Ndërlidhjet

NYT i thotë Trumpit: Mos i quani gazetarët armiq!


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump

Publikuesi i gazetës New York Times i bëri thirrje presidentit amerikan, Donald Trump, të ndalojë etiketimin e gazetarëve si "armiq të popullit", duke thënë se kjo "mund të çojë në dhunë" kundër mediave.

AG Sulzberger i bëri këto komente pas takimit me Trumpin në Shtëpinë e Bardhë dhe pas deklarimeve të presidentit rreth këtij takimi.

Në postimin e parë në Twitter, Trump tha se ka qenë një takim "shumë i mirë", por më vonë ai i akuzoi mediat për vënien e jetës së njerëzve në rrezik, përmes raportimit të tyre.

"Kaluam shumë kohë duke folur për sasinë e madhe të lajmeve të rreme në media dhe për atë se si fraza 'lajme të rreme' është shndërruar në frazën 'armik i popullit'", tha Trump.

Gazeta New York Times pastaj lëshoi deklaratën e saj, duke thënë se ka vendosur t'iu përgjigjet komenteve të presidentit.

Sulzberger tha se ka pranuar takimin me Trumpin për të ngritur shqetësime në lidhje me "retorikën e thellë anti-shtyp" të presidentit.

Ai tha se i ka thënë Trumpit se fraza "lajm i rremë" është "e pavërtetë dhe e dëmshme", por shtoi se është "shumë më i shqetësuar për etiketimin që u bën presidenti gazetarëve si armiq të popullit".

"Paralajmërova se kjo gjuhë nxitëse kontribuon në rritje të kërcënimeve ndaj gazetarëve dhe se do të çojë në dhunë", tha Sulzberger.

Ai tha se ia ka bërë me dije presidentit se një gjë e tillë tashmë ndodh në vende të tjera, ku retorika e tij shfrytëzohet nga disa regjime për t’i shtypur gazetarët.

“E paralajmërova se po vë jetë në rrezik, po dëmton idealet demokratike të vendit tonë dhe se po shkatërron një nga eksportet më të madha të vendit tonë: angazhimin për fjalën e lirë dhe shtypin e lirë", tha Sulzberger.

Ai shtoi se nuk kërkon nga Trump që të mos e kritikojë gazetën e tij nëse nuk është i kënaqur me mbulimin, por tha se i bën thirrje atij që “t’i rishqyrtojë sulmet më të gjera ndaj gazetarëve”.

Pasi deklarata e Sulzbergerit u bë publike, Trump u përgjigj në Twitter, duke thënë se mediat që raportojnë mbi “diskutimet e brendshme” të Qeverisë, “e vënë vërtet në rrezik jetën e shumëkujt, jo vetëm të gazetarëve”.

Trump tha se media “po çmendet nga Sindroma e Zënkës me Trumpin” dhe e akuzoi atë për publikimin e “artikujve të këqij edhe për arritjet pozitive”.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG