Ndërlidhjet

Haley kritikon ashpër OKB-në për mosndëshkim të Iranit


Ambasadorja e SHBA-së në OKB, Nikki Haley
Ambasadorja e SHBA-së në OKB, Nikki Haley

Ambasadorja e SHBA-së në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley ka kritikuar ashpër Këshillin e Sigurimit për dështim të marrjes së masave ndaj Iranit, pasi sipas saj, ky vend qëllimshëm nuk i ka respektuar sanksionet e imponuara nga kjo organizatë.

Këshilli i Sigurimit ka dështuar edhe në marrjen e hapave me të vegjël për tu përgjigjur ndaj këtyre shkeljeve”, ka thënë Haley gjatë një takimi në këtë Këshill.

Ne na duhet me domosdo t’i tregojmë Iranit se nuk do të tolerojmë këto provokime skandaloze që po i bëhen rezolutës së OKB-së”.

Shumica e sanksioneve të OKB-së ndaj Iranit ishin hequr 18 muaj më parë, pas një marrëveshje që Irani pati bërë me fuqitë botërore për të frenuar zhvillimin e programit bërthamore. Sidoqoftë, Irani vazhdon të ketë ndalesa për armët të cilat nuk janë teknikisht pjesë e marrëveshjes nukleare.

Shefi politik i Kombeve të Bashkuara, Jeffrey Feltman, e ka prezantuar raportin e tretë të Sekretarit të Përgjithshëm, Antonio Guterres, rreth zbatimit të sanksioneve kundër Iranit.

Raporti i Sekretarit të Përgjithshëm na e bën të qartë se Irani është duke shkelur rezolutën e Këshillit të Sigurimit, andaj shtrohet pyetja se ‘çka do të bëj Këshilli i Sigurimit rreth kësaj çështje?’”, ka thënë Haley.

Roli destruktiv dhe destabilizues i Iranit në Lindje të Mesme shkon përtej lëshimit të paligjshëm të raketave”, ka thënë tutje ambasadorja amerikane.

“Nga Siria në Jemen dhe nga Iraku në Liban, po vazhdon mbështetja e Iranit ndaj grupeve terroriste. Mbështetja ushtarake në vendet e konfliktit vetëm sa e bën problemin më të vështirë për tu zgjidhur”, ka shtuar ajo.

Asnjë anëtar i Këshillit të Sigurimit të OKB-së nuk ka propozuar marrjen e ndonjë hapi kundër Iranit. Diplomatët kanë thënë se Rusia dhe Kina kanë të drejtën e vetos ndaj secilit hap që mund të propozojnë anëtarët e Këshillit.

Rusia i kanë vënë në pikëpyetje disa nga të gjeturat e raportit të Sekretarit Guterres.

Në raport është përmendur lansimi i një rakete balistike nga Irani më 29 janar, mirëpo Këshilli i Sigurimit nuk ka arritur ndonjë marrëveshje se si të veprojë rreth këtij rasti.

Pavarësisht mospajtimeve, në raportin e Sekretarit Guterres, i bëhet thirrje Iranit “të ndalojë veprime të tilla, siç është rasti i raketave balistike, pasi të njëjtat mund të rrisin tensionet”.

Një vit më parë, paraardhësi i Guterres, Ban Ki-moon, i pati komentuar raketat balistike të Iranitsi veprime që ishin në mospajtim me marrëveshjen bërthamore që ishte arritur”.

Sipas rezolutës së Kombeve të Bashkuara, Iranit i është “bërë thirrje” që të përmbahet nga zhvillimi i raketave balistike për tetë vjet. Sipas Teheranit dhe Moskës, mënyra e parashtrimit të kërkesës nuk e bën të detyrueshme zbatimin e saj.

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, është duke e rishikuar marrëveshjen, të cilën Trump e ka komentuar si “të tmerrshme”.

Mirëpo ambasadorja Haley, ka thënë se “derisa marrëveshja të rishikohet, të gjitha vendet që kanë qenë pjesë e paktit duhet të sillen njëjtë, duke pritur të njëjtën qasje edhe nga Irani”.

Disa nga vendet anëtare të OKB-së dhe shumë nga aleatët e SHBA-së e patën konsideruar si historike këtë marrëveshje bërthamore.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në OKB, Peter Wilson e ka quajtur marrëveshjen me Iranin, si një nga “paktet diplomatike më të rëndësishme në historinë e kohëve të fundit”.

Ambasadori gjerman në OKB, Harald Braun e ka quajtur marrëveshjen si “sukses shumë të madh”.

Pakti është duke u zbatuar. Të gjithë pjesëmarrësit janë duke i kryer detyrat e tyre. Ky është një kontribut i rëndësishëm për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit”, ka thënë ai.

Mirëpo ambasadori britanik, Wilson, është pajtuar me ambasadoren amerikane, Haley, se shkeljet e marrëveshjes nga ana e Iranit me testimin e raketave duhet të adresohen.

Haley ka thënë se Shtetet e Bashkuara nuk do të mbyllin sytë ndaj shkeljeve të tilla në të ardhmen dhe se SHBA do të vazhdojë të imponojë sanksione të reja për Iranin.

Një vazhdueshmëri e tillë e regjimit destruktiv të Iranit, do ta ndalojë këtë vend drejt krijimit të marrëdhënieve normale me Shtetet e Bashkuara dhe pjesën tjetër të botës”, ka thënë ambasadorja e SHBA-së në OKB, Nikki Haley.

Përgatiti: Krenare Cubolli

XS
SM
MD
LG