Nëntë anëtarë të rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) të Kosovës janë betuar para ushtrueses së detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu.
Anëtarët që dhanë betimin janë: Hysen Durmishi dhe Violeta Salihu nga Lëvizja Vetëvendosje, Rashit Qalaj nga Partia Demokratike e Kosovës, Ilir Fetahu nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Muharrem Nitaj nga Aleanca, Stefan Filipoviq nga Lista Serbe dhe Delvir Tairi nga Koalicioni Vakat.
Në një postim në Facebook, Haxhiu i uroi anëtarët për përgjegjësinë e re.
“Kosova ka dëshmuar se ka një sistem zgjedhor të konsoliduar dhe ky standard duhet të ruhet e të forcohet vazhdimisht”, shkroi ajo.
KQZ-ja parshihet t’i ketë njëmbëdhjetë anëtarë, në mesin e të cilëve përfshihet edhe kryetari i saj - aktualisht Kreshnik Radoniqi.
Sipas Ligjit për Zgjedhjet në Kosovë, gjashtë anëtarë emërohen nga gjashtë grupet më të mëdha parlamentare në Kuvend, kurse katër anëtarë të tjerë emërohen nga grupet parlamentare të komuniteteve joshumicë.
Nëse ka më pak se gjashtë grupe parlamentare, grupet më të mëdha mund të emërojnë edhe anëtarë shtesë.
Nga LVV-ja sot u betuan dy anëtarë, por një tjetër anëtar shtesë - e që i bie të jetë i dhjeti - mungoi.
Përplasjet për anëtarin e dhjetë të KQZ-së
Deri më tani, ky institucion kishte funksionuar me një anëtar më pak, pasi procesi i emërimit ishte shoqëruar me paqartësi lidhur me përfaqësimin e partive politike në këtë institucion, veçanërisht mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës.
Ish-presidentja Vjosa Osmani, në mars, iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar sqarim lidhur me përbërjen e KQZ-së, pasi LVV-ja kishte propozuar tre kandidatë, ndërsa PDK-ja dy.
Gjykata Kushtetuese, më 30 mars, e shpalli të papranueshme kërkesën e Osmanit, pa vendosur në themel se cilës parti i takonte ulësja e kontestuar.
Më 8 prill, disa media raportuan se PDK-ja i kishte dërguar letër ushtrueses së detyrës së presidentit Albulena Haxhiu, duke kërkuar emërimin e anëtarit të dytë të PDK-së në KQZ.
Kjo parti i ishte referuar nenit 139, paragrafit 4 të Kushtetutës, duke argumentuar se, duke pasur parasysh përbërjen e atëhershme të Kuvendit, PDK-së i takonin dy përfaqësues në KQZ.
Pozitën e anëtarit të dhjetë në KQZ e kishte kërkuar edhe LVV-ja.
Deputeti Artan Abrashi, gjatë një adresimi në Kuvend në muajin prill, i kishte kërkuar Haxhiut të emërojë anëtarin e tretë të LVV-së në KQZ, duke argumentuar se LVV-ja, si grupi më i madh parlamentar, e ka këtë të drejtë.