, tha ai.

Abazoviq tha se nënshkrimi i Marrëveshjes me Kishën është mënyra për të arritur një konsensus parlamentar për çështjet e rëndësishme për integrimin në bllokun evropian. Një prej argumenteve në favor të nënshkrimit, Abazoviq tha se është marrëveshja e ngjashme që është nënshkruar me Kishën Katolike dhe Bashkësinë Islame.

Por, Krivokapiq tha se nuk mund të krahasohen vendimet për Kishën Katolike dhe Bashkësinë Islame, sepse sipas tij, këto janë bashkësi fetare, ndërkaq Kisha Ortodokse Serbe është organizatë politike.

“Kisha Ortodokse Serbe e mohon përqindjen më të madhe të popullsisë së Malit të Zi. Për 100 vjet pretendon se Mali i Zi nuk ekziston, na quajnë bastardë dhe komb të shpikur dhe këtë e vuajmë për hir të paqes”, tha Krivokapiq.

Abazoviq e akuzoi Krivokapiqin se bën pjesë në propagandën antiqeveritare.

Foto nga nënshkrimi i Marrëveshjes Themelore mes Qeverisë së Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe në Podgoricë, më 3 gusht 2022.
Foto nga nënshkrimi i Marrëveshjes Themelore mes Qeverisë së Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe në Podgoricë, më 3 gusht 2022.

Çka përmban Marrëveshja Themelore?

Qeveria e Malit të Zi kishte miratuar më 8 korrik Marrëveshjen Themelore.

Marrëveshja Themelore rregullon marrëdhëniet ndërmjet Kishës Serbe dhe shtetit të Malit të Zi, si dhe parasheh një sërë detyrimesh të shtetit ndaj kishës.

Me marrëveshje, shteti njeh vazhdimësinë ligjore të kishës që nga viti 1219, gjashtë shekuj më shumë se Kisha Ortodokse Serbe në Serbi.

Marrëveshja i jep Kishës Ortodokse Serbe kompetenca ligjore publike dhe hap mundësinë e futjes së arsimit fetar në shkolla.

Përveç kësaj, autoritetet shtetërore nuk mund të ndërmarrin masa sigurie në ndërtesat e kishave pa miratimin paraprak të autoriteteve kompetente të kishës, kurse shteti ka marrë përsipër të regjistrojë pronat e paluajtshme të paregjistruara në pronësi të dioqezave të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi.

Priftërinjtë e Kishës Ortodokse Serbe morën pjesë në nënshkrimin e Marrëveshjes Themelore në Villën "Gorica" 3 gusht, Podgoricë.
Priftërinjtë e Kishës Ortodokse Serbe morën pjesë në nënshkrimin e Marrëveshjes Themelore në Villën "Gorica" 3 gusht, Podgoricë.

Mrrëveshja Themelore me Kishën Ortodokse Serbe, që nga momenti i publikimit, shkaktoi konflikte brenda Qeverisë së Dritan Abazoviqit dhe mes anëtarëve të shumicës qeverisëse.

Një pjesë e mazhorancës qeverisëse, DPS dhe Partia Socialdemokrate, njoftuan se Marrëveshja Themelore është kundër interesave kombëtare të Malit të Zi, nuk është në pajtim me Kushtetutën e Malit të Zi dhe me ligjet malazeze.

Edhe opinioni profesional kishte vërejtje serioze për përmbajtjen e Marrëveshjes. Më 1 gusht, kryeministri Abazoviq refuzoi zyrtarisht të gjitha kundërshtimet e organizatave joqeveritare, Akademisë së Shkencave të Malit të Zi dhe institucioneve të tjera.

Në kë po mbështetet Abazoviqi?

Qeveria e Abazoviqit është votuar më 28 prill në Parlament nga Lëvizja e tij Qytetare URA, Partia Popullore Socialiste pro-serbe (SNP), Partia Socialdemokrate (SDP), partitë kombëtare të shqiptarëve, boshnjakëve dhe kroatëve, si dhe 29 anëtarë të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të presidentit malazez, Millo Gjukanoviq, e cila nuk ka përfaqësues në Qeveri.

Kundër ishin anëtarët e Frontit Demokratik dhe Demokratët.

Sipas njoftimeve të DPS-së së Gjukanoviqit, SDP dhe ndoshta disa parti të pakicës nuk do të mbështesin Qeverinë, por ka mundësi që Fronti Demokratik pro-serb dhe pro-rus, si dhe Demokratët, të mund të mbështesin Qeverinë e tij.

Këto parti janë të afërta me Kishën Ortodokse Serbe dhe insistuan në nënshkrimin e
Marrëveshjes Themelore.

XS
SM
MD
LG