Ndërlidhjet

Largohet grupi i parë i afganëve nga Kosova


Mbi 110 afganë largohen nga Kosova
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:01:22 0:00

Mbi 110 afganë largohen nga Kosova

Nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës "Adem Jashari", të enjten u larguan 117 shtetas afganë, të cilët ditë më parë ishin strehuar në Kosovë.

Ky grup është nisur drejt Mbretërisë së Bashkuar.

"Forcat britanike, që janë nën komandën e NATO-s, kanë ardhur në Kosovë dhe janë në krye të operacionit për të mbështetur strehimin dhe rivendosjen e tyre”, thuhet në një deklaratë të Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, duke falënderuar Kosovën për “bujarinë” e treguar lidhur me strehimin shtetasve afganë.

Jacob Webber, zëvendësambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë tha se është i gëzuar që shtetasit afganë janë dërguar në shtetin e tij dhe se ky operacion u krye me sukses.

“Ende janë rreth 700 ose më shumë afganë, bashkëpunëtorët të NATO-s që janë ende në Kosovë, prandaj besoj se tashmë duhet të punojmë që të sigurohemi që ata të dërgohen në shtete të tjera për strehim afatgjatë”, tha ai.

“Ata kanë kaluar nëpër një situatë të rëndë. Është një rrugë e vështirë që ata kanë kaluar. Atyre u kanë mbetur edhe një distancë e shkurtër që ta kalojnë. Ata janë nisur me avion drejt Mbretërisë së Bashkuar, por këtë gjë ne nuk do të mund ta bënim pa Kosovën”, shtoi ai.

Sipas Ferdinand Nikollës nga Ministria e Punëve të Brendshme, operacione të tilla për dërgimin e shtetasve afganë në shtetet anëtare të NATO-s, do të bëhet edhe në ditët në vijim.

“Përveç 117 qytetarëve afganë të cilët sapo lanë Kosovën, ne kemi në Kosovë të strehuar ende edhe 891 qytetarë afganë, të cilët janë të strehuar dhe të mbrojtur përkohësisht në kampin Bondsteel dhe kampin Bechtel-Enka”, tha ai.

Grupi i shtetasve afganë që u largua nga Kosova, deri më tash ishte i strehuar në kampin Bechtel-Enka në Ferizaj. Në këtë kamp ishin të strehuar shtetas që kanë punuar me forcat e NATO-s në Afganistan.

Këta shtetas afganë erdhën në Kosovë pasi nuk ishin të sigurt më në Afganistan, kur vendi ra në duart e talibanëve.

Në Kosovë, deri të hënën në mesditë, kanë arritur 971 refugjatë afganë.

Në kampin Bechtel-Eenka në Ferizaj ishin të vendosur rreth 810 refugjatë, kurse 161 në kampin amerikan Bondsteel, po ashtu në Ferizaj.

Më herët, autoritetet kosovare kanë bërë të ditur se do të strehojnë rreth 2,000 shtetas afganë të cilët kanë punuar me Shtetet e Bashkuara dhe me shtetet anëtare të NATO-s.

Sipas ligjeve në fuqi, Kosova u ka dhënë qëndrim të përkohshëm deri në një vit.

Për dallim nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ku afganët që po gjejnë strehim atje janë të lirë të lëvizin jashtë hapësirave ku ata janë të vendosur, për afganët që strehohen në Kosovë ka masa më të rrepta të sigurisë.

XS
SM
MD
LG