Ndërlidhjet

Pashinian i fiton zgjedhjet në Armeni, por pa super-shumicë

Kryeministri armen, Nikol Pashinian, bën shenjën e zemrës pas votimit në zgjedhjet parlamentare. Jerevan, 7 qershor 2026.
Kryeministri armen, Nikol Pashinian, bën shenjën e zemrës pas votimit në zgjedhjet parlamentare. Jerevan, 7 qershor 2026.

Fitorja e kryeministrit armen, Nikol Pashinian, në zgjedhjet parlamentare paraqet një shuplakë të fortë ndaj përpjekjeve ruse për të devijuar politikat e tij properëndimore, edhe pse dështimi për të fituar shumicën prej dy të tretave në Parlament do të ndërlikojë procesin e paqes me Azerbajxhanin, që po ndërmjetësohet nga Shtetet e Bashkuara.

Sipas rezultateve paraprake, partia Kontrata Civile e Pashinianit ka fituar 64 vende në Parlamentin me 105 karrige, të mjaftueshme që ai të ketë edhe një mandat në Qeveri. Dy partitë opozitare, që anojnë nga Rusia, fituan ulëset e mbetura, ndërkaq një parti tjetër duket se nuk e ka kaluar pragun zgjedhor prej 5 për qind dhe po pret që të ketë një rinumërim.

“Me rizgjedhjen e Qeverisë armene, këto zgjedhje ofrojnë një mandat të ri për ruajtjen e momentumit pozitiv të angazhimit diplomatik, normalizimin e marrëdhënieve me fqinjët dhe vazhdimin e diversifikimit të partnerëve të sigurisë së Armenisë”, tha për Radion Evropa e Lirë, Richard Giragosian, drejtues i Qendrës për Studime Rajonale në Jerevan, më 8 qershor.

Konfirmohet orientimi properëndimor

Pashiniani tani mund të pritet që të bëjë lëvizje për të forcuar lidhjet me Bashkimin Evropian dhe SHBA-në.

Vitin e kaluar, vendi miratoi një ligj për nisjen e procesit të anëtarësimit në BE, dhe liderët e BE-së e mirëpritën rezultatin e zgjedhjeve.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili këndoi një këngë me Pashinianin gjatë një vizite zyrtare në Jerevan muajin e kaluar, e uroi atë për fitore duke u zotuar për “thellim të bashkëpunimit që u shërben interesave të popujve tanë” si dhe u zotua për mbështetjen e “paqes në Armeni dhe sovranitetit, si dhe mbështetjen e procesit për afrimin me Evropën”.

Rizgjedhja e Pashinianit do t’i pëlqejnë edhe presidentit amerikan, Donald Trump, i cili e ka mbështetur atë disa javë para zgjedhjeve të 7 qershorit. “Nikola ndan plotësisht vizionin tim për paqe dhe prosperitet për Armeninë dhe rajonin e Kaukazit Jugor”, shkroi Trump në rrjetet sociale.

Trump ishte mikpritës i Pashinianit dhe presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, në Shtëpinë e Bardhë vitin e kaluar që në mënyrë simbolike t’i jepej fund konfliktit prej dekadash. Ishte një moment që vuri në pah rënien e ndikimit rus në rajon që nga konflikti i vitit 2023 kur Azerbajxhani rimori kontrollin e rajonit të Nagorno-Karabakut, duke bërë që 100.000 armenë etnikë të largoheshin nga shtëpitë e tyre.

Periudha parazgjedhore u përshkua me kërcënime ruse dhe veprime që synonin të dëmtonin mbështetjen e rrugës properëndimore të Pashinianit. Këto përfshin kufizime që kishin për cak eksportet ruse dhe vunë në pah se sa shteti varet nga qasja në tregjet ruse, por edhe kërcënime nga presidenti rus, Vladimir Putin, se do të ndërmarrë masa të tjera “që mund të rezultojnë me humbjen e të paktën 14 për qind të GDP-së së Armenisë”. Putin madje la të kuptohet se mund të ndodhë “skenari ukrainas” për Armeninë.

Por, analistët në Jerevan thonë se përpjekjet ruse për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve nuk ishin të suksesshme.

“Ky rezultat konfirmon besimin se Armenia është nisur në drejtimin e duhur”, tha Giragosian, duke i përshkruar votimet si “zgjedhje kyç parlamentare”.

Areg Kochinian, kreu i Këshillit Kërkimor Armen, i tha Current Time se përpjekjet ruse kanë prodhuar efektin e kundërt.

“Nëse qëllimi i Rusisë ishte të tentonte të mbështeste aleatët e saj në Armeni duke përdorur instrumente të ndryshme – fushata dezinformimi, luftën tregtare, me fjalë të tjera të gjithë arsenalin hibrid – e gjithë kjo prodhoi rezultatin e kundërt”, tha ai.

“Popullsia armene, në përgjithësi, u mobilizua mirë dhe Pashiniani e arriti këtë fitore mbresëlënëse”, shtoi ai.

Rrugë e vështirë drejt paqes

Këto ishin zgjedhjet e para që nga humbja ushtarake e Armenisë në vitin 2023 dhe një pjesë kyç e platformës së Pashinianit ishte ajo që ai e quante “Armenia e vërtetë”, që nënkupton pranimin e kufijve aktualë të vendit dhe përmirësimin e marrëdhënieve me fqinjët tradicionalisht armiqësorë, kryesisht Azerbajxhanin, por edhe mbështetësin e tij, Turqinë.

Lëvizjet e fundit kanë sjellë hapjen e kufirit me Turqinë dhe Brukseli e ka paraqitur këtë si një rrugë të re për eksportet armene drejt Bashkimit Evropian.

Por, ndonëse paqja me Azerbajxhanin u festua në Shtëpinë e Bardhë, ku Trump priti Pashinianin dhe Alijevin për nënshkrimin e një deklarate të përbashkët gushtin e kaluar, në fakt bëhej fjalë për një marrëveshje për të nënshkruar një marrëveshje të ardhshme, dhe rezultatet e zgjedhjeve mund të sjellin disa pengesa përgjatë rrugës.

Azerbajxhani ka kërkuar që Armenia të miratojë një kushtetutë të re, duke hequr referencat për Nagorno-Karabakun që ai i konsideron provokuese. Kjo do të kërkonte një shumicë prej dy të tretash, të cilën Pashiniani nuk e ka siguruar në këto zgjedhje.

“Çështja më e rëndësishme e re në Armeni pas zgjedhjeve është, ose do të bëhet, tema e miratimit të një kushtetute të re”, tha Kochinian.

“Së pari, ky është një vazhdim i reformave demokratike dhe ndryshimeve në vendin tonë. Dhe së dyti, lidhet me vazhdimin e procesit të paqes me Azerbajxhanin. Meqë asnjëra prej këtyre nuk është në interes të Rusisë… pa mbështetjen e opozitës nuk do të jetë e mundur të nisë procesi i miratimit të një kushtetute të re, sepse nevojiten të paktën dy të tretat e Parlamentit për ta iniciuar atë, gjë që më pas do të çonte në një referendum për miratimin e saj”, shpjegoi ai.

Në Moskë, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova, tha më 8 qershor se zgjedhjet ishin zhvilluar nën “presion të paprecedentë ndaj opozitës dhe ndërhyrje nga Perëndimi”. Ajo shtoi se zgjedhjet treguan se Armenia është thellësisht e polarizuar.

Qëndrimi i saj pasqyroi një deklaratë të bërë gjatë natës nga Samvel Karapetian, kreu i partisë Armenia e Fortë, e cila doli e dyta duke fituar 29 mandate, duke pretenduar për “përndjekje” dhe duke lënë të kuptohet, pa ofruar dëshmi, se numërimi i votave po manipulohej.

Karapetian u arrestua vitin e kaluar nën akuzat për thirrje për marrje të paligjshme të pushtetit dhe aktualisht ndodhet në arrest shtëpiak.

Një mision vëzhgues ndërkombëtar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) vuri në pah më 8 qershor se kishte pasur “procedime të shumta penale ndaj kandidatëve dhe aktivistëve të opozitës, gjë që ka bërë që shumë mbështetës të opozitës të mos angazhohen aktivisht në fushatë”.

Koordinuesja speciale e OSBE-së, Farah Karimi, tha në një konferencë për shtyp në Jerevan se “kjo, së bashku me presionin ndaj punonjësve të sektorit publik për të marrë pjesë në ngjarjet e partisë në pushtet dhe masat sociale e ekonomike të prezantuara së fundi, ngriti shqetësime për barazinë e mundësive në fushatë”.

Megjithatë, OSBE-ja gjithashtu denoncoi ndërhyrjet nga Rusia.

“U vërejt presion i drejtpërdrejtë nga jashtë, në formën e kufizimeve tregtare në rritje dhe kërcënimeve të sigurisë gjatë fushatës, që synonin të ndikonin në mënyrë të padrejtë votuesit në favor të forcave opozitare”, tha Karimi.

Përgatiti: Mimoza Sadiku
XS
SM
MD
LG