Ndërlidhjet

Lajme

Spektakël në Paris në nisje të Olimpiadës

Parisi në nisje të ceremonisë.
Parisi në nisje të ceremonisë.

Artistja Lady Gaga ka kënduar një këngë franceze kabaresh afër katedrales Notre-Dame, një shtëllungë gjigante me tri ngjyra - të kaltër, të bardhë dhe të kuqe - është parë mbi urën kryesore të lumit Sena, dhe një burrë me krahë fluturues ka luajtur fizarmonikë në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Verore në Paris.

Një flotë anijesh i ka bartur gati 7.000 atletë përgjatë rreth gjashtë kilometrave të lumit, nën ritmet e këngës së Lady Gagas.

Duartrokitje të mëdha janë dëgjuar për ekipin e Greqisë – i cili është gjithmonë i pari – dhe e njëjta atmosferë ka vazhduar për secilën anije tjetër që ka bartur ekipet e vendeve prej gjithë botës.

Ekipi i Greqisë.
Ekipi i Greqisë.

Fontanat kanë lëshuar ujë në mes të Senës, teksa anijet kanë lundruar me atletët që kanë mbajtur flamujt e vendeve të tyre.

Ceremonia ka nisur me një material të incizuar, në të cilin shihet ylli francez i futbollit, Zinedine Zidane duke vrapuar nëpër Paris për të dorëzuar flakën olimpike.

Policia është e angazhuar në secilën qoshe të Parisit, pasi të gjithë sytë e botës janë në Francë.

Kjo është hera e parë që ceremonia do të mbahet në ambient të hapur.

Kosova këtë vit përfaqësohet me nëntë sportistë: pesë xhudistë, një boksiere, një sportiste në atletikë dhe dy notarë.

Ekipi i Kosovës në Paris.
Ekipi i Kosovës në Paris.

“Jemi shumë të lumtur, kjo ndodh në herë në jetë”, ka thënë 17-vjeçarja Elise Boukorrass, për agjencinë e lajmeve Reuters.

Moti nuk ka qenë në anën e organizatorëve, pasi reshje shiu ka pasur kohë pas kohe.

“Shiu nuk ma ndal festën në Olimpiadë – sporti është gjithçka për mua dhe do të bëj gjithçka që ta shoh ceremoninë”, ka thënë 20-vjeçarja, Flavia Merluzzi.

Lojërat Olimpike Parisi 2024 do të përfundojnë më 11 gusht.

XS
SM
MD
LG